Deklaratë me rrezik. Presidenti iranian kërkoi zhdukjen e Izraelit | FOKUS | DW | 28.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Deklaratë me rrezik. Presidenti iranian kërkoi zhdukjen e Izraelit

Presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad kërkon publikisht shkatërrimin e Izraelit. Për Iranin tanimë do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjejë mbështetje jashtë

Presidenti iranian, Ahmadinexhad

Presidenti iranian, Ahmadinexhad

Presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad ka kërkuar "zhdukjen e Izraelit nga harta e globit" dhe u ka bërë thirrje palestinezëve për shkatërrimin e shtetit izraelit me atentate. Në një konferencë në Teheran Ahmadinexhad e ka cilësuar konfliktin në Lindjen e Afërme si "betejë mes botës imperialiste dhe frontit të shenjtë të botës islame". Qeveritë perëndimore i kanë kritikuar me fjalë të ashpra deklaratat e presidentit iranian.

Presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad duket se e ka braktisur arsyeja pasi në një konferencë anti-izraelite në Teheran deklaroi domosdoshmërinë e zhdukjes së Izraelit nga harta e globit. Edhe udhëheqësi i revolucionit iranian Khomeini pati kërkuar të njëjtën gjë është shprehur Ahmadinexhad dhe për të një botë pa ShBA dhe Izraelin nuk është e pamundur. ShBA dhe Izraeli kanë reaguar ndaj këtyre deklaratave të presidentit iranian dhe janë shprehur se Irani në këtë mënyrë tregon fytyrën e tij të vërtetë prandaj më e vonta tani duhen marrë masa që Teherani të mos jetë më burim rreziku. Edhe në Europë shqetësimi ndaj kërcënimeve të Ahmadinexhad është shprehur qartë dhe deklaratat e tij janë cilësuar "krejtësisht të papranueshme" e deri "thellësisht shqetësuese dhe të ulëta". Por a është e lejuar habia ndaj një deklarate kaq të hapur anti-izraelite? Në të vërtetë jo pasi armiqësia e vendosur dhe refuzimi i Izraelit nga qeveria iraniane është qysh nga ditët e Komeinit pjesë përbërëse e politikës së Teheranit megjithëse deklarata kaq të hapura nga personalitete të larta kishte kohë që nuk dëgjoheshin. Por edhe nën qeverisjen e presidentit të mëparshëm Muhamad Katami ish ministri i jashtëm iranian Kharrazi pati theksuar mëse një herë se në sytë e tij Izraeli ishtë një shtet jo legjitim dhe për këtë arsye nuk duhej të kishte njohje ndërkombëtare për të.

Ahmadinexhad ka shkuar tani vetëm një hap më tej duke e kthyer situatën në ditët e fillimit të revolucionit iranian kur fanatizmi i skajshëm përcaktonte edhe politikën e jashtme. Eshtë në natyrën e fanatikëve të këtij lloji të flasin dhe veprojnë pa marrë parasysh pasojat që mund të bien mbi ata vetë. Ata besojnë se kanë të drejtë ashtu siç Irani konsideroi të drejtë paraqitjen në panairin e librit në Frankfurt të broshurave me përmbajtje antisemite.

Një ogur i keq ky për mandatin e presidentit të ri pasi Mahmud Ahmadinexhad nuk mund të kishte zgjedhur kohë më të papërshtatshme për provokimet e tij: Irani vazhdon të jetë nën trysninë e ShBA dhe të europianëve për të lëshuar pe në çështjen e energjisë bërthamore. Ai akuzohet për përgatitjen e armëve bërthamore dhe me vështirësi u krijua një grup personash të arsyeshëm të cilët kërkonin trajtimin korrekt të Iranit nga pikpamja ligjore: Teherani sipas tyre ka nënshkruar marrëveshjen për mospërhapjen e armëve bërthamore, ka siguruar se nuk ka interes në prodhimin e tyre dhe gëzon të drejtën legjitime për përdorimin paqësor të energjisë atomare.

Por egziston dyshimi se Teherani të gjitha këto nuk i merr shumë seriozisht dhe ky dyshim tani është përforcuar pasi një shtet që kërkon shkatërrimin e një shteti tjetër duhet parë me shumë mosbesim dhe trajtuar me shumë rezervë. Për Iranin do të bëhet gjithnjë e më e vështirë të gjejë mbështetje jashtë. Një sjellje e tillë mazokiste duket se është një rast për psikiatrin.

  • Data 28.10.2005
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqi5
  • Data 28.10.2005
  • Autor Peter Philipp
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqi5