1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna në Libi ngre çmimet e naftës

22 Shkurt 2011

Megjithë deklaratat e udhëheqjes së Libisë për reforma, protestat e dhunshme dhe demonstratat në Tripoli dhe zona të tjera po shtohen. Po cilat mund të jenë ndikimet e trazirave në Libi për ekonominë?

https://p.dw.com/p/10LUU
Bengazi, LibiFotografi: AP

Ende nuk ka probleme me furnizimin me naftë, por rreziku ekziston dhe prandaj çmimet e naftës po rriten. Çmimi i naftës amerikane të llojit West Texas Intermediate (WTI) u rrit më 21.2. me 1,5 dollarë për fuçi dhe kushton 93 dollarë. Nafta evropiane e nxjerrë në Detin e Veriut, marka Brent, u rrit me 3 dollarë dhe kushton rreth 105 dollarë. Ndryshimi i çmimit prej 12 dollarësh pritet të rritet, thuhet në tregjet e naftës, sepse depozitat në Amerikë janë të mbushura, kurse Evropa gjendet në afërsi të rajonit të krizës në Afrikën Veriore.

"Tregjet e naftës po i ndjekin me vëmendje zhvillimet në Libi, sepse Libia prodhon 2% të naftës në botë, pra dy herë më shumë se Egjipti. Dhe së bashku me naftën që nxirret në Algjeri kemi të bëjmë me 5% të naftës në botë. Kjo është sasi e konsiderueshme dhe prandaj shohim që çmimi i naftës evropiane të markës Brent reagon ndaj trazirave me ngjitje." - thotë Dora Borbely, analiste për tregjet e naftës pranë Deka Bank.

Koncerni i naftës BP njoftoi se nuk parashikon të bëjë shpime të tjera provë për të gjetur naftë dhe gaz në perëndim të Libisë. Po ashtu edhe koncerni austriak i naftës dhe i gazit OMV po e redukton për shkak të trazirave numrin e të punësuarve të vet në Libi.

Unruhen in Libyen
Benghazi, Libi, nga trazirat më 21 shkurt 2011Fotografi: AP

Libia furnizuesi i tretë në radhë i naftës për Gjermaninë

Gjermania blen në Libi vetëm naftë. Rreth 99% e importeve gjermane të vitit 2009 nga Libia ishin naftë. Prodhimet e tjera të Libisë, grurë, ullinj, domate, kripë apo gëlqere nuk i interesojnë njeriu. Libia është furnizuesi i tretë në radhë i naftës për Gjermaninë.

Eksportet gjermane në Libi nuk kapin as gjysmën e vlerës së importeve. Sipas Friedrich Wagner, referent për Afrikën pranë Shoqatës Gjermane të Prodhimit të Makinerive: "Biznesi në Libi varet fort prej porosive shtetërore. Ekonomia e Libisë është ekonomi shtetërore dhe e varur prej vendimeve të qeverisë për të bërë investime."

Libia nuk mëton të marrë vendime të çuditshme, si ndalimi i vizave për evropianët para rreth dy vjetësh, kur në Gjenevë u arrestua dhe u mbajt për dy ditë në arrest djali i vogël i Gadafit, sqaron Wagner. Në rastin e regjimeve që ofrojnë struktura të besueshme vendimmarrjeje biznesi ecën, por firmat e mesme nuk kanë kapacitete që të merren me persona të tjerë, në rastet kur ka ndryshime dhe qeveria e re vë në poste njerëzit e saj.

Autor: Michael Braun / Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj