1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat i ashpër edhe në CDU

12 Shkurt 2018

Pas negociatave dhe vendimit për krijimin e koalicionit të madh, nuk ka qetësi as në CDU. Tani po kontestohet ndarja e posteve, madje edhe vetë kancelarja Merkel.

https://p.dw.com/p/2sTjS
Bundeskanzlerin Angela Merkel Telefonat
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

Në CDU "ekziston një dëshpërim" i madh lidhur me vitet e ardhshme, thotë shefi i rinisë së CDU, Paul Ziemiak, për gazetën "Bild am Sonntag". Kancelarja Angela Merkel "duhet të tregojë guxim dhe në ministri të futen edhe zëra kritikë". Bëhet fjalë për të ardhmen e CDU-së si një parti popullore.

Ai kërkon nga kreu i partisë që në fund të shkurtit të bëhen publike para kongresit të partisë vendimet për emërimet në ministri, të cilat me marrëveshjen për koalicion, do t'i takojnë CDU-së dhe CSU-së. "Emrat duhet të bëhen publik", thotë Ziemiak. Vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, CDU mund të futet me një ndërgjegje të pastër në koalicion të ri me partitë e tjera.

Merkel (CDU) und JU Vorsitzender Paul Ziemiak
Merkel dhe Paul ZiemiakFotografi: picture-alliance/dpa/M. Kappeler

Shumë politikanë të Unionit kanë kritikuar ndarjen e ministrive. Partia "me vetëm 20% të votave", SPD, ka marrë gjashtë ministri, ndër to tri shumë të rëndësishme. Kjo ka shktaktuar pakënaqësi të mëdha tek CDU. Në veçanti humbja e ministrisë së Financave ka shkaktuar protesta.

"Goditje e rëndë"

"Kjo të dhemb shumë", thotë Jens Spahn, anëtar i kryesisë në CDU, për gazetën "Presse am Sonntag". Fakt është që pa sakrifikuar këtë ministri, nuk ka pasur shanse të krijohet një koalicion me partinë SPD, por "çmimi është bukur i lartë", tha Spahn. Për CDU-në është kjo një goditje e rëndë. Ministri Peter Altmaier relativizon këtë humbje. Natyrisht që humbja e kësaj ministrie paraqet humbje, sepse ka qenë një pjesë e identitetit të saj", thotë ai për gazetën "Welt am Sonntag". Nga ana tjetër, CDU do të ketë ministrinë e Ekonomisë, që nuk e ka pasur për gati 10 vjet me radhë. Ndërsa ministria e Financave, sipas të gjitha gjasave, do të drejtohet nga Olaf Scholz (SPD).

Lëkundja e karriges së kancelares Merkel?

Jens Spahn
Jens SpahnFotografi: picture alliance/dpa/M. Kappeler

Krahas debatit për humbjen e posteve ministrore, kohët e fundit janë shtuar zërat që kërkojnë edhe përfundimin e erës së kancelares Merkel. Deputeti i CDU Klaus-Peter Willsch ka kërkuar nga partia e tij që të përgatitet për kohën pas kancelares Merkel. "Ne duhet të mendojmë që tani se si do pozicionohemi pas kancelares", tha Willsch për gazetën  "Rheinischen Post".

Edhe më konkret ishte sekretari  i shtetit Spahn, i cili për gazetën "Presse am Sonntag", foli për "kohën pas kancelares Merkel". CDU ka njerëz të mirë gjithandej. Konkretisht ai foli për kryeministrin e Saksonisë, Michael Kretschmer, shefin e partisë në Tyringji Mike Mohring, zëvendëskryetaren Julia Klöckner, deputetin Carsten Linnemann dhe shefin e rinisë në CDU Ziemiak.

Spahn foli për një konkurrencë të denjë për postet udhëheqëse në CDU, "kur të vijë koha". Christian Wagner i ka bërë thirrje kancelares Merkel që të japë një sinjal të qartë, sa më parë. Politikanët e përgjegjshëm mendojnë edhe për pasardhësit e tyre, por në këtë drejtim ende nuk ka asnjë sinjal. Në CDU mendohet se krerët e partisë duhet të ulen dhe të bisedojnë se si duhet evituar një katastrofë edhe më e madhe, pas rezultateve të dobëta që partia ka shënuar në zgjedhjet e fundit.

 

 

mak/stu (afp, dpa, rtr)