Dhunë shqetësuese në Francë | FOKUS | DW | 04.11.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Dhunë shqetësuese në Francë

Vala e dhunës në Paris të Francës nuk ka fund. Në shumë pjesë të qytetit edhe ditën e shtatë ka pasur përleshje të shumta mes të rinjve dhe forcave policore

Flaka e protestave

Flaka e protestave

Gjendje eksplozive në rrethinat e Parisit

Me dhjetëra protestues kanë hedhur gurë në drejtim të policisë dhe kanë shkretuar qendra të shumta tregtare. Shkas për këto përleshje ishte vdekja para një jave e dy të rinjve në një pjesë problematike të qytetit. Presidenti i Francës, Zhak Shirak, të mërkurën u ka bërë thirrje francezëve për pendim. Ndërkohë që kryeministri, Dominik de Vilpen ka paralajmëruar një program urgjent për të rinjtë.

Fakti që gjendja në Francë duket eksplozive, nuk duhet të befasojë askënd. Për këtë ka pasur shenja të shumta edhe vitet e kaluara. Kriza e cila shkallëzoi me luftë guerile mes të rinjve dhe policisë, dhe e cila po përhap frikë dhe tmerr në popullatën e Parisit, ka dhe shkaqet e saja. Këto shkaqe janë aq të shumta sa që vdekja e dy të rinjve para një jave, po përcillet me skena të ngjashme të një lufte qytetare.

Shkaqet e krizës

Shkaqet e krizës duhen kërkuar në radhë të parë tek gjendja e rëndë ekonomike dhe papunësia e madhe. Është e vërtetë që ekonomia franceze ka shënuar vitet e fundit një rritje më të lartë se ajo gjermane. Mirëpo, kjo nuk ka ndikuar aspak në uljen e numrit të madh të të rinjve të papunë, në veçanti tek migrantët. Papunësia permanente e lartë paraqitet si një prej të këqijave më të mëdha, e cila çon edhe drejt radikalizimit, gatishmërisë për akte të dhunshme, krijimit të bandave, shtimit të numrit të rrugaçëve dhe përhapjes së drogës. Dhe kjo jo vetëm në rajonet e godinave të larta në rrethinat e qyteteve si dhe të kryeqytetit.
Shkaku tjetër është rritja e racizmit. Kjo shihet jo vetëm nga rritja e popullaritetit të Frontit nacional ekstremist të Zhan Mari Le Penit. Racizmi i përditëshëm ka bërë që të huajt t'a ndjejnë veten si qytetarë të dorës të dytë. Konkurrentët për një vend pune me lëkurë të zezë ose ndonjë akcent arab, nuk kanë pothuajse asnjë shans për punësim. E nëqoftëse dikush e ka prejardhjen nga ndonjë lagje e ndjeshme e rrethinës së Parisit, shanset për një ngritje sociale dhe perspektivë profesionale janë gati të barabarta me zero.
Kështu edhe gjenerata e tretë e të huajve e njeh vetëm një realitet me papunësi, dhjetëra vjet varfërie dhe dallime sociale. Vetëm qeveria e Lionel Zhospenit, e cili ishte në pushtet prej vitit 1997 - 2002, zhvilloi një koncept për zgjidhjen e këtij problemi. Ai ka bërë disa përpjekje, ndërkohë që të gjithë politikanët e tjerë kanë futur kokën në zall dhe kanë injoruar kërkesat e shumta për çrrënjosjen e këtij getoizimi. Zhak Shirak është bërë president në vitin 1995, me premtimin se do të zvogëlojë humnerën e dallimeve sociale. Mirëpo nga kjo kohë, humnera është bërë gjithnjë e më e thellë.

Jo premtime verbale, por koncepte kundër getoizimit

Tani flaka ka shpërthyer nga të gjitha anët. Të rinjtë i shohin të gjithë të uniformuarit, madje edhe zjarrëfikësit, si përfaqësues të një shteti i cili i ka lënë në vetmi. Në këtë situatë, ministri i policisë, Nikolas Sarkozi përgjigjet me parulla populliste. Sarkozi i cili edhe vet është i biri i një migranti, do që në vitin 2007 të bëhet president. Ai kërkon aksione të fuqishme kundër udhëheqësve të shoqatave të këtyre të rinjve. Banorët e pjesëve të varfëra për Sarkozin janë vetëm mbeturina njerëzore, të cilat duhet spastruar sa më parë.
Është e mundur që këto qëndrime i pëlqejnë një pjese të francezëve. Mirëpo problemet e getove nuk mund të zgjidhen me dorë të hekurt. Zgjidhja mund të bëhet vetëm me koncepte, respekt të ndërsjellë dhe më shumë se premtimet verbale. Duket se këtë e ka kuptuar edhe presidenti i dobësuar shumë politikisht. Do të bënte mirë sikur këto t'ia rikujtonte edhe kandidatit për presidnet Sarkozi. Jo për të ruajtur postin e tij të presidentit, por për faktin se Franca nuk duhet të bie në duart e populistëve radikalë.

  • Data 04.11.2005
  • Autor Barbara Schulte
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqhw
  • Data 04.11.2005
  • Autor Barbara Schulte
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqhw