Dënim më vdekje apo burgim të përjetshëm? | Bota | DW | 07.04.2006
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dënim më vdekje apo burgim të përjetshëm?

Proçesi kundër Musaui-t, të akuzuar për veprimtari terroriste hyn në fazën vendimtare.

Zakaria Musaui

Zakaria Musaui

Përpara një gjykate federale në hyrje të Uashingtonit proçesi kundër Zakaria Musauit, të akuzuarit të vetëm pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit në ShBA ka hyrë në fazën përfundimtare. Të hënën 12 pjesëtarët e trupit gjykues vendosën se 37 vjeçari ka mundësuar me dëshmitë e tij të rreme ndaj FBI-së kryerjen e atentateve kundër Qendrës Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit. Tani ata duhet të gjykojnë nëse ky krim ka qenë aq i rëndë sa Musaui të marrë për të dënimin me vdekje.

Prokurorët do të marrin në pyetje si dëshmitarë rreth 40 të afërm të familjeve të viktimave. Veç kësaj ish kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Rudi Xhuliani do të dalë si dëshmitar. Duke qenë kryebashkiak Xhuliani, luajti një rol shumë të rëndësishëm në koordinimin e aksioneve të shpëtimit pas atentateve shkatërrimtare. Anëtarët e jurisë do të dëgjojnë gjithashtu pjesë të rregjistruara nga dialogjet e njerëzve të mbetur të mbyllur në Qendrën Botërore të Tregtisë.

Për herë të parë do të bëhen publike edhe bisedat në kabinën e pilotëve të avionit të shoqërisë 'United', avioni i tretë i rrëmbyer më 11 shtator nga terroristët, i cili u rrëzuar në një zonë të shkretë në Pensilvani pasi pasagjerët iu kundërvunë me sukses rrëmbyesve. Edhe bisedat telefonike të stjuardesave të avionëve të rrëmbyer do të bëhen publike:

Për dhënien e dënimit me vdekje 12 anëtarët e jurisë duhet të krijojnë bindjen se krimi i Musauit ka qenë veçanërisht i egër dhe i paramenduar dhe, se ai nuk tregon asnjë shenjë pendimi.

Mbrojtja do të vërë theksin në rrethanat lehtësuese dhe fëmijërinë e vështirë të të akuzuarit. Punonjës socialë do të tregojnë se nëna e Musauit është detyruar të martohet në moshën 14 vjeçare me një njeri të dhunshëm. Pas shpërnguljes së familjes nga atdheu Marok në Francë dhe pas ndarjes së prindërve të tij Musauit, i është dashur të kalojë nga një jetimore në tjetrën për rreth pesë vjet.

Një tjetër specialist do të shpjegojë ndikimin mbi të akuzuarin e myslimanëve radikalë, me të cilët ai u takua në Londër pasi kishte vendosur të ndryshonte jetën e tij. Nga mbrojtja mund të përdoren edhe argumenta të tillë si skizofrenia dhe çrregullime të tjera mendore. Synimi i tyre final është shpëtimi i jetës së Musauit.

Vëzhguesit e proçesit presin që anëtarët e jurisë të vendosin brenda dy javësh përfundimisht, nëse Musaui do të vdesë apo do të kalojë jetën pas kangjellave të burgut.

  • Data 07.04.2006
  • Autor Daniel Sheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLv
  • Data 07.04.2006
  • Autor Daniel Sheschkewitz
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArLv
Reklamë