Dhuna në Lindjen e Afërt nuk shteron | Politika | DW | 18.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Dhuna në Lindjen e Afërt nuk shteron

Situata në Lindjen e Afërt mbetet e tensionuar edhe 7 ditë pas fillimit të bombardimeve. Ofensiva do të vazhdojë deri sa të jenë liruar ushtarët e marrë peng, deklaroi kryeministri izraelit Ehud Olmert

Sulme izraelite në Bejrut

Sulme izraelite në Bejrut

"Mendoj se është një gjë e shkëlqyer që Hisbollahu përfaqësohet në këtë qeveri. Kjo është një gjë e natyrshme. Ata janë pjesë e vendit dhe kanë të drejtë të përfaqësohen edhe në këtë qeveri". Kështu e arsyetoi kryeministri i ri libanez Fuad Siniora, më 19 korrik 2005 vendimin e tij, për të emëruar një nga përfaqësuesit e organizatës shiite radikale islamike Hisbollah, si një nga 24 ministrat e tij qeveritar. Deputeti Mohamed Fneish mori si ministër i energjitikës, përgjegjësinë për resortin e "burimeve elektrike dhe hidraulike", ndërkohë që Tarrad Hamadeh, një simpatizant i hapur i Hisbollahut, u emërua ministër i punës.

Bankieri dhe ish ministri i financave, Fuad Siniora kish marrë në fund të qershorit 2005 urdhër nga presidenti Emile Lahoud, që të krijonte qeverinë e re, pasi parardhësi Karami, kish dhënë dorëheqjen për shkak të vrasjes së ish-kryeministrit Rafik Hariri më 14 shkurt 2005. Sipas traditës në Liban, kryeministri i ri është sunit, por ndryshe nga qeveritë e mëparshme, ai drejton një kabinet qeveritar që nuk përfaqësohet vetëm nga anëtarë të familjeve dhe klaneve më të rëndësishme në vend, por nga teknokratë, si vetë ai.

Krijimi i qeverisë së re nuk ishte një detyrë e lehtë. Që përpara vrasjes së Haririt, kampet politike në Liban ishin polarizuar më shumë se në të kaluarën. Në qendër të kritikave qëndronte presidenti i krishterë, Emile Lahoud, i cili konsiderohej si marionetë e Sirisë: Madje Damasku zyrtar ndryshoi asokohe kushtetutën, për ta zgjatur periudhën legjislative të Lahoudit si president i vendit.

Rafik Hariri ishte një ndër kritikuesit më të zjarrtë të këtij akti, dhe sigurisht që ky fakt ka luajtur një rol të rëndësishëm për vrasjen e tij. Sidoqoftë shumë njerëz mendojnë se Damasku fshihet pas këtij atentati, ndonëse kjo gjë nuk është dëshmuar deri më sot. Si pasojë masat u solidarizuan kundër Sirisë, e cila u detyrua që ta ndërpriste prezencën e saj shumëvjeçare në Liban. Lahoud mbeti president i vendit deri në ditën e sotme.

Dhe Lahoudi mund t´ja vështirësojë pa probleme jetën kryeministrit: Presidenti duhet të pranojë hartime ligjesh dhe vendime të tjera të rëndësishme. Kështu ai mund ta ngadalësojë e madje bllokojë punën e qeverisë.

Ky ishte shkaku kryesor për mosemërimin e Saad Haririt, djalit të Rafik Haririt, si kryeministër të ri të vendit. Faoud Siniora e morri këtë post. Ai kish qënë mik i ngushtë i Haririt, por jo kaq i lidhur me "lëvizjen e ardhmërisë" të Saad Haririt. Përveç kësaj, Siniora vlerësohej në rradhë të parë si ekspert ekonomie. Pra diçka shumë e domosdoshme për Libanin. Nga 128 deputetë, 126 votuan për Sinioran. Mesa duket, ata shpresonin se kryeministri i ri do ta vazhdonte politikën e sukseshme reformatore të Haririt, të cilën Siniora e kish pranuar që kur ishte ministër i financave në qeverinë e Haririt.

Por shumica e votave ishte rezultati i premtimit të Sinioras, se do t´i kishte parasysh të gjitha grupet politike në vend gjatë krijimit të kabinetit të tij qeveritar, që përbëhet nga 12 të krishterë dhe 12 myslimanë.

Hisbollahu jeton me imazhin që i ka vënë vetë vetes, se e ka dëbuar Izraelin përpara 6 vitesh nga Libani. Mbështetja e fuqishme që gëzon kjo organizatë nga Siria dhe Irani, e bën Hisbollahun një faktor të rëndësishëm në Liban, të cilin është më mirë ta bësh pjesë të qeverisë, sesa armik të saj.

  • Data 18.07.2006
  • Autor Peter Filip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqp9
  • Data 18.07.2006
  • Autor Peter Filip
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqp9