Dialog shumë i vështirë në Bruksel | Ballkani | DW | 24.06.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Dialog shumë i vështirë në Bruksel

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë filluan të ashtuquajturën faza finale e dialogut. Por takimi në Bruskel ishte shumë më i vështirë se sa që mendohej.

Presidentët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq nuk ishin tepër optimistë se në dialogun e ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini do të arrihet shpejtë dhe lehtë marrëveshja përfundimtare për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Presidenti i Kosovës tha madje se pas vete ka një „takim shumë më të vështirë se sa që ka menduar".

Thaçi edhe njëherë foli për një marrëveshje „win-win", ku të dyja palët do të përfitonin nga dialogu. Sipas tij, dialogu duhet të përfundojë me njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia, ndërsa pala serbe do të përfitonte perspektivën evropiane. Njëkohësisht serbët e Kosovës do të gëzonin të drejtat e tyre sipas standardeve më të larta ndërkombëtare. „Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të krijohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive", tha Thaçi në një intervistë për DW.

Presidenti tha se në këtë takim  palët kanë rënë dakord për vazhdimin dhe intensifikimin e takimeve, me synim që të arrihet një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e raporteve mes dy shteteve. „Por edhe nëse nuk arrijmë marrëveshje, palët duhet të jetojnë në paqe dhe siguri mes vete", theksoi Thaçi, i cili kështu për herë të parë qartë la të kuptohet se marrëveshja mund edhe të dështojë.

„Dështimi i dialogut nuk është në interesin e Kosovës apo të Serbisë, sepse kështu mbyllet rruga e integrimeve evropiane", tha presidenti i Kosovës, duke shtuar se „shpreson që me mbështetjen e SHBA dhe Bashkimit Evropian, marrëveshja megjithatë do të jetë e mundur".

Vuçiq u shmanget gazetarëve

Presidenti i Serbisë iu shmang gazetarëve të shumtë që u mblodhën në Bruksel për të përcjellë këto bisedime. Por për televizionin e Serbisë ai tha se „nuk është optimist për arritjen e marrëveshjes". Megjithatë ai përsëriti se pala serbe është e gatshme për vazhdimin e dialogut dhe shpreson arritjen e një marrëveshje kompromisi.

Për kompromis mes Kosovës dhe Serbisë foli edhe ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq. Ai tha se „kompromisi është i domosdoshëm, nëse synohet zgjidhja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë". Por Daçiq nuk deshi të saktësojë se çfarë do të thotë kompromis. Bisedimet në Bruksel ai i quajti shumë të vështira, sepse „pala shqiptare nuk do kompromis", duke shtuar se pozicionet janë ende shumë të largëta mes palëve.

„Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut, ndërsa pala kosovare insiston në qëndrimet e veta të ngurta, duke mos kuptuar se çështja e Kosovës nuk është zgjidhur”, tha Daçiq. Ai shtoi se politikanët e mëparshëm të Serbisë janë ata të cilët kanë krijuar këtë gjendje, ku Serbia nuk ka asgjë, por po lufton të fitojë diçka.

Bedzet Pacoli (Getty Images/AFP/A. Nimani)

Ministri i Jashtëm, Pacolli

„Dikush po gënjen"

Ministri i Jashtëm serb tha se ai dhe Serbia do të vazhdojnë përpjekjet që vendet që e kanë njohur Kosovën ta tërheqin këtë njohje. Ai tha se ka katër vende, të cilat e kanë tërhequr njohjen – Guinea Bisao, Surinami, Burundi dhe Liberia.  Pak pas Daçiqit, para gazetarëve doli ministri i Jashtëm i Kosovës Behxhet Pacolli, i cili tërësisht përgënjeshtroi pohimet e homologut të tij serb.

„Asnjë vend nuk e ka tërhequr njohjen e Kosovës. Në Guine ka shkuar ambasadori jonë në detyrë, në Burundi është larguar menjëherë nga posti, ministri i cili ka deklaruar tërheqjen ndërsa tërheqjen nuk e ka bërë as Liberia", tha Pacolli duke shtuar: „Dikush këtu po gënjen dhe po shpif". Pacolli dhe Daçiqi kanë pasur në Bruksel edhe takime të ndara por përbërja e bisedës nuk është bërë e ditur.

Nga zyra e shefes së diplomacisë evropiane Mogherini bëhet e ditur se palët janë takuar dhe se dialogu do të vazhdojë. Do të ketë takime në Bruksel, por edhe në rajon. Data e vazhdimit të dialogut nuk është saktësuar.