1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Departamenti i Shtetit publikon raportin për trafikimin 2019

Aida Cama
21 Qershor 2019

Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi raportin për trafikimin e qenieve njerëzore. Sipas tij, qeveria shqiptare nuk i ka plotësuar standartet e ligjit për mbrojtjen e viktimave.

https://p.dw.com/p/3KoO5
USA 2019 Trafficking in Persons report | Mike Pompeo, Außenminister in Washington
Fotografi: Reuters/Y. Gripas

25 milionë vetë janë sot viktima trafikimi për punë të detyruar dhe prostitucion, bën të ditur raporti i Departamentit të Shtetit, publikuar të enjten (20.06).  Ministri i jashtëm amerikan Mike Pompeo, që mori pjesë në ceremoninë e organizuar me këtë rast, tha se lufta kundër trafikimit është për SHBA një nga prioritetet kryesore.  "Trafikimi i qënieve njerëzore nuk është katastrofë natyrore. Është diçka e shkaktuar nga njeriu. Prandaj, ne jemi në gjendje ta luftojmë atë,” tha Pompeo duke shpjeguar se raporti, kërkon të inkurajojë qeveritë që të merren me format e trafikimeve, që kryhen brenda vendeve të tyre. "Një nga keqkuptimet për trafikimin e qënieve njerëzore është, se mendohet të jetë trans-nacional.  Nuk është e vërtetë... Sipas vlerësimeve, trafikantët shfrytëzojnë 77 përqind të viktimave brenda për brenda vendit”, tha ai.

Trafikimi i qënieve njerëzore është problem lokal dhe problem global, theksoi ministri Pompeo, që e mban këtë post prej 14 muajsh. Raporti i përvitshëm radhit qeveritë e botës në katër grupe, në bazë të përpjekjeve që ato bëjnë kundër trafikimit.

Renditja e Shqipërisë

Shqipëria është futur në grupin TIER2, ku futen vendet qeveritë e të cilave nuk i plotësojnë të gjitha standartet e ligjit për mbrojtjen e viktimave të trafikimit (TVPA), por bëjnë përpjekje për t' i plotësuar ato.

Kështu thuhet edhe në fillim të pjesës për Shqipërinë në raport: Qeveria e Shqipërisë nuk i ka plotësuar standartet për eliminimin e trafikimit, por është duke bërë përpjekje për t' i plotësuar ato. "Qeveria ka rritur përpjekjet në krahasim me periudhën e mëparshme... për aktualizimin e standarteve të identifikimit të viktimave, shpërndarjes së fondeve për koordinatorët e viktimave në zyrat e prokurorisë, trajnimet e policisë kufitare dhe asaj të migracionit për çështjet e trafikimit”. Raporti thotë se qeveria ka dyfishuar buxhetin për zyrën e luftës kundër trafikimit dhe ka përpiluar një plan dyvjeçar. Por, theksohet në të, "në disa nga fushat kryesore qeveria nuk ka plotësuar as minimumin e standarteve”.

Qeveria shqiptare ka përndjekur dhe gjykuar më pak raste se më parë, dhe numri i ndërhyrjeve të forcave të rendit ka qenë më i ulti në katër vjet. Po ashtu mungojnë përpjekjet për identifikimin e viktimave. Forcat e rendit nuk kanë njësi të lëvizshme për identifikimin e viktimave ose kontrollimin e vazhdueshëm të grupeve të popullsisë, që janë më të prekshme. Qeveria shqiptare ka vazhduar të mos paguajë për strehimoret që mbahen nga organizatat joqeveritare dhe nuk ka pasur gjithnjë qasje të orientuar tek viktimat, gjatë hetimeve dhe ndjekjes penale.

Çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare

Në pjesën e dytë të raportit, jepen rekomandime për qeverinë shqiptare, rekomandime që kanë të bëjnë me përndjekjen dhe dënimin e trafikantëve përfshirë dhe zyrtarët që bashkëpunojnë, trajnimin e forcave të rendit, kontrollimin e vazhdueshëm të popullsisë së prekur më shumë nga trafikimi, krijimin e mekanizmave për financimin e vazhdueshëm të strehimoreve, zgjerimin e ligjeve për inspektorët e punës për të kontrolluar bizneset e paregjistruara, përmirësimin e ligjit për krijimin e njësive të lëvizshme për identifikimin e viktimave, përmirësimin e shërbimit për riintegrimin në shoqëri të viktimave, përfshirë dhe edukimin e viktimave fëmijë, po ashtu qasje të orientuar tek viktimat dhe mbrojtje dëshmitarësh në proceset gjyqësore.

Trafficking in Persons Report 2017
Fotografi: U.S. Department of State

Pjesa e tretë e raportit ka të bëjë me ndjekjen penale dhe thotë se: Qeveria (shqiptare) ka ulur përpjekjet për zbatimin e ligjit. Në raport thuhet se dënimet për trafikimin e personave, që janë me 8 në 15 vjet për trafikimin e njerëzve në moshë madhore dhe 10 në 20 vjet për trafikimin e fëmijëve, janë "shumë të ashpra, po t' i krahasosh me dënimet për krime të tjera si përshembull për përdhunim”. Policia e shtetit ka hetuar 38 raste trafikimi me 51 persona të dyshuar, shifra që janë më të ulta se numri 69 i rasteve në vitin 2017, kur ka patur  80 persona të dyshuar. Nëntë raste në vitin 2018 kanë qenë për trafikimin e fëmijëve dhe 42 për trafikim personash në moshë madhore. Policia po ashtu ka hetuar tre të dyshuar për nxitjen ose mbrojtjen e trafikimit për prostitucion, ndryshe nga viti 2017, kur nuk ka pasur asnjë rast të tillë në përndjekje. Po ashtu Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ndjekur penalisht dy raste me gjashtë të akuzuar, tre për trafikim fëmijësh dhe tre për trafikim personash në moshë madhore. Gjykatat kanë dënuar pesë trafikantë në vitin 2018, ndërsa një vit më parë ka pasur shtatë të dënuar. Gjithë të dënuarit kanë pasur dënime me burgim nga disa muaj deri në tetë vjet.

Trafikimi

Njësia kundër trafikimit, merret me trafikimin edhe në rastet e kontrabandës së drogës. Qeveria ka vazhduar reformën në drejtësi dhe ka ndryshuar juridiksionin për trafikimin, duke ia kaluar rastet gjykatave të qarqeve. Por Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thënë, se prokurorët e qarqeve nuk kanë eksperiencën dhe kapacitetet e duhura, për të përndjekur trafikimin. Autoritetet, thotë raporti, kanë raportuar se ka patur konfuzione në mbivendosjen e elementëve në rastet kur është bërë trafikim për prostitucion.

Burimet e pamjaftueshme dhe zëvendësimet e vazhdueshme tek forcat e rendit kanë shtuar pengesat në ruajtjen e kapaciteteve në investigimet për trafikim, thuhet në raportin, i cili vëren se organizatat joqeveritare kanë pasur përmirësim të bashkëpunimit me forcat e rendit dhe prokurorët. 59 oficerë policie, 53 gjyqtarë dhe 119 prokurorë rrethesh, bashkë me tre inspektorë të Gjykatës së Lartë kanë bërë trajnim për anti-trafikimin. Qeveria nuk ka raportuar për ndonjë hetim, gjykim ose dënim të punonjësve qeveritarë të përfshirë në trafikim. Sidoqoftë, theksohet në raport bashkëpunimi dhe korrupsioni i zyrtarëve mbetet shqetësim i madh. Policia e Shtetit, e ngarkuar nga autoritetet greke apo italiane ka arrestuar 20 persona të dyshuar për trafikim dhe ka esktraduar tre persona, një në Greqi, një në Kosovë dhe një në Hungari.

Mbrojtja e viktimave

Mbrojtjes së viktimave i kushtohet pjesa e katërt e raportit, që thotë se qeveria bën përpjekje për mbrojtjen e viktimave. Qeveria dhe organizatat joqeveritare kanë identifikuar 95 viktima në vitin 2018, ndërkohë që më 2017 kanë qenë 105. Nga këto viktima 28 të rritur dhe 67 minorenë, kanë qenë shqiptarë përveç rastit të një qytetari të huaj. Qeveria nuk ka qenë në gjendje të japë detaje, por 36 viktima kanë qenë subjekte të trafikimit për prostitucion, 25 për punë të detyruar dhe 27 për lypje të detyruar. Ligji, shkruhet më tej, mbron njësoj si viktimat e njohura zyrtarisht, ashtu edhe ato që nuk e kanë këtë status. Organizatat joqeveritare kanë në tre rrethe njësi mobile për identifikimin e viktimave, ku marrin pjesë punonjës social dhe policë, por ato nuk janë zyrtarizuar, kanë mungesë stafi dhe burimesh. Policia po ashtu nuk merr pjesë gjithnjë në to. Migrantët nuk kontrollohen vazhdimisht për shkak të mungesës së përkthyesve dhe oficerëve dhe policia nuk kontrollon individët nëse janë të përfshirë në prostitucion. Po ashtu inspektorët e punës nuk janë të trajnuar për të identifikuar viktimat e punës së detyruar. Njëjtë ndodh edhe me identifikimin e lypjes së detyruar, sidomos kur në të janë përfshirë fëmijë, fëmijët e rrugës dhe fëmijët që luten në vende të ndryshme, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit, për trafikimin e personave, 2019.