Condoleeza Rice viziton Berlinin | Evropa | DW | 04.02.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Condoleeza Rice viziton Berlinin

Në udhëtimin e parë të saj jashtë vendit ministrja e jashtme amerikane Condoleeza Rice vjen sot për vizitë në Berlin, ku do të takohet me kancelarin gjerman Gerhard Schröder. Tema të bisedës janë ndër të tjera zhvillimet në Irak, në Iran dhe në Lindjen e Afërme. Gjithashtu do të përgatitet vizita në Gjermani e presidentit amerikan George W. Bush në fund të muajit shkurt.

Condolezza Rice

Condolezza Rice

Condoleeza Rice po punon me shpejtësi të madhe. Vetëm një javë pasi mori detyrën ministrja e jashtme amerikane po udhëton drejt Evropës dhe Lindjes së Afërme. Në fakt ish-këshilltarja për çështje të sigurisë nuk ka nevojë të prezantohet në Evropë, ajo ka qenë vazhdimisht e pranishme në të gjitha bisedimet e rëndësishme të presidentit Bush. E megjithatë edhe në Berlin pritet me padurim të shihet se çfarë theksesh do të vendosë Condoleeza Rice. Kur sot pasdite kancelari gjerman Gerhard Schröder të mirëpresë në zyrën e tij për një bisedë dyzetminutëshe pasuesen e Colin Powellit në detyrë do të ketë mjaft për të biseduar, edhe çështje të debatueshme. Për shembull mosmarrëveshja mbi programin bërthamor iranian. Rice e ka cilësuar Iranin si "pararojë të tiranisë", dhe qeveria amerikane parimisht nuk e përjashton zhvillimin e një lufte. Kancelari gjerman Schröder përkrah zgjidhjen diplomatike:

"Ne jemi kundër zotërimit të armëve bërthamore nga ana e Iranit, por duam ta zgjidhim politikisht problemin. Sipas gjykimit tonë çështja nuk duhet përfundojë në një ndërhyrje ushtarake."

Këtu Schröderi është në të njëjtën vijë me qeveritë në Londër dhe Paris, të cilat Rice po ashtu po i viziton. Në Paris gjatë një fjalimi bazë Rice do të formulojë përfytyrimet e veta për bashkëpunimin transatlantik. Vendi është zgjedhur me kujdes. Disa aleatë ia marrin ende për keq George W. Bushit që me "koalicionin e të vullnetëshmve" hyri në luftën e Irakut dhe për muaj me radhë u ktheu shpinën kritikëve. Edhe qeveria gjermane vazhdon ta konsiderojë gabim luftën e Irakut, por merr pjesë në rindërtim. Megjithatë me kufizime, siç ritheksoi këtë javë kancelari Schröder:

"Të dashur miq në botë, po ashtu duhet të jetë e qartë, se ka një kufi që do ta respektojë kjo qeveri: Nuk do të ketë ushtarë gjermanë në Irak!"

E në këtë mënyrë ekspertët gjermanë i instruktojnë policët dhe ushtarët irakianë vetëm jashtë territorit të Irakut, megjithëse kjo nuk përputhet me kërkesën maksimale të amerikanëve.

  • Data 04.02.2005
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFE
  • Data 04.02.2005
  • Autor Nina Werkhäuser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArFE