Deklarata e qeverisë gjermane mbi reformat sociale | Gjermania | DW | 25.03.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Deklarata e qeverisë gjermane mbi reformat sociale

As vizione, as bllokadë: qeveria dhe opozita në Gjermani përgjojnë njëra-tjetrën në rrugën e reformave

Kancelari gjerman Shrëder

Kancelari gjerman Shrëder

Reforma e sistemit social në Gjermani ka filluar. Për shkak të shkurtimeve të shumta ajo nuk kontribuon aspak në popullaritetin e qeverisë gjermane. Rreth një vit pas prezantimit të planeve për reforma përpara parlamentit gjerman kancelari Gerhard Shrëder bëri sot një bilanc të parë. Ashtu siç pritej ai u kritikua nga opozita.

Kush ka vizione duhet t'i drejtohet mjekut ka thënë njëherë ish kancelari Helmut Shmit. Duket se kancelari gjerman Gerhard Shrëder i referohet pikërisht kësaj thënieje. Një vit ka kaluar qëkurse kryetari i qeverisë paraqiti përpara parlamentit Axhendën 2010, strategjinë e tij të reformave për sistemin social, shëndetësinë dhe tregun e punës. Tani Shrëder ka bërë bilancin e parë: rruga është e drejtë, zbatimi jo gjithmonë siç duhet, përcjellja tek qytetarët e dobët. Si konkluzion qeveria ka humbur shumë. Prandaj tani nuk ka më vend për vizione. Shröder këtë nuk e thotë shprehimisht por në fjalën e tij ndihej qartë. Kancelari e di sa e shkurtër është koha deri në zgjedhjet e ardhshme për të rifituar besimin e humbur dhe se sa pak ka ecur përpara ndryshimi i vërtetë strukturor.

Megjithatë, qëkurse ekziston Axhenda 2010 qeveria gjermane ka atë që i mungonte: një fill të kuq udhërrëfyes. Reformat e dhimbshme janë të domosdoshme edhe nëse janë jo popullore. Por fakti që qeveria ka humbur shumë në aprovimin e popullsisë nuk ka të bëjë vetëm me atë që kush sjell mesazhe të këqija bëhet i padëshëruar. Kjo ka të bëjë edhe me sakrificat e pabarabarta që kërkohen nga grupe të ndryshme të popullsisë. Dhe ka të bëjë edhe me gabime të rënda teknike si ristrukturimi i Zyrës Federale të Punës ose sistemi i mbledhjes së taksave për kamionet. Këto gabime përforcojnë pamjen e mungesës së orientimit të qeverisë.

Sot Shröder përcaktoi kornizën në të cilën do të realizohen reformat e tij: duhet të reagojmë ndaj globalizimit është motoja. Për një kohë të gjatë punët na kanë shkuar shumë mirë por nuk duam të sakrifikojmë të gjitha arritjet për një neoliberalizëm të verbër. Këtu kancelari bën një ndarje të qartë nga opozita idetë e së cilës për eliminim e mbrojtjes së të punësuarve nga pushimi nga puna janë përtej kësaj linje.

Po Angela Merkel? Tundimi për lideren e opozitës ishte i madh për të mos i lënë asnjë meritë qeverisë. Por Merkel fillimisht e lavdëroi Axhendën si hapin e parë përpara megjithëse për të ai nuk shkon aq larg sa duhet. Ajo sinjalizoi gadishmëri për bashkëpunim pasi shefja e kristian-demokratëve e di sa të vështira janë reformat në një vend që prej mëse 50 vjetësh ishte mësuar të ndante vetëm rezulatet e një rritjeje të vazhdueshme ekonomike. Sondazhet flasin aktualisht për Merkelin dhe ndoshta pjesë e llogarisë së saj është edhe kjo: sa më shumë ndryshime të dhimbshme të jenë përfunduar deri në vitin 2006 aq më mirë për të. Bashkëpunimi është në çdo rast më mirë se përplasja. Nga reforma e shëndetësisë mësohet një gjë:
ajo çfarë u vendos bashkarisht nga qeveria dhe opozita rëndon me efektet e saj negative mbi qeverinë. Kemi këtu parasysh futjen e pagesës prej 10 eurosh për vizitën tek mjeku. Sa më shumë gjëra të tilla të pakëndshme do të ndodhin gjatë qeverisjes kuq e gjelbër aq më mirë.

"Tani jeni në avantazh por prisni" ishte mesazhi i heshtur i kancelarit."Ka mundësi por ne mbetemi të kujdesshëm" ishte përgjigja e drejtueses së opozitës. E qartë është se askush nuk mund t'i shmanget më rrugës së reformës. Ky është për momentin lajmi më i mirë që vjen nga vendi në krizë me emrin Gjermani.

  • Data 25.03.2004
  • Autor Jens Thurau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar77
  • Data 25.03.2004
  • Autor Jens Thurau
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar77