1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

CSU: "Gjermania duhet të mbetet gjermane"

Dodi, Auron (afp, dpa, rtr)8 Shtator 2016

Partia simotër e CDU-së, CSU tregohet konsekuente: me fjalë të qarta kristjansocialët kërkojnë një ashpërsim drastik të politikës ndaj refugjatëve dhe migrimit.

https://p.dw.com/p/1JyQ0
Gipfelkreuz auf der Walser Hammerspitze
Fotografi: picture-alliance/dpa/JOKER

Në një projekt për mbledhjen e kryesisë së CSU-së, projekt që do të diskutohet të premten dhe të shtunën (09 - 10.09) në Oberpfalz, përmbahet një katalog kërkesash pjesërisht të reja, pjesërisht të njohura. Në dokument kërkohet të vendoset me ligj një kufi i sipërm për pranimin e refugjatëve, prej 200.000 vetësh në vit, kërkohet ngritja e zonave tranzit në kufi dhe që të dëbohen në mënyrë konsekuente të huajt pa të drejtë qendrimi. Më tej kërkohet eleminimi i nënshtetësisë së dyfishtë, ndalimi i burkas dhe një "ligj për kufizimin e imigrimit".

Përparësi për migrantë nga kultura kristjane-oksidentale

"Në të ardhmen duhet të jetë në fuqi: përparësi për migrantë nga bota kulturore kristjane-oksidentale", thuhet në dokumentin të cilin e ka marrë Agjencia Gjermane e Lajmeve dpa dhe revista "Der Spiegel". "Një ligj i tillë është një kundërshtim i qartë i migrimit ilegal. Një shtet duhet të vendosë vetë kë duhet të pranojë - nuk janë migrantët që e vendosin këtë". Më tej CSU kërkon: "Gjermania duhet të mbetet Gjermani". CSU është kundër ndryshimit "të vendit tonë të hapur ndaj botës" prej migrimit ose rrymave të refugjatëve. "Nuk duhet të jemi ne, që duhet ta orientojmë sjelljen sipas refugjatëve, por e anasjellta".

Simotra bavareze e CDU-së përforcon në këtë kuadër vullnetin e saj për një fiksim të "kulturës orientuese" ("e kundërta e multikulturalizmit") në kushtetutën e Bavarisë. Një gjendje si e vitit të kaluar nuk duhet të përsëritet më, thekson CSU dhe kërkon më tej: "Konstatimi i së drejtës për të qendruar duhet të kryhet në të ardhmen në kufi në zonat tranzit. Ai që nuk ka të drejtë të qendrojë në Gjermani do të dëbohet që në zonën tranzit." Mbulimin me ferexhe dhe perçe të femrave" CSU do ta "ndalojë në publik, kudo që kjo të jetë e mundur ligjërisht". Burka apo çarçafi është sipas CSU-së "një uniformë e islamizmit". Ato që nuk janë të gatshme të heqin dorë nga mbulimi me ferexhe apo me perçe "duhet të shkojnë në një vend tjetër", shkruhet në dokument.

Deutschland Vollverschleierte Frauen bei Kundgebung von Pierre Vogel
Fotografi: picture-alliance/dpa/B. Roessler

Jo forma speciale multikulturore në përkujdesjen publike

CSU kërkon më tej "jo forma speciale multikulturore të përkujdesjes publike, si kohë të veçanta për larje për myslimanët." Si parim CSU-ja vendos këto piketa: "Humanizëm ndaj atyre që janë vërtet në nevojë, rend dhe rregulla të qarta në integrim dhe në bashkëjetesë, kufizim i migrimit për një mbarëvajtje të integrimit.

Krahas "luftimit me efekt të shkaqeve të migrimit", CSU-ja kërkon që refugjatët të kthehen sa të jetë e mundur më shpejt në atdheun e tyre. "Pas eleminimit të shkakut të arratisë refugjatët duhet të kthehen në mënyrë konsekuente në atdhetë e tyre", thuhet në dokument. Njerëzit atje nevojiten për rindërtimin e vendit. "Do të ishte e pamoralshme që këtyre vendeve t'u frenohet fuqia punëtore". Marrëveshjes për refugjatët midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë CSU-ja dëshiron t'i përmbahet, meqenëse krahas mbylljes së itinerarit ballkanik ajo mund të kontribuojë në pakësimin e vërshimit të refugjatëve drejt Evropës dhe Gjermanisë. Kurse një liberalizim të vizave me Turqinë, CSU-ja e refuzon.

"Kthim në rregull dhe në drejtësi në Evropë"

Sekretari i përgjithshëm i CSU-së, Andreas Scheuer e përshëndeti ndërkohë paralajmërimin e Austrisë, se mund ta padisë Hungarinë para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. "Meqenëse i kam ende mirë para syve autobusët e shumtë nga Austria në kufirin gjerman, gëzohem tani për thirrjen nga Vjena për të vendosur sërish drejtësi dhe rend në Evropë", i tha ai gazetës "Passauer Neue Presse". Ministri i Brendshëm i Austrisë, Wolfgang Sobotka e kërcënoi qeverinë e Budapestit të mërkurën (07.09) me një padijë para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, sepse Hungaria nuk pranon që të marrë refugjatët e kthyer nga Austria. Në bazë të Marrëveshjes së Dublinit, çdo refugjat duhet ta paraqesë kërkesën për azil në atë vend të Bashkimit Evropian, ku ka shkelur për herë të parë.