Demilitarizimi në Shqipëri drejt përfundimit | Ballkani | DW | 11.10.2011
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Demilitarizimi në Shqipëri drejt përfundimit

Shqipëria pritet të përfundojë pas dy vitesh procesin e demilitarizimit duke shkatërruar sasinë e fundit prej 45 mijë tonësh të stokut gjigand sovjeto- kinez të municioneve luftarake, të trashëguar nga koha e diktaturës.

Mbetje armësh nga fabrika e demontimit në Gërdec, pas shpërthimit.

Mbetje armësh nga fabrika e demontimit në Gërdec, pas shpërthimit.

Shifrat tani nuk janë më sekret: Shqipëria trashëgoi nga regjimi komunist rreth 200 mijë ton municione sovjeto-kineze ndërkohë që prodhoi edhe vetë armatime. Ky arsenal kolosal e shndërroi Shqipërinë në një nga vendet me të militarizuara dhe të armatosura deri në dhëmbë në Europë. Synimi ishte mbrojtja nga armiq imagjinarë që sajonte paranoja e diktaturës. Ndonëse ky arsenal nuk u përdor kurrë, pas rënies së regjimit komunist, ai u kthye në një rrezik të mundshëm për popullatën. Qëndrimi në depo i municioneve, që për më shumë se gjysëm shekulli nuk u përdorën kurrë, ulja e parametrave të sigurisë së ruajtjes së tyre, hapja e depove në trazirat e pranverës 1997 e ktheu asgjësimin e tyre në një prioritet të Shqipërisë dhe një nga kushtet bazë për t'u anëtarësuar në NATO.

Procesi filloi në vitin 1999. Në karkun kohor të 12 viteve u asgjësuan 155 mijë ton municione të tepërta. Ekrem Spahia, Zëvendësministër i Mbrojtjes dhe drejtues i procesit nga ana e qeverisë së Tiranës, thotë për programin shqip të Deutsche Welle-s, se procesi i demilitarizimit u intensifikua sidomos dy vjet më parë, kur Shqipëria u bë vend anëtar i NATO-s.

Ekrem Spahia, Zëvendësministër i Mbrojtjes në Shqipëri.

Ekrem Spahia, Zëvendësministër i Mbrojtjes në Shqipëri.

“Në vitin 2009, në pranverën e të cilit Shqipëria u pranua në NATO, sasia e municioneve ka qënë 188.000 tonë.Tani kanë mbetur vetëm 45.000 tonë. Njëkohësisht kemi larguar të gjitha depot e municioneve, që kanë qënë afër qëndrave të banuara” - shpjegon Z. Spahia.

Mënyrat e demilitarizimit të Shqipërisë

Asgjësimi i stokut të municioneve sovjeto-kineze dhe armëve, që vetë Shqipëria prodhoi në uzinat ushatarake gjatë viteve të regjimit komunist bëhet në disa mënyra.

“Prioritet kanë eksportet e armëve, pastaj demontimi në rrugë industriale dhe së fundi shpërthimi në poligone, vetëm i atyre, që nuk arrihen të shkatërrohen në rrugë industriale. Janë katër linja të shkatërrimt industrial me makineri moderne në uzinat e Ministrisë së Mbrojtjes në Poliçan, Gramsh dhe Elbasant” thotë Zv. Ministri i Mbrojtjes, Z. Spahia.

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, Shqipëria vitin e kaluar rriti eksportet me 72 përqind më shumë se viti 2009 duke shitur 1500 ton armatime. Eksporti bëhet me vendet e Europës, të cilat municionet nga Shqipëria mund t'i shesin në tregje të tjera ose mund t'i demontojnë vetë për të marrë metalet, plumbin dhe bronzin.

Deri në 2013 përfundon procesi i asgjësimit të gjithë municioneve të tepërta

Ecuria e deritanishme e procesit duket se garanton mbajtjen e angazhimit të Shqipërisë ndaj NATO-s për ta përfunduar atë pas dy vitesh.

“Me shkatërrimin e 45 mijë ton municioneve të fundit, deri në vitin 2013, Shqipëria do të çlirohet nga stoku i trashëguar nga diktatura komuniste. Forcat e saj të Armatosura do të jenë kenë armatimin e duhur në shërbim të misioneve që ka një vend anëtar i NATO-s. Shqipëria do të bëhet kështu vendi i parë nga ish vendet komuniste të Europës që përfundon pas dy vitesh demilitarizimin” - thotë Zv. Ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia.

Pjesa më e madhe nga kjo sasi e fundit prej 45.000 tonësh të municioneve stok do të shkojë për eksport, ndërsa ajo që mbetet do të shkatërrohet në vend. Të ardhurat nga shitja e skrapit përdoren përsëri për të financuar përfundimin e demilitarizimit, thotë, z. Spahia.

Proces i mbështetur nga Gjermania.

Në procesin e vështirë dhe të rrezikshëm të shkatërrimit të municioneve Shqipëria nuk ka qënë vetëm por e mbështetur nga vendet partnere të NATO –s, të cilat kanë sjellë pajisjet dhe makineritë e duhura, kanë trajnuar personelin ushtarak vendas dhe kanë financuar realizimin e procesit të demontimit. Demilitarizimi i Shqipërisë konsiderohet nga Aleanca Alantike një domosdoshmëri për të mos rrezikuar jetën e popullatës, për të shmangur mundësinë e përdorimit të municioneve nga krimi i organizuar dhe grupet terroriste. Gjermania si anëtar i NATO-s dhe partner i Shqipëqërisë ka dhënë një kontribut të veçantë në këtë proces.

“Qeveria gjermane ka qënë një kontribuese aktive. Ajo ka financuar dhe ka ngritur një linjë demontimi dhe ka shprehur interes që të kontribojë edhe për sasinë e fundit që ka mbetur prej 45.000 tonësh” - thotë Zv. Ministri i mbrojtjes, Ekrem Spahia.

Procesi i demontimit të municioneve në rrugë industriale apo i detonimit të tyre në poligone bëhet në kushte të sigurisë së lartë teknike për të shmangur incidentet. Kjo vëmendje e madhe erdhi pas incidentit të rëndë në Gërdec, në vitin 2008, kur nga shpërthim atje i fabrikës së demontimit të municioneve stok humbën jetën 26 persona dhe pati dëme të mëdha materiale dhe mjedisore.

Autore: Ani Ruci / Tiranë

Redaktoi: E. Xhani