Dhuna kundër gruas nuk është çështje e kulturës nga vjen | Bota | DW | 25.11.2018
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dhuna kundër gruas nuk është çështje e kulturës nga vjen

25. Nëntori është Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas. Shumë gjermanë kujtojnë, se ky është një problem që prek vetëm vende të tjera. Por duhet të shohim njëherë para pragut tonë, kërkon Beate Hinrichs.

Jens Spahn e di mirë me sa duket: „Vrasje për nder. Martesë e detyruar". Kjo i bie ndërmend politikanit konservator për temën e migrimit, së fundmi në turin e prazantimeve si kandidat për kryetar të CDU-së. Dhuna në partneritet, dhuna e burrit kundër gruas vetëm një problem i migrantëv? Apo? Spahn duhej të kishte dëgjuar më mirë kolegen e tij në kabinetin qeveritar, Franziska Giffey. Ministrja e Familjes, e cila prezantoi së fundmi shifrat e dhunës shtëpiake duke i cilësuar ato si „shokuese".

Gati 140.000 viktima të dhunës ka regjistruar policia vitin e kaluar. 82% prej tyre janë gra, 147 syresh nuk e kanë mbijetuar dhunën. Mesatarisht çdo dy ditë e gjysmë një grua vdes nga dhuna e bashkëshortit, partnerit apo ish-partnerit. Shifra e errët është akoma më e lartë. Gati çdo e katërta grua përjeton dhunë të paktën njëherë në jetë, dhunë trupore ose dhunë seksuale nga partneri, në këtë konkluzion ka arritur një studim i Ministrisë së Familjes në Gjermani që në vitin 2004. Po ashtu edhe fakti tjetër, që dhuna në familje nuk është një problem i shtresës së ulët, ajo paraqitet në të gjitha shtresat e shoqërisë. Po, shifrat e fundit janë shikuese, por aspak të reja.

Dhunë patriarkale ka kudo

Strehimoret e grave janë të mbushura. Mijëra gra çdo vit nuk arrijnë të pranohen në to, sepse nuk mjaftojnë vendet, sepse nuk mjafton financimi. Republika Federale e Gjermanisë shkel rregullisht Konventën e Këshillit të Europës për luftimin e dhunës kundër gruas, të cilën e ka ratifikuar vetë. Po, e vërtetë në strehimore kërkojnë shpëtim mbi mesataren gra që kanë sfond migrimi. Pse? Sepse ndër të tjera ato kanë pak të ardhura dhe rrjete që mund t'i mbështesin.

Po, vërtet që gratë me sfond migrimi vuajnë më shpesh nga dhuna e partnerit, në vend të çdo të katërte grua, në këtë mjedis është gati çdo e treta. Edhe këtë e tregon një studim i Ministrisë së Familjes. A lidhet kjo me prejardhjen etnike, apo madje edhe me islamin? Kur një burrë nga Aacheni e përdhunon një grua është thjesht një maskara, ndërsa kur përdhunon një burrë nga Alepo ai e bën këtë është mysliman? Asgjë e këtillë.

Burrat shqelmojnë, grushtojnë, poshtërojnë, më shumë kur janë të papunë, kur paratë nuk mjaftojnë, kur apartamenti është shumë i vogël dhe perspektiva gri. E pikërisht janë emigrantët ata që jetojnë më shpesh në kushte të tilla. Kjo nuk i justifikon aspak autorët e krimeve, kurrë! Por shpjegon, se arsyet e sjelljeve të tilla nuk janë kulturore. Fakt është: Dhunë patriarkale ka kudo, dhe duhet kujtuar, se kur kemi të njëjtat kushte jetese, ajo paraqitet me të njëjtën shpeshtësi.

Beate Hinrichs Kommentarbild App

Beate Hinrichs

"Vrasje për nder" kundër "dramës familjare"

Po „vrasjet për nder"? Janë sigurisht krime të rënda. Por ekstremisht të rralla, si e tregon edhe një studim i Institutit Max Planck. Në këtë studim regjistrohen 12 të tilla në vit, pra vrasje që kryhen për shkak të „lëndimit të nderit", apo nga hakmarrja e xhelozia, nga rreth 700 delikte vrasjeje në vit në Gjermani.

Këto janë fakte që mediat tona i injorojnë: Sepse kur një turk vret gruan e tij, kryetitulli quhet „vrasje për nder", ndërsa kur vrasësi është gjerman (edhe nëse ndodh), atëherë kryetitulli është „dramë familjare". Në vend që të dyja të përcaktohen ashtu si janë - dhunë familjare, dhunë e burrave kundër grave. Por jo, se kështu është më e rehatshme, që „vrasësit" të gjenden tek „të tjerët", që nuk bëjnë pjesë „tek ne", në vend që të pranojmë edhe ne vetë, se njeri i dhunshëm mund të jetë edhe fqinji ynë i mirë gjerman, „edhe njëri prej nesh". Dhe se ne jemi shumë mbrapa në aspektin e mbrojtjes nga dhuna. Prandaj edhe Dita Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj Gruas do na duhet për një kohë të gjatë.

Reklamë