Deimel: Mogherini jo mbështetje për bisedime të fshehta Thaçi-Vuçiq | Ballkani | DW | 16.04.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Deimel: Mogherini jo mbështetje për bisedime të fshehta Thaçi-Vuçiq

Takimi i 29 Prillit i Merkelit e presidentit Macron me presidentët Thaçi, Vuçiq e liderë të Ballkanit në Berlin shihet nga ekspertja Johanna Deimel si sinjal ndaj Uashingtonit e Brukselit:Jo ndryshime kufijsh në Ballkan.

Brüssel EU-Kommission | Hashim Thaci, Federica Mogherini & Aleksandar Vucic (Europäische Kommission)

Një nga takimet e mëparshme të së ngarkuarës së BE për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini me presidentin, Hashim Thaçi dhe atë serb, Aleksandar Vuçiq

Deutsche Welle: Më 29 prill takohen në Berlin presidenti Hashim Thaçi, ai serb, Aleksandar Vuçiq e liderë të Ballkanit me kancelaren Merkel e presidentin francez, Emmanuel Macron. Pse u thirr ky takim papritur?

Johanna Deimel: Gjermania bën pjesë tek ato vende të BE-së që janë shprehur qartë dhe kundër propozimit të Vuçiqit dhe Thaçit për ndryshime kufijsh. Zhvendosjet që lidhen me këtë përbëjnë një rrezik të madh sigurie politike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit. Me sa duket kritika e qartë dhe shqetësimi, që erdhi nga Berlini dhe personalitete të njohur ndërkombëtarë e ekspertë të Ballkanit ka dhënë efektin e vet.

A duhet të kemi pritshmëri të larta nga një takim në nivel të tillë, kemi dy krerë të rëndësishëm të BE, Merkel dhe Macron?

Gjermania dhe Franca, kanë ftuar në nivelin më të lartë në takimin informal në fund të prillit. Me këtë këto dy vende që pas luftërave katastrofike botërore i dhanë fund armiqësisë mes tyre me Marrëveshjen e Elysee-së në vitin 1963, tregojnë, se është i mundur normalizimi, se janë të mundshme marrëdhënie të mira fqinjësore pas luftërave të tmerrshme edhe për Kosovën e Serbinë. Në një të njëjtën kohë, tandemi gjermano-francez me këtë ftesë jep edhe një sinjal të qartë, se Europa, se BE qëndron gati, angazhohet, se do e duhet të jetë e ulur në tryezën e negociatave.

A është ky takim përgjigja e Berlinit dhe Parisit për çështjen aq të debatuar të ndryshimit të kufijve?

Me këtë takim kancelarja Merkel dhe presidenti Macron dërgojnë një sinjal të qartë në drejtim të Uashingtonit, e sidomos në drejtim të Brukselit, tek e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini. Ajo jo vetëm që i toleroi negociatat mes Thaçit dhe Vuçiqit, por edhe i nxiti. Për këtë ajo nuk e kishte as mandatin dhe as mbështetjen e të 28 anëtarëve të BE-së. Në tërësi dialogu, që zhvillohet në Bruksel prej vitesh ka hyrë në qorrsokak. As negociatat Vuçiq-Thaçi pas dyerve të mbyllura nuk e kanë çuar përpara vazhdimin e tij. Nëse tani nga Berlini jepet një impuls i ri, nëse nisen mesazhe të qarta në drejtim të Prishtinës, Beogradit dhe Tiranës, që vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës pa ndryshime kufijsh në bazë të kritereve etnike mund të jetë objektivi për të dyja vendet, për rajonin dhe për Europën, atëherë kemi arritur të fitojmë shumë.

Ideja e ndryshimit të kufijve ende debatohet, gjenden pas saj forca që e nxisin attë?

Sipas mendimit tim ideja ende ekziston, por ka humbur dinamikën në javët e fundit. Po, si në SHBA ashtu edhe BE ka forca që dalin qartë dhe fuqishëm në krah të Vuçiqit dhe Thaçit. Por kundër kësaj ka rezistencë, jo vetëm në Berlin, por edhe në vende të tjera të BE. Në Kosovë është krijuar një ekip negociator, që ka një platformë të mbështetur nga parlamenti si bazë negociimi. Se çfarë përfytyrimesh kanë Thaçi dhe Vuçiq nuk e dimë, sepse nuk ka asgjë të hapur mbi tryezë.

Për forcat mbështetëse të idesë së këmbimit të territoreve kështu do të arrihej marrëveshja...

Unë jam shumë e bindur, që një këmbim territoresh nuk do të sillte ndryshim të situatës së brishtë. Nuk ka "pastrime paqësore etnike", ky është një eufemizëm i patolerueshëm. Këmbimi i territoreve bie ndesh me vlerat bazë europiane, bie ndesh me bazamentin multietnik të rendit të pasluftës, pas luftërave në Jugosllavi dhe në Kosovë para 20 vitesh. Dialogu, ashtu siç u zhvillua në Bruksel ka nevojë për një hov të ri, një format të ri dhe një objektiv të qartë në fund, pra njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë dhe zhvillimin e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë.

Johanna Deimel (privat)

Ekspertja gjermane për Ballkanin, Johanna Deimel

Një probematikë tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj ende këmbëngul në doganat 100% për produktet serbe, megjithë kritikat ndërkombëtare. A shikoni se ka një plan pas këtij qëndrimi, ku do të dalë ai?

Është e drejtë që vendosja e doganave kundër produkteve serbe kritikohet ashpër si masë. Por ajo ka më shumë vlerë simbolike se sa karakter të vërtetë ekonomik dhe sipas mendimit tim nuk është arsyeja që dialogu i Brukselit ka ngrirë. Ai kishte ngecur që më parë dhe asnjë nga palët, as Beogradi dhe as Prishtina për momentin nuk kanë interes ta vazhdojnë dialogun në formën siç ishte më parë. Kësaj i shtohen faktorë të tjerë: E ngarkuara e BE-së, Federica Mogherini do të largohet shpejt nga posti, Vuçiqi ndeshet me presionin e rrugës, në Kosovë ka rivalitet mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit, Haradinaj. Thaçi me bisedimet pas dyerve të mbyllura me Vuçiqin është shumë i izoluar në Kosovë. Llogaria që bën Haradinaj është se me "qëndrimin e fortë" edhe në drejtim të doganave mund të qëndrojë në pushtet, sepse vërtet shumica e qytetarëve është kundër negociatave sekrete e një këmbimi territoresh.

20 vite më parë në Kosovë zhvillohej luftë, si do ta vlerësonit gjendjen në këtë vend sot?

Kosova ka bërë një rrugë të gjatë. Sot është një vend i pavarur, që ende lufton për njohje ndërkombëtare, dhe përmes ndikimit të Beogradit ka akoma një "konflikt të ngrirë" në veriun e vendit që ka shkaktuar shumë pengesa e bllokada ndërkombëtare e kombëtare. Por me kalimin e viteve kemi parë se qytetarët serbë në jug të Kosovës, të paktën në jug të Ibarit ngadalë, por e kanë fituar më shumë besim në institucionet politike. Kjo i dedikohet sigurisht Paketës Ahtisaari dhe kushtetutës së vitit 2008, që vendoste garanci e baza për bashkëjetesën etnike.

Por plagët e luftës janë ende të thella, ato presin edhe një punë konkrete të Gjykatës së Posaçme për krime lufte në Kosovë. Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një përballje të përbashkët të së shkuarës. Vërtet që rindërtimi pas luftës ka shënuar sukses, por aftësia jetike e shtetit ende ndikohet nga pesha e së shkuarës. Nuk mund të jetë kështu që ende në poste të qëndrojnë ish-luftëtarë të UÇK-së dhe që ende veprojnë  në bazë të logjikës së atëhershme të luftës.

E po të hedhim një vështrim në të ardhmen...

Në Kosovë nuk u bënë reforma të vërteta drejt një rendi shoqëror liberal e një shteti ligjor funksionues me zhvillim ekonomik. Ende kemi një sistem të përcaktuar nga korrupsioni, nepotizmi. Kjo e sëmur Kosovën sot. Shoh një rrezik për të ardhmen, sepse ndërkohë është rritur një gjeneratë e pasluftës që kupton, se i janë vjedhur shanset. Prandaj kemi nevojë për liberalizimin e vizave për të penguar një radikalizim të situatës politike dhe t'u japim të rinjve të ardhme.

 

 

Dr. Johanna Deimel është sot analiste e pavarur politike pas një përvoje të gjatë bashkëpunimi me vendet e Ballkanit si zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore.

 

Reklamë