1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Corona u përhap në Itali e Europë që në shtator 2019

22 Nëntor 2020

Një studim i ri thotë, se SARS-CoV-2 ka qarkulluar që në shtator 2019 në Itali. Duhet tani të hedhim poshtë çdo gjë që dinim për origjinën dhe përhapjen e virusit Corona?

https://p.dw.com/p/3le1j
Italien maskierte Passanten auf dem Mailänder Domplatz
MilanoFotografi: Bernd Riegert/DW

"Virusi Corona është përhapur në Itali më parë se sa mendohej", titullon agjencia Reuters një artikull duke u bazuar në të dhënat e një studimi italian të publikuar së fundmi. Personat testues ishin pjesë e një studimi ku skanoheshin mushkëritë për të diagnostikuar kancerin. Për shkak të pandemisë dhe faktit që origjina e saj ngrinte shumë pyetje, studiuesit panë më me hollësi të dhënat e mbledhura nga provat e gjakut për periudhën shtator 2019-shkurt 2020. Ata gjetën antitrupa të SARS-CoV-2 në gjakun e të testuarve.

Jo më herët se mendohej

Ajo që habiti studiuesit e tjerë, për studiuesin e gjenetikës, Peter Forster nuk ishte shumë surprizuese. Përkundrazi: Këto njohuri të reja përputhen me rezultatet e studimeve të një analize filogjenetike të virusit, që Forster dhe kolegët e tij bënë në prill. "Në prill në bazë të të dhënave të atëhershme dhe përqindjes së transformimit të virusit, gjetëm, se aty nga mesi i shtatorit dhe dhjetorit 2019 duhet të ketë ndodhur përhapja e virusit". Të dhënat bazoheshin në genomin e virusit, dhe studiuesit përcaktuan tre degëzime të tij, që i quajtën, A, B,C, sepse donin të dinin, cili variant i virusit është më i vjetri për të hulumtuar mbi gjeografinë e lindjes së virusit. "Atëherë  të tre tipat, A,B,C gjendeshin në Kinë."

Italien Bergamo | Coronavirus | Krankenhaus
Mjekë në BergamoFotografi: Filippo Venezia/ANSA/picture alliance

Tipi A u gjet herët tek pacientët në Amerikën Veriore dhe Australi, ai C ishte i përhapur më shumë në Singapor, Japoni dhe Tajvan. "Mes të infektuarve ishte edhe një italian, me sa duket një turist", thotë Forster, "por shumica e të testuarve përmbante tipin B, që gjendej më shpesh në Vuhan", sipas studiuesit të gjenetikës. Vuhan konsiderohej që nga fillimi si vendi origjinë i pandemisë.

Për shkak se lakuriqët e natës konsiderohen si transmentues të virusit SARS, studiuesit krahasuan të tre variantet e identifikuara me virusin Corona që gjendej tek kafshët. Rezultati e habiti Peter Forster. "Dukej shumë qartë, që A ishte tipi më i vjetër", thotë ai, jo B, siç u gjend sidomos në Vuhan. "Unë dyshoj, se Vuhani është origjina e përhapjes së virusit."

Origjina në jug të Kinës?

Të dhënat flasin më shumë për një vend tjetër, që mund të jetë vend-origjinë i pandemisë, provinca jugore kineze Guandong. "Gjysma e të gjitha provave të atëhershme ishin të tipit A, e dyta, atje ka shumësi të lakuriqëve të natës dhe e treta, më parë atje ka pasur shpërthime të virusit Corona", thotë Forster. Megjithatë duhet të merret parasysh, që numri i provave që studiuesit kishin në dispozicion atëherë ishte shumë i vogël. Pra nuk kishte kaq shumë të infektuar. Analiza e Peter Forster nuk është e pakontestuar. Në revistën shkencore PNAS; "Proceedings of the National Academy of Sciences" disa studiues kanë shprehur kritika për metodikën e studimit e interpretimin e rezultateve.

Por nuk janë vetëm studimet që e datojnë prezencën e virusit Corona që në shtator. Ka të dhëna të tjera, që virusi ka qenë në Europë më parë se mendohet. Një hulumtim i i publikuar në qershor i ujërave të zeza e të bardha në Italinë veriore ka bërë të ditur, se virusi ka qarkulluar që në fund të vitit në vend. Megjithatë vetëm në shkurt u dokumentua rasti i parë i një italiani që nuk kishte bërë pushime në Kinë dhe ishte i infektuar me Corona. Prej këtij momenti gjithçka u zhvillua shumë shpejt dhe Italia përjetoi pasojat më të rënda të pandemisë në Europë me më shumë se 1,2 milionë të infektuar dhe 46.500 të vdekur.

China COVID-19 Test
Fotografi: Getty Images/AFP/H. Retamal

D614G pushton botën

Studiuesi Peter Forster e shpjegon këtë përhapje kaq të shpejtë të virusit me mutacionin e tij që solli një variant shumë më infektues, tipin B-D614G, një mutant i tipit B. Ky lloj virusi i ra në sy edhe disa studiuesve amerikanë rreth biologes, Bette Korber. Ata krahasuan të dhënat klinike të pacientëve që ishin infektuar me tipin D614G me të dhënat e infektimeve të tjera me SAR-CoV-2. "Aty u duk, se kishte një dallim vendimtar tek pacientët që ishin infektuar me mutantin e tij. Sasia e virusit në rrugët e frymëmarrjes tek këta pacientë ishte shumë më e madhe", thotë Forster. Këta pacientë ishin shumë më infektues dhe virusi mund të përhapej shumë më shpejt dhe më mirë. Për një kohë të shkurtër 97% e të infektuarve kishin variantin D614G, virusi siguroi kështu përhapjen e vet në të gjithë botën, ku sot ka më shumë se 55 milionë të infektuar. Studiuesi i gjenetikës, Forster megjithatë është i mendimit, se varianti vdekjeprurës i virusit ka tendencë rëniejeje. "Nëse një virus është forcuar brenda një popullsie, atëherë arrihen edhe reagime të sistemit imunitar, që e zbusin rrezikun e virusit."