1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu kristiano-mysliman theksi i vizitës së Papës në Jordani

10 Maj 2009

Benedikti vizitoi për herë të dytë një xhami. Në një vizitë më parë në kishën përkujtimore të Mesias në Malin Nebo, ai bëri thirrje për forcimin e përpjekjeve për dialog midis hebrejve dhe kristianëve.

https://p.dw.com/p/HnFX
Papa Benedikt i XVI duke shkuar në meshën në stadiumin e Amanit / Jordani, e dielë më 10 maj 2009Fotografi: AP

Papa Benedikti i XVI në ditën e tretë të vizitës së tij në Lindjen e Mesme mbajti një meshë të madhe në stadiumin e sportit në kryeqytetin e Jordanisë, Aman. Në meshë morën pjesë dhjetëra mijëra katolikë nga Jordania dhe nga vendet arabe fqinjë. Papa i bëri thirrje pakicës së krishterë në rajon të ketë guxim për dialogun me fetë e tjera.


Të shtunën (09.05) gjatë një takimi me përfaqësues të fesë islame Aman, Papa vuri theksin tek dialogu kristiano - mysliman. Benedikti i XVI shkoi në Xhaminë e Husein bin Talalit me limuzinë të zezë dhe jo me automobilin e tij papnor. 70 mijë katolikët e Jordanisë nuk lanë lëvizje të Papës pa e përshëndetur nga masa. Vizitën e dytë si Papë në një shtëpi myslimane të Zotit, Benedikti e bëri me këpucët veshur, jo siç parashikohet në rregullat për myslimanët dhe për të ftuarit të tjerë.


Megjithatë kjo nuk shkaktoi skandal ndërfetar. Prinz Ghazi, farefis dhe këshilltar personal i Mbretit Abdullah të Jordanisë, priti mikun duke e përshëndetur në gjuhën angleze, jo në atë arabe. Në xhaminë më të madhe dhe më të rëndësishme të Jordanisë, me katër minaretë e saj, ai ia kurseu Papës të kërkuarit falje. Shumë myslimanë, jo vetëm në Jordani, ndihen të fyer nga fjalimi i Benediktit në Regensburg, sepse panë në të prezantim të keq dhe jo human të Papës ndaj profetit Muhamet. Benedikti e ka quajtur këtë keqkuptim, megjithatë nuk ka kërkuar falje. Para përfaqësuesve të fesë, rektorëve dhe diplomatëve në xhaminë e Amanit, Princi Ghasi, e quajti këtë kapitull të mbyllur: "Unë duhet të falenderoj shkëlqesinë tuaj për keqardhjen që keni shprehur ndaj dhimbjes së myslimanëve për fjalimin e Regensburgut. Myslimanët dinë ta vlerësojnë shpjegimin, se thëniet nuk pasqyronin mendimin tuaj, por ishin citat nga një leksion akademik."


Papa nuk u përgjigj direkt për këtë çështje por pranoi problemet midis feve. "Mjerisht, tensionet dhe kontradiktat nuk mund të mohohen. Por, a nuk kanë qenë shpesh manipulimet ideologjike të feve, nganjëherë edhe për qëllime politike, katalizator për tensione e madje dhunë në shoqërinë tonë?"


Papa bën thirrje për unitet

Prince Ghazi bin Mohammed Papst Benedikt XVI Jordan
Princi Ghazi bin Mohammed, i dytimajtas, Papa Benedikt i XVI gjatë vizitës në xhaminë e mbretit Husein Bin Talal, Amman / Jordani e shtunë më 9 maj 2009Fotografi: AP

Benedikti i zgjodhi me kujdes fjalët e tij dhe u bëri thirrje myslimanëve dhe kristianëve që megjithë ekzistencën e shumë keqkuptimeve të jenë në unitet, për shkak të historisë së përbashkët. "Ju bëj thirrje kristianëve dhe myslimanëve të kërkojnë drejtësinë dhe sinqeritetin."


Duartrokitjet shpërthyen kur Papa përshëndeti Patriarkun e Bagdadit, Emmanuell Delly-n e tretë. Ai të kujton fatin e irakianëve, shumë prej të cilëve kanë gjetur strehë në Jordani. Të ndjekur për shkak të fesë, gjysma e 800 mijë irakianëve të krishterë janë larguar nga vendi, që prej rrëzimit të Sadam Huseinit. "U kërkoj sërish diplomatëve, komunitetit ndërkombëtar, udhëheqësve politikë dhe fetarë, që të bëjnë ç`është e mundur në mënyrë që ky komunitet i vjetër kristian të mund të jetojë të drejtën e vetë bazë, për një jetë paqësore mes banorëve të tjerë të vendit të tyre."

Në mëngjes Papa bëri një eksursion, me kuptimin e dyfishtë të fjalës. Në Malin Nebo, ku Mesia sipas Biblës pa vendin e premtuar, Benedikti foli për lidhje të pandashme midis kristianëve dhe hebrejve. Ai shpreson tek pajtimi dhe përpjekjet për paqe. Një aludim ky ndaj tensioneve midis Izraelit dhe Kishës Katolike për shkak të mohuesit të Holokaustit, Williamson, dhe gjendjes së palestinezëve për të cilët Vatikani kërkon shtet të tyre.


Në programin e kreut të Kishës Katolike është edhe një vizitë në vendin e shenjtë në lumin Jordan, ku sipas Biblës u pagëzua Jezusi. Të shtunën Papa vizitoi xhaminë e mbretit Hussein në Aman, ku theksoi të përbashkëtat mes feve. Të hënën Papa udhëton për në Izrael.

Autor: Ulrich Leithold / Aida Cama

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora