Debat pas sulmeve raciste në Pocdam | Gjermania | DW | 24.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Debat pas sulmeve raciste në Pocdam

Ministri i brendshëm i landit të Brandenburgut, Jërg Shënbum, kritikon Prokuronin e Përgjithshëm Kai Nehm, për politizim të tepruar të ngjarjes.

Ermyas M., gjermano-etiopiani ndodhet në koma

Ermyas M., gjermano-etiopiani ndodhet në koma

Viktima e sulmeve raciste në Pocdam vazhdon të luftojë me vdekjen. Gjermani 37 vjeçar me pjeardhje nga Etipionia ndodhet në gjendje kome. Babai i dy fëmijëve jeton që prej 19 vjetësh në Gjermani. Të djelën e datës 16 dhjetor 37 vjeçari u sulmua nga dy burra për shkak të ngjyrës së lëkurës. Të dyshuarit janë kapur dhe ndodhen në arrest hetuesie. Ky rast ka hapur një debat politik.

"Nuk dimë, në se veprimi ka patur motive djathtiste radikale. Jemi në fillim të hetimeve. Të presim sqarimin, e pastaj të fillojmë vlerësimet. Shumë njerëz kanë filluar të bëjnë të kundërtën," - ankohet ministri kristiandemokrat i punëve të brendshme në landin e Brandenburgut, Jërg Shënbum.

"Një natë plot enigma, shkruan njëra nga gazetat kryesore të kryeqytetit "Berliner Zeitung". Si viktima ashtu edhe dorasit kishin qenë mjaft të dehur. Gazeta tjetër "Tagesspiegel" raporton, se të dy të dyshuarit nga Pocdami kanë pasur kontakte të mira me një klub këngëtarësh të muzikës rok. Prokurori i Përgjithshëm, Kai Nehm, e ka marrë vetë çështjen në dorë, pasi për shkak të sfondit djathtist, kjo vepër mund të vërë në rrezik sigurinë e brendshme të vendit. Ministri i landit të Brandenburgut ka qenë kundër kalimit të çështjes në rang federate. "Nehm është duke e politizuar rastin më shumë se ç‘duhet, duke i shkaktuar Brandenburgut dëm të panevojshëm," - ankohen politikanët në vend.

Politikanë socialdemokratë, të gjelbër dhe liberalë e marrin në mbrojtje vendimin e kryeprokurorit. "Ky është një sinjal i qartë politik në luftën kundër sulmeve ndaj të huajve, të cilat për fat të keq janë bërë pjesë e të përditshmes," - ka argumentuar një antar i kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Niels Annen.

Landi i Brandenburgut, që rrethon atë të Berlinit, është pjesë e ish-Gjermanisë Lindore, ku partitë djathtiste kanë një numër të madh zgjedhësish. Landet lindore të Brandenburgut dhe Saksonisë janë të vetmet në Gjermani, ku e djathta ekstreme ka fraksione nëpër parlamente. Ministri federal i punëve të brendshme, Volfgang Shojble, thotë se fajtor për këtë është ish RDGJ-ja.

Këtë tezë nuk e pranon kurrsesi krytari i grupit parlamentar të të majtëve në Bundestag, Gregor Gizi: "Po qe se teza e tij do të ishte e vërtetë, atëherë shumica e djathtistëve do të vinin nga grupmoshat 50 dhe 60 vjeçare, pasi ata janë rritur dhe edukuar në Republikën Demokratike Gjermane. Po ata janë shumë të rrallë. Pra, RDGJ-ja mund të kritikohet, por jo dhe të akuzohet që është fajtore për ekstremizmin e djathtë, kjo është shumë qesharake," – ankohet Gizi.

  • Data 24.04.2006
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0o
  • Data 24.04.2006
  • Autor Bernd Gresler
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Ar0o