Dialogu – kusht esencial për përgatitjen e negociatave për statusin | FOKUS | DW | 22.06.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Dialogu – kusht esencial për përgatitjen e negociatave për statusin

Këshilli i Evropës thekson në një debat e rezolutë për Kosovën nevojën e garancive për mbrojtjen e minoriteteve

Këshilli i Evropës

Këshilli i Evropës

„Situata i del e keqe para syve komunitetit ndërkombëtar, që ndezi një luftë, për të parandaluar përndjekjen, por që bën pak për të stabilizuar paqen. Bilanci i UNMIK-ut është i dobët, nëse ne nuk ndryshojmë qëndrimin tonë, situata do të keqësohet.“

Me këto fjalë vetëkritike për bashkësinë ndërkombëtare, por kritike edhe për gjendjen në Kosovë, ish-presidenti i Asamblesë Parlamentare të KE, Russell Johnston u përpoq t’i nxiste kolegët e tij për veprim. Parlamentarët e Strasburgut u përgjigjën me një rezolutë, ku u ofrojnë palëve politike rreth Kosovës mbështetje për dialogun politik dhe edukimin demokratik. Ata shprehin keqardhjen për paaftësinë e palëve të prekura, për të zhvilluar një dialog të vërtetë për statusin e Kosovës. Për Kosovën duhet të vlejnë ato standarde demokratike evropiane, si edhe për „demokracitë e reja“ të tjera të Evropës, vecanërisht përsa u përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve.

Europarlamentarët e hodhën vështrimin pas, në gjashtë vitet që kur Kosova administrohet nga Kombet e Bashkuara: cështja e pasqaruar e statusit ka projektuar pasiguri për të gjithë rajonin. Ajo ka penguar edhe serbët e zhvendosur të Kosovës të marrin një vendim përfundimtar për kthimin e tyre. Por kthimin nuk e pengoi vetëm statusi i pazgjidhur.

Që në dy rezolutat e fundit për Kosovën, vitin e kaluar dhe këtë vit Këshilli i Evropës kishte konstatuar se një Kosovë e sigurtë për të gjithë banorët e saj ende mbetet aspiratë. Edhe në rezolutën e së martës shprehet kjo dëshirë: standartet e KE për demokracinë, rendin, mbrojtjen e minoriteteve, tolerancën dhe multikulturalizmin duhet t’i shijojnë të gjithë qytetarët e Kosovës. Ato duhet të mbrohen nga institucionet. Raportuesja për Kosovën e KE, eurodeputetja socialiste Marianne Fritz u shpreh për të ardhmen e Kosovës:“Cështja si do të veprohet më tej me Kosovën është e lidhur me kushte. Ekziston një mendim i përbashkët se kërkesa më e rëndësishme, mbrojtja e minoriteteve duhet të garantohet, për të krijuar parakushte për negociata për statusin”, tha ajo

Hapa të rëndësishme në drejtimin e duhur janë në rrugë e sipër, këtë e tregon përparimi në zbatimin e standarteve të Kosovës, sic u konfirmua edhe nga kryeadministratori i Kosovës në maj në KS të OKB. Por garantimi i një klime besimi për të gjitha minoritetet mbetet një synim afatgjatë.

Asambleja paralajmëroi për një situatë të brishtë të sigurisë në Kosovë, që ushqehet nga incidente të vogla ndaj minoriteteve. Kjo ndonëse nuk shpërtheu dhuna sic pritej pas aktakuzës në Hagë kundër R.Haradinajt.

Dialogu është i rëndësishëm, si për bisedimet për statusin, ashtu edhe për zbatimin e reformave. Por sic tha Russell Johnson:

“Ai duhet të jetë një dialog me fund të hapur, ku serbët duhet të diskutojnë për pavarësi, e shqiptarët për më pak se pavarësi e më shumë se autonomi. E të dy duhet të njohin të drejtat e romëve që jetojnë në gjendje të mjerueshme.”

Ka rëndësi esenciale që si qeveria e Serbisë e Malit të Zi e serbët e Kosovës nga njëra anë, ashtu edhe institucionet provizore dhe shqiptarët nga ana tjetër të përgatiten për dialog të vërtetë, u tha në Strasburg. KE ofron kapacitetet e tij për të vepruar si ndërmjetës e qetësues në këtë dialog.

Vendimi i serbëve të Kosovës për të marrë pjesë në grupet e punës për decentralizimin e përshëndet nga europarlamentarët. Por ata kërkuan pjesëmarrje më të plotë të tyre në jetën politike në Kosovë. Nga shqiptarët ata presin mbështetje konstruktive të Forumit Politik të sapoformuar dhe të heqin dorë nga akuzat reciproke pë korrupsion, që e rëndojnë më tej situatën aktuale.

Këshillit të ministrave të KE ata i kërkuan organizimin e një konference donatorësh për personat e zhvendosur. Një i ngarkuar i posacëm i KE për cështjet e romëve u caktua me kryerjen e një misioni faktmbledhës në Kosovë. Raporti i tij do të ndikojë edhe në përgjigjen ndaj disa shteteve anëtare të KE, që i kthejnë romët në Kosovë, ende pa u stabilizuar situata.

  • Data 22.06.2005
  • Autor Auron DODI / Strasburg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqkM
  • Data 22.06.2005
  • Autor Auron DODI / Strasburg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqkM