1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diploma gjermane në Durrës

Arben Muka / Tiranë20 Janar 2009

Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën në Durrës po tenton të zbatojë një program studimi ku gjysma e kohës është në auditor dhe gjysma në trainim praktik.

https://p.dw.com/p/Gceu
Studentë
StudentëFotografi: DW / Cama

Mjediset e fakultetit janë për momentin në një ambjent privat në territorin e plazhit të Durrësit, por rektorati i universitetit ka planifikuar që shumë shpejt të bëhet shpërngulja në një godinë tjetër, që do të jetë e mjaftë për të pritur gati 90 studentë për çdo vit akademik. Aktualisht janë 17 studentë, të cilët janë në degën e menaxhimit bankar dhe praktikat e tyre do të përqëndrohen fillimisht në bankat Kombëtare Tregtare dhe ajo Credins, më pas në banka të tjera që kanë po filiale në qytetin e Durrësit.

Prof. Alexandër von Freyhold
Prof. Alexandër von FreyholdFotografi: DW / Arben Muka

Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën, FSIP, është formati i një shkollimi universitar i importuar nga eksperienca gjermane. Që nga qershori i vitit 2008, me vendim të qeverisë shqiptare u miratua projekti i përbashkët i Ministrisë së Arësimit dhe GTZ-së gjermane, për hapjen e fakultetit si strukturë e Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës. Ideja është aplikimi i formatit të disa universiteteve gjermane, që kanë aplikuar pas viteve 70- të të shekullit të kaluar një model studimi teori plus praktikë. Një alternim mes të dyjave, në mënyrë që studenti të kishte shprehi aplikative qysh në momentin e diplomimit. Sot rreth 30 përqind e studentëve në Gjermani janë të angazhuar në këtë lloj sistemi shkollimi. Në Shqipëri është hera e parë që hapet një fakultet i tillë, i quajtur ndryshe dhe akademia gjermane e biznesit.

Prof. Alexandër von Freyhold, është përgjegjësi i ekipit që zbaton këtë program ambicioz. Ai rendit disa arsye thelbësore, pse një student i FSIP-it është në kushte të ndryshme nga ato të studentit në një degë tjetër në Universitetin e Durrësit, apo në shkollat e tjera të larta shqiptare. "Ka disa avantazhe. Studentët janë në klasa të vogla ku numri nuk do të kalojë 20 deri në 25 studentë. Siç dhe kuptohet kjo ka impakt të drejtpërdrejtë në asimilimin e dijeve në auditor, në përfshirjen e të gjithëve gjatë debateve dhe ushtrime të ndryshme. Pra, studenti ndjehet më i përfshirë dhe më i motivuar në auditor. Edhe profesorët, 60 përqind e të cilëve janë të huaj, janë më efektivë në punën e tyre kur punojnë në klasa të vogla. Tjetër avantazh është harmonizimi teorik me atë praktik. Gjatë një viti akademik 12 javë janë në auditor dhe 12 javë të tjera trajnim praktik. Të dyja aspektet janë në funksion të njera tjetrës, rrisin nivelin e përmbajtjes së njohurive që fitohen. Nga dualiteti FSIP- kompani jepen garanci rreh 90 përqind e studentëve e kanë të garantuar punën pas shkollimit këtu."

Durrës
DurrësFotografi: DW / Cama

Prof . von Freyhold shton se pedagogët e rekrutuar për mësimdhënie janë nga Berufsakademie Baden - Vyrtemberg, por dhe nga partnerë të tjerë në Gjermani, në SHBA etj. Mësimi zhvillohet i gjithi në gjuhën angleze. Gjatë këtij semestri me studentët e degës se menaxhimit bankar është dhe prof. Dr. Burhan F. Yavas, nga Universitetit shtetëror "Dominguez Hills", në Kaliforni. Ai shikon interes tek studentët. "Ajo që përpiqem të bëj është kombinimi i leksioneve me zgjidhjen e problemeve konkrete. Ja psh., në dy orët e para të sotme në auditor diskutuam për problemet që ka sistemi bankar e institucionet financiare këtu në Shqipëri. Sa të imunizuara por dhe sa të rrezikuara janë ato nga kriza globale financiare? Cilat janë preventivat dhe ripozicionimet në një treg të tillë? Si zbuten efektet negative? Opcionet e ndërhyrjes nga shteti etj., pyetje që provokuan debat dhe mendime gjithëfarë. Studentë nuk rrinë vetëm duke dëgjuar, por dhe janë aktivë duke shfaqur mendime, duke hedhur teza. Këtë aplikojmë: prezantim i problemeve konkrete, kërkim nëpër zgjidhjet më të mira."

Arjeta, një studente e menaxhimit bankar, sapo ka dalë nga dy orët e seminarit në lëndën ekonomike, të cilën do ta kenë provim në fund të muajit janar. "Si një lëndë bazike ka shumë volum, por duke e zhvilluar në një auditor me pak studentë na bie që të jemi të përgatitur për çdo orë. Kjo do të na e lehtësojë përgatitjen për provimin. Kështu dhe në lëndët e tjera."

Durrës
DurrësFotografi: DW

Bledar Topi, ka studiuar më parë për 4 vjet në Milano, por shprehet hapur se nuk e ka patur një shans të tillë atje, për të ndjekur një fakultet të integruar me praktikën. "Duke bërë praktikën tek Banka Kombëtare Tregëtare, në filialin e Durrësit jam në sinkron me gjithçka që trajtojmë në leksione e seminare. Kjo jo vetëm në punën e përditshme, por dhe në ndërtimin e vizioneve për të ardhmen. Mua dhe kolegëve na pëlqen alternimi 3 muaj auditor dhe 3 muaj praktikë," thotë ai. Kurse Gejs Barci e konsideron ndjekjen e fakultetit si një sfidë. "Është hera e parë që aplikohet në Shqipëri. Ka mjaft intensitet në leksione e seminare, por dhe kemi ecur mirë. Është një mënyrë të studiuari që do t`i pëlqente ta bënte kushdo nga bashkëmoshatarët tanë, pasi ndjen siguri për nivelin e dijeve që na japin profesorët, por dhe për gjetjen e një pune pas studimeve." Gejsi shpreson që masterin apo ndonjë specializim ekstra ta ndjekë në Gjermani.

Dekani i FSIP, dr. Mithat Mema, që është dhe zëvendësrektor për Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës, ka besim se pas akreditimit që do të bëhet nga një agjensi e specializuar e huaj, diploma që do të marrë studenti këtu do të jetë i barazvlefshëm me atë të studentëve në Gjermani. "Nëse vlerësohet nga një agjensi akredituese europiane, në rastin tonë shpresojmë se agjensia do të jetë gjermane, atëherë kjo do të thoshte që cilësia dhe niveli i diplomimit është i njëjtë me atë që realizohet në Gjermani. Jo pa qëllim në një spot televiziv për hapjen dhe funksionimin e fakultetit ne kemi përdorur dhe shprehjen: diploma gjermane në Durrës!"

Po deri atëhere duket se janë për zgjidhje dhe një sërë problemesh me peshë në mbarëvajtjen e punës në FSIP, të natyrshme për një ndërmarrje të re akademike. Më prioritar është sistemimi në një ambjent tjetër, jo vetëm më afër godinës së Universitetit, por dhe me më shumë hapësira për auditoret dhe mjediset funksionale në dispozicion të studentëve dhe pedagogëve. Tjetër është plotësimi strukturor me hapjen e dy degëve të tjera të projektuara, menaxhim i hoteleri - turizëm dhe menaxhim i ndërmarrjeve të vogla, zgjerimi i partneritetit me kompani dhe firma private, që do të presin studentët etj.

(aca)