Demokraci e vërtetë - kjo është kërkesa që shtrojnë sot shumë njerëz në Iran | Bota | DW | 09.02.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Demokraci e vërtetë - kjo është kërkesa që shtrojnë sot shumë njerëz në Iran

Protestat kundër mullave, qe duan të ruajnë arritjet e revolucionit islamik 25 vjet më parë- më 11 shkurt 1979 shtohen sa me shume afrohen zgjedhjet

Masmediet shtetërore të Iranit, që ndodhen fort në duart e konservatorëve transmetojnë këto ditë me qejf këngë të vjetra luftarake: "Allahu dhe Irani, Zoti dhe Irani". Në këtë renditje. Kjo në një kohë kur revolucioni fillimisht nuk ishte vetëm islamik: jo kaq shumë për Zotin, se sa kundër Shahut dolën studentët nëpër rrugë. Kundër lluksit të perandorit, kundër shërbimit të tij mizor të fshehtë, i cili hidhte kufoma nëpër shkretëtirë, kundër ndikimit të huaj gjithësundues në këtë vend: fillimisht të britanikëve dhe pastaj të amerikanëve. Ata që marshonin ishin jo vetëm mullatë, por edhe marksistët. Por islamistët kishin dy favore përballë intelektualëve dhe komunistëve: xhamitë ofronin vende të mbrojtura për organizimin e kryengritjes dhe vec kësaj mullatë flisnin gjuhën e popullit të thjeshtë. Ishte një marshim triumfues përmes Teheranit ai që i përgatitën masat mullahut më të lartë, Ajatollah Khomeini. Ai ishte kthyer vetëm pak ditë më parë nga emigracioni, me një avion të "Air France"-s. Me anë të kasetave të futura kontrabandë, doktrina e tij qe përhapur që më parë tek miliona vetë: doktrina kundër sundimit të huaj të perëndimit dhe për shtetin e Zotit. Kjo doktrinë proklamohej me një gjuhë që kuptohej, sepse ajo përdorte figuracionin tradicional të besimit fetar të popullit. Mullatë në atë kohë nuk përbënin ndonjë shtresë të privilegjuar, por ata vinin nga shtresat e ulëta të popullit. Në këtë kuptim, revolucioni islamik ishte me të vërtetë një revolucion popullor. Por kjo nuk e pengoi udhëheqësin e revolucionit, që të mënjanonte shumë shpejt e në mënyrë shumë efektive nga rruga të gjithë ata, të cilët vërtet kishin luftuar kundër sundimit të shahut, por që nuk ishin për një shtet fetar. Shumë shpejt Komeini filloi të sajonte historinë, të ngrinte lart një unitet, i cili në atë formë nuk kishte ekszistuar kurrë: "Ne i falenderojmë të gjitha grupet e popullsisë, sepse fitorja jonë u bë e mundur vetëm në saj të unitetit të të gjitha grupeve: të unitetit të myslimanëve me minoritetet fetare, të unitetit të universiteteve me seminaret e tyre teologjike dhe unitetit të fetarëve me politikanët. Forcën dhe efektin e këtij fakti ne nuk duhet ta harrojmë kurrë dhe duhet të kemi gjithnjë kujdes për ta ruajtur unitetin tonë si çelës për fitore" Por në Iran pas revolucionit nuk erdhi qetësia: vetëm një vit më vonë, diktatori i Irakut, Sadam Husein e sulmoi Iranin dhe e përfshiu këtë vend në një luftë tetëvjecare. Dhe SHBA, të shokuara nga pushtimi i ambasadës së tyre në Teheran- vendosën shpejt një embargo. Ndersa mullatë e ardhur në pushtet në Teheran, ndoshta kuptonin gjuhën e popullit, por nuk kuptonin gjuhën e teknikës dhe të ekonomisë: ata nuk ishin në gjendje të drejtonin fabrikat dhe nuk dinin si nxirret nafta. Në vend të kësaj, ata predikonin bërjen e më shumë fëmijëve, një arsye edhe që sot në tregun e punës dynden më shumë njerëz se sa mund të krijojë vende pune republika e administruar në mënyrë mizerable. Në këtë shtet fetar nuk ka rëndësi rendimenti në punë, por bindjet politike. Jo më të mirët, por më fetarët dalin në sipërfaqe. Prej kohësh mullatë krijojnë një kastë të privilegjuar edhe ekonomikisht, e cila është larguar nga populli njësoj si më pare Shahu. Studentët e Iranit nuk duan të bëjnë sot një revolucion të dytëm, por shumë duan t'i bojkotojnë zgjedhjet e 20 shkurtit: "Sistemi politik, që ndërtoi atëherë imami ynë Komeini, nuk është ai që i ofrojnë sot konservatorët rinisë. Po të kishin kuptuar njerëzit se ata atje do të përfaqësojnë sistemin- askush nuk do ta kishte dashur revolucionin"
  • Data 09.02.2004
  • Autor Jërg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArU5
  • Data 09.02.2004
  • Autor Jërg Pfuhl
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArU5
Reklamë