1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Itinerari ballkanik

Lidija Tomic23 Janar 2016

Pavarësisht të ftohtit e borës dhe zërave se Europa do të mbyllë kufijtë, fluksi i refugjatëve përgjatë itinerarit ballkanik ende nuk ndalet. Rreth 2.500 vetë kalojnë përmes Serbisë gati çdo ditë, me destinacion BE-në.

https://p.dw.com/p/1HiXn
Serbien Flüchtlinge kommen in Adasevci an
Refugjatët mbërrijnë në AdasevcFotografi: DW/L. Tomic

Itinerari ballkanik është bërë disi më i kalueshëm që nga momenti kur Kroacia dhe Sllovenia vunë në përdorim procedura të reja për refugjatët e ardhur në Serbia. Në kufij janë forcuar kontrollet kufitare dhe transporti është organizuar në atë mënyrë që të mos krijohen turma dhe incidente të tjera. Vetëm ata që vijnë ngë Siria, Iraku apo Afganistani dhe që kanë më shumë shanse për azil mund të vazhdojnë udhëtimin në Europën Perëndimore. Para futjes së refugjatëve në tren, policia serbe duhet të dorëzojë një listë tek kolegët kroatë ku janë vendosur emrat e migrantëve dhe vendi nga ata vijnë si edhe destinacioni përfundimtar në Europë. Ndërsa ata që vijnë nga Pakistani, Bangladeshi, Sri Lanka, Sudani dhe Kongo shihen si emigrantë ekonomikë e nuk lejohen të vazhdojnë udhëtimin, por edhe mbajtja e tyre në Serbi nuk shihet si plotësisht e rregullt ligjërisht.

Qendra e regjistrimit në Preshevë

Pas regjistrimit përfundimtar në qendrën e regjistrimit në Preshevë, refugjatët dërgohen në Sid, një qytet i vogël, afro 100 kilometra larg Beogradit, prej nga ata marrin trenin për në Kroaci. Për shkak të dimrit janë shtuar sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, sidomos tek fëmijët dhe më të moshuarit, por shumica refuzojnë të qëndrojnë, ata marrin disa ilaçe dhe vazhdojnë udhëtimin. “ Refugjatët përpiqen ta mënjanojnë qëndrimin në kampe dhe qëndrojnë aty vetëm pak orë ose një ditë. Atyre u ofrohet ushqim, pije të ngrohta, rroba të pastra dhe ndihmë mjekësore”, thotë Gordana Vukasin për deutsche Wellen nga Qendra Për Mbrojtjen e Azilit. Qëndrimi në kampe varet edhe se sa janë të mbushur trenat. Autoritetet kroate lejojnë vetëm trena të mbushur deri në 800 vetë dhe me dokumente të rregullta.

Serbien Flüchtlinge in Presovo Bilder von Kindern
Vizatimet e fëmijëve në qendrën e PreshevësFotografi: DW/L. Tomic

Qëndrimi i fundit në BE

Një qendër refugjatësh e vendosur në një motel të vjetër në fshatin Adasevci është kthyer në një pushim të detyruar përgjatë itinerarit ballkanik. Restoranti i motelit tani është kthyer në një qendër recepcioni, ku refugjatët marrin një gotë çaj, një supë, rroba, këpucë, ngarkojnë bateritë e telefonit dhe mund të përdorin internetin gratis. Në një kënd ndodhet edhe një hapësirë për nënat me fëmijë të vegjël që mund të ndërrojnë bebelinot ose të prehen pak orë në privatësi. Impresionet e fëmijëve shihen të vizatuara në letra varur në mure. Në një vështrim të dytë e kupton se këto vizatime plot ngjyra zbulojnë tmerrin e luftës dhe vështirësitë gjatë udhëtimit.

Të dielën e kaluar (17.01) kampi ishte gati bosh, vetëm një ditë më parë erdhën 11 autobusë në Adasavc. Por moti i ftohtë dhe bora që ka mbuluar Serbinë e ndaluan përkohësisht fluksin e refugjatëve. Me pamje të lodhur vullnetarë nga Bullgaria, Kroacia, Gjermania, Singapori dhe Serbia e pinë kafenë me ngadalë në një çadër. Mes tyre edhe Ali Salem, një sirian i ri që erdhi të studiojë në Serbi pak muaj para fillimit të luftës. “Aplikova për një bursë dhe u pranova në Fakultetin e Shkencave të Inxhinierisë Elektrike. Atë kohë askush nuk priste se do të shpërthente lufta, sidomos në qytetin tim, Daraa. Mendoja se protestat që shpërthyen pasi u largova nga Siria nuk do të zgjasnin shumë. Tani nuk jam i sigurtë nëse do të përfundojë lufta”, thotë Salem që pas përfundimit të provimeve të semestrit dimëror vendosi të ndihmojë në qendrën e mbrojtjes së azilit bashkëatdhetarët e tij. Vëllezërit dhe motrat e tij po ashtu janë larguar nga Daraa dhe ndodhen në vendet fqinje të Sirisë. Pas përfundimit të studimeve ai dëshiron të vijë në Gjermani. “Serbia është vend i mrekullueshëm, por e pazhvilluar në drejtim të telekomunikacionit”.

Shpresa nuk vdes

Në orët e mbasdites mbërrin një grup migrantësh nga Presheva në Adasevci. “Kemi mbërritur në Kroaci?”, pyet menjëherë një burrë me një xhaketë të bardhë. Përgjigjen “jo” ai e pret me një buzëqeshje, por zhgënjimi i shihet në fytyrë. “Kam ardhur nga Alepo, një vit e gjysmë kam që kursej paratë në një kamp në Liban për udhëtimin në Europë. Megjithëse kam mbaruar kolegjin dhe kam punuar 16 orë në ditë punë të rënda, për 200 dollarë në muaj”, rrëfen Omari për Deutsche Wellen.

Serbien Flüchtlinge kommen in Adasevci an Omar aus Aleppo
Omari vjen nga AlepoFotografi: DW/L. Tomic

Odiseja e tij nga Libani vazhdoi në Izmir, ku për 750 dollarë ai gjeti një vend në një varkë për të ardhur në Greqi. “ Varka ishte plot, uji i ftohtë na hidhej në fytyrë nga të gjitha anët. E dija që do ishte e vështirë. Ishim një hap pranë qëllimit, të bërë qull, të dridhur nga të ftohtit, por të lumtur dhe gjallë.”

Në Athinë Omari mori një tren dhe pasi kaloi Maqedoninë, mbërriti në Serbi. Por këtu e pritën vështirësi të tjera. Nga kufiri deri në qendrën e refugjatëve në Preshevë ai eci me rroba të lagura, në baltë dhe errësirë. “Temperaturat zbritën deri në minus 10 gradë. Ndjehesha i sëmurë, por nuk kisha kohë të kërkoja ndihmë mjekësore. Sapo mbërrita e u regjistrova mori autobusin e parë për në Kroaci. Nuk e di ku jam tani, ndjehem i këputur, por nuk dorëzohem.” Dëshira e Omarit është të mbarojë studimet në Gjermani, të kursejë para dhe të ndihmojë prindërit dhe vëllain të dalin nga Alepo.