Debat mbi shkallëzimin e ri të konfliktit | Politika | DW | 01.07.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Debat mbi shkallëzimin e ri të konfliktit

Ritual i Lindjes së Afërme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Debatet mbi Lindjen e Mesme - Rutinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Debatet mbi Lindjen e Mesme - Rutinë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

Shkallëzimi i ri i konfliktit në Lindjen e Afërme ka qenë të premten në qendër të axhendës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në fakt nuk u arrit të merrej një vendim i përbashkët nga anëtarët e tij, por pjesa më e madhe e shteteve u bënë thirrje palëve, izraelitëve dhe palestinezëve, të reflektojnë.

Bëhet fjalë për një refleks të ushtruar në vite nga OKB-ja: çdo incident në Lindjen e Afërme çon në një debat të ashpër në këshillin e sigurimit. Eshtë tashmë një rutinë e trishtuar që fillimisht përfaqësues të palestinezëve dhe Izraelit t'i paraqesin në mënyrë sa më dramatike qëndrimet e tyre të papajtueshme. Kështu ambasadori në OKB i Izraelit, Daniel Carmon, e sheh vendin e tij sulmuar nga raketa dhe terroristë, shprehet i zhgënjyer që durimi i gjatë dhe përmbajtja e Izraelit pas tërheqjes historike nga Rripi i Gazës nuk janë shpërblyer aspak: "Përgjigja e palestinezëve vërtetoi frikën e izraelitëve për një shtim të sulmeve terroriste. Gaza tani është një bazë terrori."

Sigurisht Carmon kërkoi ashtu si dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit lirimin pa kushte të ushtarit të rrëmbyer 19 vjeçar. Por lirimin e anëtarëve të qeverisë palestineze të kërkuar p.sh. nga Franca dhe Britania e Madhe përfaqëuesi izraelit nuk e pranoi. Vendi i tij nuk toleron terroristët, as atëherë kur ata fshihen pas titujve politikë.

Homologu i tij palestinez, Riyad Mansour,i cilësoi arrestimet në Jordanin Perëndimor sulm kundër qeverisë së zgjedhur në mënyrë demokratike të vendit të tij, ndërsa rrëmbimin e ushtarit izraelit e quajti vetëm pretekst për një pushtim të ri të Rripit të Gazës:"Përmasat e sulmeve aktuale tregojnë se agresioni ushtarak monstruoz kundër popullit palestinez është planifikuar kohë më parë".

Sipas Mansour qëllimi është rrëzimi i qeverisë së ligjshme palestineze dhe shkatërrimi i strukturave në krahinat autonome. Për ambasadorin palestinez në Kombet e Bashkuara bëhet fjalë për sulm me sfond politik dhe aspak për një aksion shpëtimi.

Asistentja politike e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, gjermania Angela Kane, konfirmoi përpara instancës së Kombeve të Bashkuara informacionet e Mansourit mbi përmasat kërcënuese të shkatërrimeve dhe ngushticat në furnizimin e popullsisë: "Më shumë se 40% e popullsisë janë pa energji elektrike. Pas shkatërrimit të tubacioneve të ujit më shumë se 130.000 vetë nuk furnizohen me ujë. Mungesa e ushqimeve dhe ilaçeve do të bëhet kritike nëse rrugët vazhdojnë të mbeten të bllokuara. Përçuesi privat i karburantit nga Izraeli në Gaza nuk ka funksionuar për pesë ditë me rradhë. Deri të dielën rezervat do të përfundojnë."

Kjo do të thotë se atëherë rryma do të ndërpritej edhe në spitalet e Rripit të Gazës pasi gjeneratorët do të dilnin jashtë përdorimit.

Të gjithë ata që e morën fjalën më pas shprehën natyrisht keqardhje për gjendjen e civilëve të prekur dhe kërkuan zgjidhje të shpejtë. Ambasadori i SHBA, John Bolton, tha se situata mund të ndryshojë shpejt nëse terroristët lirojnë menjëherë ushtarin e rrëmbyer. Përveç kësaj Bolton bëri menjëherë të qartë se SHBA do të bllokojnë çdo dënim të Izraelit, çdo deklaratë në Këshillin e Sigurimit. Edhe kjo një rotinë e njohur në debatet e Këshillit mbi Lindjen e afërme: "Nuk duhet të dëmtojmë më tej besueshmërinë e kufizuar të Këshillit të Sigurimit duke u marrë me debate dhe retorika që janë vetëm qëllim në vetvete: të tilla ushtrime i bëjnë varrin vetë Kombeve të Bashkuara."

Kështu punimet u mbyllën me një thirrje të shumëfishtë drejtuar të dyja palëve për të respektuar të drejtën ndërkombëtare dhe rikthim në proçesin e paqes.

  • Data 01.07.2006
  • Autor Rainer Süttfeld
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqpP
  • Data 01.07.2006
  • Autor Rainer Süttfeld
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqpP