1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

DAW feston 20-vjetorin e krijimit

Anila Shuka28 Nëntor 2014

Bilanci i marrëdhënieve bilaterale me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Shoqatës Ekonomike Gjermano-Shqiptare (DAW) është pozitiv. Vëllimi i këmbimeve tregtare është dhjetëfishuar, por ka ende potencial.

https://p.dw.com/p/1DvqL
Drejtori i DAW Hans-Jürgen Müller dhe te ftuar te tjere
Fotografi: DAW

Kur në vitin 1992 Peter Spary (në foto: i dyti nga e djathta), atëherë drejtor ekzekutiv i Shoqatës Federale të Grosistëve dhe Tregtisë së Jashtme (BGA), vendosi të shkonte në Shqipëri, nuk e priste që ftesës së tij do t'i përgjigjeshin 40 sipërmarrës. Aeroplani i vogël i Tyrolean Airways kishte vetëm gjashtë vende të lira. “Por ne kishim në krye të delegacionit sekretarin e shtetit Erich Riedl, i cili ishte përgjegjës edhe për sektorin e qarkullimit dhe mori për ne enkas një avion ushtarak transporti të tipit “Transall.”

Njëri prej pasagjerëve ishte Helke Tolksdorf (në foto: i pari nga e djathta), drejtor i Sektorit të Evropës Juglindore në Ministrinë gjermane të Ekonomisë dhe Energjetikës, të cilit nga Shqipëria e asaj kohe i ka mbetur në kujtesë një pamje prekëse: “Ne udhëtuam me makinë nga Tirana në Durrës: Në dy anët e rrugës kishte ende pemë, në plazhin e Durrësit qëndronte i vetmuar hoteli i famshëm Atlantik, kurse porti ishte mbushur me ushtarë të armatosur që nuk i linin njerëzit të hipnin në tragetet që shkonin në Itali.” Sot gjithçka ka ndryshuar dhe Tolksdorf shpreh keqardhjen vetëm për pemët, të cilat nuk janë më përgjatë rrugës Tiranë-Durrës.

Hans-Jürgen Müller Präsident der DAW 27. 11. 2014 Berlin
Hans-Jürgen Müller , drejtor ekzekutiv i DAWFotografi: DAW

Platformë kontaktesh

Dy vjet më vonë u krijua Shoqata Ekonomike Gjermano-Shqiptare, (DAW) e cila të enjten në mbrëmje festoi ditëlindjen 20-vjeçare në një aktivitet solemn në Berlin. Presidenti i saj u bë Walter H. Hinderer, më vonë konsull nderi i Republikës së Shqipërisë, ndërsa drejtor ekzekutiv Hans-Jürgen Müller, sot president. Tek hedh vështrimin prapa në historikun e shoqatës Müller veçon dy arritje: konferencat ekonomike që zhvillohen çdo dy vjet e prej të cilave dalin shumë projekte interesante, dhe ngritjen e Shoqatës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri (DIHA) në vitin 2007: “Ne e themeluam atë me shtatë anëtarë e tani janë 80 dhe është një shoqatë që i nxjerr kostot e saj dhe bën një punë shumë të mirë” – lavdëron Müller.

Shoqata Ekonomike Gjermano-Shqiptare e sheh veten si një platformë në krijimin e lidhjeve midis biznesmenëve shqiptarë dhe gjermanë dhe nxitja e projekteve të përbashkëta. Por shoqata që e ka selinë në të ashtuquajturën lagje qeveritare të Berlinit mban lidhje të ngushta edhe me qeveritë e të dyja vendeve. Aktivitetet e saj janë pjesë e pandashme e thuajse çdo vizite të rëndësishme presidentësh, kryeministrash dhe ministrash të ekonomisë në Berlin. “Ne e vlerësojmë bashkëpunimin me Shoqatën Ekonomike Gjermano-Shqiptare, është një element solid në spektrin e marrëdhënieve shqiptaro-gjermane, thotë për DW-shqip ambasadori i Shqipërisë në Berlin, Artur Kuko.

Arnold Geiger nga organizata humanitare Nehemiah Gateway
Arnold Geiger nga organizata humanitare Nehemiah GatewayFotografi: privat

Lidhje të ngushta me qeveritë

Këto lidhje ndihmojnë edhe në përshpejtimin e zgjidhjeve të ndonjë problemi që mund të kenë biznesmenë gjermanë në Shqipëri. Por jo çdo problem zgjidhet shpejt. Viteve të fundit Hans-Jürgen Müllerit i është dashur të merret shpesh me problemin e rimbursimit të tatimit mbi xhiron për mallra që dalin nga Shqipëria. Megjithëse marrëveshja për evitimin e tatimit të dyfishtë ka shumë vite që është nënshkruar, në periudhën e qeverisë së mëparshme gati 40 për qind të biznesmenëve nuk u janë rimbursuar tatimet. Müller shpreson tani që qeveria e Ramës ta mbajë premtimin për ta shlyer këtë borxh brenda dy viteve të ardhshëm.

Fakti që Shqipëria më 27 qershor të këtij viti fitoi statusin e kandidatit të Bashkimit Evropian jep shpresë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, vlerëson ish-ministri i shtetit Gernot Erler. “Ky na bën optimistë. Por ne jemi të vetëdijshëm se ka shumë për të bërë në fushën e luftimit të korrupsionit e krimit dhe të krijimit të garancive juridike”, thotë Erler duke premtuar edhe në të ardhmen ndihmën e Gjermanisë për të përballuar këto probleme: “Ne do të ndihmojmë, sepse besojmë që gjermanët janë të mirëseardhur në Shqipëri, krahas grekëve, italianëve dhe amerikanëve”, shton deputeti socialdemokrat.

Gernot Erler 27. 11. 2014 Berlin
Deputeti socialdemokrat gjerman, Gernot ErlerFotografi: DAW

Fokus në bashkëpunimin rajonal

214,75 milionë euro është vëllimi i eksportit shqiptar drejt Gjermanisë dhe 67,43 milionë euro (2013) importi i produkteve gjermane. Ky vëllim del se është dhjetëfishuar krahasuar me njëzet vjet më parë, kur u themelua shoqata. Por mjafton të hedhësh një vështrim në Maqedoni, ku këmbimi tregtar në vitin 2013 shënonte 1,7 miliardë euro e kupton se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë ende në nivel relativisht të ulët.

Ndër të tjera është kjo arsyeja që e shtyn presidentin Hans-Jürgen Müller që punën e shoqatës në vitet e ardhshme ta fokusojë më shumë në bashkëpunimin rajonal, pra me vende si Maqedonia, Mali i Zi e Kosova. Veç kësaj Müller planifikon t'i japë më shumë rëndësi eksportit të prodhimeve bujqësore shqiptare, siç janë vera, bimët mjekësore e erëzat, frutat e perimet organike, për të cilat, siç thotë ai, ka nevojë të veçantë në Gjermani.

Pritshmëri më realiste

Sfida kryesore në marrëdhëniet ekonomike gjermano-shqiptare mbetet edhe në të ardhmen nxitja e kompanive të vogla dhe të mesme gjermane për të investuar. “Edhe pse 88 për qind e kompanive që kanë investuar në Shqipëri thonë se janë të gatshme të investojnë sërish, ka pak investitorë të rinj që tregojnë interes. Euforia fillestare për të investuar në Evropën Juglindore është zbehur”, vëren Helge Tolksdorf.

Shoqata Ekonomike Gjermano-Shqiptare, e cila tashmë numëron 250 anëtarë, organizon për rregullisht udhëtime me sipërmarrës për t'i njohur ata me kushtet e investimit. Por shpesh kontaktet e krijuara nga këto vizita nuk japin atë fryt që dëshirohet. Drejtori i organizatës humanitare Nehemiah Gateway Group, Arnold Geiger, vëren se problemi qëndron te pritshmëria shumë e lartë që kanë të dyja palët: “Çdo bashkëpunim do të thotë të japësh dhe të marrësh dhe kur e kupton këtë mund të rrish për një kohë të gjatë në një vend”, thotë Geiger, i cili për angazhimin e organizatës së tij në Shqipëri është nderuar nga Presidenti i Gjermanisë me Kryqin Federal të Meritave.

Geiger thotë se biznesmenët nuk duhet të dorëzohen që në zhgënjimin e parë po të flasin me njëri-tjetrin: “Unë kam pasur takime, në të cilat shqiptarët kanë ardhur në orar meqë mendonin se gjermanët janë të përpiktë dhe gjermanët kanë ardhur me vonesë duke menduar se shqiptarët vijnë me vonesë. Dhe e vetmja gjë që ndihmon në këto raste është të folurit”.