Dërgimi i ndihmave në Indonezi - problem i madh logjistik | Politika | DW | 01.06.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Dërgimi i ndihmave në Indonezi - problem i madh logjistik

Megjithë ndihmën e madhe ndërkombëtare disa mijëra viktima të tërmetit presin edhe më tej në Indonezi për ushqime dhe medikamente. Numri i të vdekurve nga tërmeti në Indonezi arriti 6.200 vetë

Një person i mbijetuar në Bantul

Një person i mbijetuar në Bantul

Katër ditë pas tërmetit në ishullin indonezian Java janë shtuar kritikat ndaj qeverisë dhe autoriteteve lokale. Ndihma nuk mbërrin sa duhet shpejt, atje ku nevojitet ankohen banorët e rajonit më të prekur Bantul në jug të Xhakartës. Mbështetje në fakt ka vetëm nga organizatat ndërkombëtare, thonë ata. Shumë e ndiejnë veten të lënë në baltë nga qeveria.

Por njëkohësisht, për qeverinë e Indonezisë dëgjon edhe lëvdata. Presidenti i Bankës Aziatike për Zhvillimin, Haruhiku Kuroda i tha BBC, se autoritetet kanë mësuar mjaft nga përvojat me cunamin në dhjetor 2004. Furnizimi me elektricitet dhe aspekte të tjera të infrastrukturës, që u shkatërruan kur ra tërmeti, u riparuan shumë shpejt.

Ndërkohë, nga zonat e katastrofës vijnë gjithnjë e më shumë ndihma. Në aeroportin e Xhakartës ulen avionë nga e gjithë bota me ushqime dhe medikamente për të mbijetuarit e tërmetit.

Charles Higgins i qendrës së ndihmave të OKB-së në Xhakarta tha se është një problem i madh logjistik dërgimi i ndihmave atje ku ato nevojiten. Të mërkurën, gjithë ditën helikopterë të forcave të armatosura indoneziane kanë fluturuar në rajonin e tërmetit, për të kërkuar viktima të tjera të tërmetit.

Në Bantul është ngritur një qendër e madhe pranimi për persona të pastrehë. Ky është rajoni i prekur më fort nga tërmeti. Bilanci zyrtar: deri tani, vetëm në Bantul kemi më shumë se 3.700 të vdekur. Numri i përgjithshëm i viktimave tani jepet me 6.230.

Në sheshin sportiv të Bantulit ndodhen çadra të mëdha ushtarake, në të cilat flenë disa familje në krevate fushorë ose në bar. Çadrat nuk kanë taban dhe kur bie shi, strehimet e emergjencës përmbyten. Në afërsi, kryqi i kuq ka ngritur një spital fushor. Klinika mobile u përdor një vit e gjysmë më parë në Aceh për të furnizuar viktimat e cunamit. Tani këtu mjekohet numri i madh i të plagosurve nga Bantuli, për të cilët nuk ka më vend në spitalet e zakonshme.

Dyzina personash nga e gjithë Indonezia dhe nga bota e jashtme ndihmojnë për ndërtimin e çadrave dhe shpërndarjen e ndihmave.

Ministri indonezian i shëndetësisë, Siti Fadillag Supari ka bërë të ditur që një pjesë e pacientëve nga rajoni i tërmetit do të zhvendosen në spitale në pjesë të tjera të vendit, për të pakësuar mbipopullimin e klinikave dhe spitaleve fushore në Xhakarta dhe në rrethina.

Disa nga të plagosurit, që janë futur me gjithë familjet e tyre në spitale, mund të kishin dalë prej kohësh. Por shumë nuk kanë më fare shtëpi dhe nuk dinë se ku të shkojnë. Prandaj ata do të qëndrojnë në çadra dhe spitale fushore. Këtu ata të paktën marrin furnizime.

  • Data 01.06.2006
  • Autor Bernd Musch-Borovska
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqpp
  • Data 01.06.2006
  • Autor Bernd Musch-Borovska
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqpp