1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Departamenti Amerikan i Shtetit - në Shqipëri respektohen liritë fetare

Ani Ruci / Tiranë21 Shtator 2008

Bashkëjetesa fetare, e drejta për të besuar në fenë që secili dëshiron mbetet një model që Shqipëria i ofron Europës dhe rajoneve të tjera të botës ku ka konflikte me baze fetare.

https://p.dw.com/p/FMCP
Ambasada amerikane, Tiranë
Ambasada amerikane, TiranëFotografi: DW / Aida Cama

Këtë realitet të lavdërueshëm, të shoqëruar gjithsesi edhe me probleme të pazgjidhura të komunitetreve fetare pasqyron raporti vjetor i Departamentit Amerrikan të Shtetit, (DASH) , lidhur me liritë fetare në Shqipëri.

Janë respektuar liritë fetare

Në raportin e sapopublikuar në Tiranë analizohet situata gjatë vitit 2008. "Në përgjithësi, vë në dukje DASH, gjatë këtij viti janë respektuar liritë fetare. Ligjet dhe politikat e Shqipërisë kontribuojnë për ushtrimin e lirisë fetare në vend. Qeveria ka respektuar liritë fetare në praktikë dhe nuk konstatohet asnjë rast abuzimi ose diskriminimi për shkak të besimit dhe ushtrimit të një besimi".

Megjithë këtë panoramë pozitive raporti nxjerr në pah edhe probleme të mprehta për katër komunitetet kryesore fetare në Shqipëri, atij mysliman, bektashian, ortodoks dhe katolik. "Qeveria e Tiranës," zbulon raport, "nuk kërkon regjistrimin apo liçensimin e grupeve fetare, por Komiteti Shtetëror i Kulteve në Tiranë ka statistika për organizatat fetare që trokasin në dyert e tij, për të kërkuar mbështetje.

Komunitetet fetare paguajë taksa

Të gjitha grupet fetare mbajnë llogaritë e tyre bankare dhe kanë pasuri të paluajtshme, grupeve fetare u kërkohet status zyrtar duke u regjistruar në gjykatën e Tiranës si organizatë jofitimprurëse. Të gjitha komuinitetet fetare kritikojnë qeverinë për mungesën e gatishmërisë së saj për t`i përjashtuar nga taksat", vë ne dukje raporti i DASH.

Misionarët e huaj fetarë gjatë vitit 2008 kanë ngritur shqetësimin për lejet afatshkutra deri në një vit të qëndrimit të tyre në Shqipëri dhe detyrimit për ta rinovuar atë çdo vit në rast qëndrimi për një kohë të gjatë. Ndërkohë për shtetasit e tjerë të huaj që qëndrojnë për më shumë se dy vjet autoritetete Tiranës u japin leje qëndrimi 5 vjeçare.

Kushtetuta garanton karakterin laik të arsimit

Raporti përmend edhe përpjekjet e një organizate fetare protestante për tu njohur nga qeveria, gjë e cila deri tani nuk ka ndodhur. Raporti i DASH vë në dukje se megithëse kushtetuta në vend garanton karakterin laik të arsimit, në të gjithë Shqipërinë numërohen të paktën 101 institucione edukimi arsimore në bazë fetare, nga të cilat vetëm 15 prej tyre janë zyrtare.

Në raportin e DASH për situatën e lirive fetare ne Shqipëri përmendet rasti ni dy studentëve të përjashtuar nga shkolla për shkak të veshjeve fetare, ndërkohë që vetëm në shkollën nëntëvjeçare është vendosur veshja standarte apo uniforma e shkollës.

Një vëmendje të posaçme raporti në fjalë i kushton situatës së kthimit të pronave komuniteteve fetare. "Qeveria e Tiranës, konstaton raporti, deklaron se po vlerëson kërkesat e komuniteteve për rikthimin e pronave, por ky ka mbetur ende një problem i pazgjidhur"