Diplomatët në Ministrinë e Punëve të jashtme kritikojnë Fisherin | Gjermania | DW | 29.03.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Diplomatët në Ministrinë e Punëve të jashtme kritikojnë Fisherin

Zhurmë në Ministrinë e Jashtme. Mënyra se si ministri i punëve të jashtme, Joshka Fisher, udhëheq ministrinë e vet, po kritiohet nga një numër gjithnjë e më i madh diplomatësh. Veçanërisht dy janë ngjarjet mbi të cilat bazohet kjo kritikë. Së pari, sa i përket aferës së vizave, që sa vjen e po zgjerohet. Së dyti, për atë se si ky sillet me nekrologjitë e diplomatëve të vdekur. Hollëistë na i jep, Nina Verkhojzer.

MInistri gjerman i puneve te jashtme, Joshka Fisher

MInistri gjerman i puneve te jashtme, Joshka Fisher

Zënka për nekrologjitë e diplometëve të vdekur është ashpërsuar kohët e fundit. Sipas informacioneve të botura nëpër mediat gjermane, mbi 70 punonjës të ministrisë së punëve të jashtme kanë nënshkruar një letër, që drejtohet kundër një udhëzimi të shefit të tyre më të madh. Ministri i jashtëm Joshka Fisher, vetë i partisë së Gjelbër, kishte marrë vendim, që për diplomatët, që në kohën e nazizmit kanë qenë antarë të Partisë Puntore Nacionalsocialiste, shkurt NSDAP, të mos shkruhen nekrologji në revistën e brendshme të ministrisë. Mjafton një njoftim i thjeshtë për vdekjen e tyre, ndërsa fjalia deri tani standard "përkujtim me nderime" do të fshihet. Parë nga ana e Fisherit, ky është një kompromis, sepse në vjeshtën e vitit 2003 ai kishte kërkuar, që për ish-diplomatët naziztë të mos thuhet as njoftimi i vdekjes. Protesta e brendshme ka të bëjë me argumentin, që nuk mund të injorohet puna e bërë nga këta diplomatë në periudhën e mbasluftës.

Fisheri nuk është i vetmi, që mendon kështu. Ka shumë vetë që e përkrahin. Por protesta e mbi 70 bashkëpuntorëve dëshmon për atmosferën e pakënaqur që sundon në ministrinë e punëve të Jashtme. Kjo pakënaqësi nuk ka lindur brenda natës. Aty ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe afera e vizave, në të cilën ministri i punëve të jashtme Joshka Fisher, me shumë rezerva ka pranuar të marrë mbi supe përgjegjësinë për gabimet e bëra në lidhje me praktikën e dhënies së vizave në ambasadat e Evropës Lindore. Shumë diplomatë janë të mendimit, se ata vetë e kanë informuar me kohë kreun ministror për çregullimet në dhënien e vizave, të cilat janë mënjanuar tepër vonë.

Kjo u ka nxjerrë ambasadave gjermane namin e përkrahjes së aktiviteteve kriminale, duke dëmtuar kështu emrin e Gjermanisë, ankohen tani diplomatët e pakënaqur. Kështu për shembull, ish-ambasadori Hans Georg Wieck, në Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung, thotë,se imazhi i ministrisë së punëve të jashtme, ka humbur shumë pikë, si në planin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ai dhe shumë ish-diplomatë të tjerë vetëm sa e thonë me zë të lartë atë, çka shumë të tjerë e shprehin me rezerva: Emri deri tani i paprekur i Ministrisë së Punëve të Jashtme është cënuar. Inantin e ka rritur më tej edhe fakti, që kryediplomati Fisher fillimisht foli vetëm për neglizhenca dhe gabime të bëra nga bashkëpuntorët, shumë më vonë për gabime të veta. Përveç inatit brenda ministrisë, Fisherit po i hap probleme këmbëngulja e opozitës për ta detyruar atë të dëshmojë në komisionin hetimor për çështjen e vizave, mundësisht para 22 majit. Kjo është data e zgjedhjeve parlamentare të landit më të madh gjerman, Nordrajn-Vestfalisë, i vetmi nga 16 landet që vazhdon të qeveriset nga koalicioni federal, i socialdemokratëve dhe të gjelbërve. Pikërisht këto dy parti po bëjnë çmos ta pengojnë dëshminë e Fisherit para kësaj date.

  • Data 29.03.2005
  • Autor Nina Verkhojzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4E
  • Data 29.03.2005
  • Autor Nina Verkhojzer
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar4E