Debat në Amerikë për përgjimin e telefonatave | FOKUS | DW | 21.12.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Debat në Amerikë për përgjimin e telefonatave

Ligji i aprovuar nga kongresi amerikan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit i ka dhënë presidentit amerikan Bush, plotfuqi për të vepruar në luftimin e terrorizmit

Xhorxh Bush

Xhorxh Bush

Që prej tri vitesh një shërbim sekret amerikan me urdhër të presidentit amerikan Bush, por pa leje ligjore përgjon qindra qytetarë amerikanë që kanë kontakte me jashtë shtetit, për të cilët dyshohet, se kanë lidhje me rrjetet terroriste jashtë shtetit. Ky veprim që u zbulua javën e kaluar nga "Nju Jork Times", ka ngjallur në SHBA një debat kontrovers. Në qendër është pyetja, nëse veprimi i presidentit Bush mbulohet nga ligji ekzistues.

Bush- Presidenti i plotfuqishëm

Në qendër të debatit janë dy ligje. I pari i miratuar që në vitin 1978. "Foring Intelligence Surveillance Act" ("Ligji për vëzhgimin e qytetarëve amerikanë nga shërbimi sekret) apo shkurt FISA, i cili i vendos kufijtë spiunazhit brenda vendit. Sipas tij parashikohet që para një aksioni të tillë përgjimi të merret leja e gjykatës. Ligji doli pasi presidenti i atëhershëm, Richard Nixon në aferën ëatergate pati lejuar të përgjoheshin ilegalisht telefonatat.

Ligji i dytë u aprovua nga kongresi amerikan në vitin 2001 pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit. Ai i jep presidentit plotfuqi, për të vepruar për luftimin e terrorizmit kundër shteteve, institucioneve apo personave të veçantë. Në këtë bazë ligjore u mbështet operacioni ushtarak amerikan për mënjanimin e regjimit taliban në Afganistan, dhe në këtë ligj bazohet presidenti Bush tani në pergjimet e diskutuara të telefonatave. Bush tha në fillim të kesaj jave: "A kam të drejtën ligjore për ta urdhëruar këtë. Po
gjithsesi."

E padiskutueshme është që kongresi amerikan i ka dhënë presidentit me këtë ligj të drejta të posaçme, që erdhën nga një situatë e kërcënimit direkt. Psh në rast se dyshohet se personat e dyshimtë marrin pjesë në një komplot terrorist kunder SHBA-ve. Por sulmet terroriste janë kryer para katër vjetësh, dhe prandaj për Fred Hitz, profesor i së drejtës në universitetin Virgjinia dhe dikur punonjës i CIA-s, veprimi aktual i presidentit Bush bëhet problematik:
"Kompetencat e plotfuqishme vijnë nga gjendja e kërcënimit aktual, kur nuk e di se ç´të pret. Por pas disa vitesh, në të cilat falënderoj zotin nuk ka patur më sulme terroriste të këtyre përmasave, dëshiron të kthehesh përsëri në normalitetin e deritanishëm ligjor."

Mos është shkuar shumë larg?

Ai parashikon qartë se qeveria për aksionet e përgjimit brenda vendit duhet të sigurojë një urdhër ligjor, i cili mund të jepet nga një gjykatë e fshehtë e posaçme, "Foreign Intelligence Surveillance Court", n.q.se ekziston rrezik. Por në aksionet e bëra tani të njohura u anashkalua edhe kjo instancë. A qëndron presidenti amerikan në eren e kercënimit terrorist mbi të gjitha ligjet? Bush vetë mendon se jo: "Në rradhë të parë ne politikanët jemi betuar, që t´u përmbahemi ligjeve. Pastaj është kontrolli nga kongresi amerikan. Ne jemi gjithnjë në lidhje me kongresin."

Deputetët e kongresit në fakt janë informuar për përgjimin, por me që ishte e fshehtë, nuk duhej të flisnin. Përveç kësaj shtrohet pyetja, mos është shkuar shumë larg me autorizimin e presidentit nga ligji i vitit 2001?

John Pike, botues i sherbimit informativ në internet "Global Security " thotë: "Me dhënien e kësaj plotfuqie padashur ata e kanë çliruar presidentin nga të gjitha detyrimet e shtetit juridik. Në fakt atij i është sinjalizuar se mund të bëjë çfarë të dojë në luftimin e terrorizmit, pavarësisht se cilat ligje vlejnë apo se si e ka interpretuar ai në të kaluarën ligjin "supreme court"."

Qeveria e presidentit Bush ka argumentuar me luftën kundër terrorit një rradhë ligjesh që bëjnë përjashtim nga norma. Që nga gjykatat ushtarake në Guantanamo deri në praktikën e dyshimtë të dorëzimit të terroristëve në të ashtuquajtura vende të treta. Disa nga keto përjashtime janë pranuar nga gjykatat amerikane, disa të tjera jo. Në çështjen e përgjimit të telefonatave nuk është dhënë akoma sqarimi ligjor.

  • Data 21.12.2005
  • Autor Daniel Scheschkevitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqh1
  • Data 21.12.2005
  • Autor Daniel Scheschkevitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqh1