Cobel: ″Kosova një çështje shumë komplekse″ | FOKUS | DW | 09.08.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Cobel: "Kosova një çështje shumë komplekse"

Intervistë me ambasadorin gjerman në Beograd, dr. Andreas Cobel.

Radhë të gjata para një ambasade gjermane

Radhë të gjata para një ambasade gjermane


Për më shumë se 10 vjet me radhë, disa prej popujve të ish - Jugosllavisë, nuk kanë ditur asgjë tjetër veçse për izolime, shkatërrime ekonomike, shkollime dhe jetesë në kushte jonjerëzore, dëbime masive, luftëra të përgjakshme dhe vrasje të shumta. Të gjitha këto dukuri negative kanë thelluar edhe më shumë hendekun mes popujve nga hapsirat e ish - Jugosllavisë. Në veçanti tek fëmijët dhe të rinjtë, të cilët kanë pasur shumë pak, ose aspak, kontakte normale me moshatarët nga vendet tjera.
Hulumtimet e fundit statistikore në Serbi dhe Mal të Zi për shembull dëshmojnë se më shumë se 70 përqind e të rinjëve të atjeshëm, nuk kanë qenë kurrë jasht vendit të tyre.
"Serbia dhe Mali i Zi është një vend i cili për më shumë se 15 vjet me radhë ka jetuar në izolim. Njohuritë e vetme të kësaj rinie ishin lufta, intoleranca dhe urrejtja. Është shumë me rëndësi që këto përvoja të rënda të ndryshohen. Të rinjtë duhet të kenë mundësi të njohin moshatarët e tyre në Evropë. Duhet të kenë mirëkuptim, të shkëmbejnë përvoja, të njohin kultura dhe mendime të tjera, me synim perceptimin e ideve të reja dhe që të kuptojnë se në të ardhmen do të jenë banorë të Evropës", thotë në intervistë për Dojçe Velen, ambasadori gjerman në Beograd, dr. Andreas Cobel.
Por në disa rajone të ish - Jugosllavisë, edhe më tej ekziston një propagandë e fuqishme, e cila ushqen urrejtjen ndaj popujve tjerë dhe vështirëson pajtimin mes tyre.

"Besoj se në mesin e të rinjëve ekzistojnë më shumë potenciale për bashkëpunim, se sa tek përsonat të cilët nuk duan të jenë të hapur ndaj kulturave të tjera. Besoj se ata më lehtë i kuptojnë elementet që i bashkojnë. Prandaj, mendoj se për dallim prej të vjetërve, ata më shpejt mund të çlirohen nga intoleranca", thotë ambasadori gjerman në Beograd.

Si pasojë e luftërave në hapsirat e ish - Jugosllavisë janë vrarë më shumë se 250.000 përsona, ndërsa janë plagosur me qindra mijëra të tjerë. Miliona njerëz janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre dhe për muaj e vite të jetojnë në male apo në ndonjë vend tjetër. Ndërkohë që shumë politikanë as sot nuk janë në gjendje të përballen me të kaluarën, si parakusht kryesor për pajtim dhe hapjen e një perspektive të raporteve të mira ndërfqinjësore.

"Kur të paramendoni se Gjermania dhe Franca janë pajtuar mes vete, edhepse ishin në luftë për më shumë se 1000 vjet; Kur të paramendoni se gjermanët dhe polakët, të cilët poashtu kanë luftuar më shumë se 1000 vjet, janë pajtuar mes vete dhe kur të shikoni se ndërkohë është arritur një partneritet, e në shumë raste edhe miqësi mes gjermanëve dhe izralitëve, përkundër akteve gjermane kundër hebrenjëve: atëherë mendoj se procesi i pajtimit në Ballkan duhet të jetë më i lehtë", thotë diplomati gjerman i cili me hapsirat e ish - Jugosllavisë ka një përvojë të gjatë.

Në vitin 1992 dhe 1993 ai ishte pjesëmarrës i Konferencës paqësore të Gjenevës, ndërkohë që në vitin 1999 dhe 2000 ishte në Kosovë. Pikërisht Kosova paraqitet edhe sot një prej çështjeve më të nxehta në Ballkan. Nuk janë të paktë ata të cilët pohojnë se nga zgjidhja e statusit të ardhëshëm të Kosovës varet edhe stabiliteti, prosperiteti dhe perspektiva evropiane e këtij rajoni. Mirëpo, bashkësia ndërkombëtare deri tani nuk e ka thënë qartë se cila është perspektiva e Kosvoës. Deri tani dihet vetëm se çfarë nuk duhet bërë: nuk mund të ketë Kosovë të pavarur e cila do të bashkohej me ndonjë vend, apo pjesë të ndonjë vendi tjetër, dhe nuk mund të ketë ndarje të saj.

"Kosova është një prej çështjeve më të rëndësishme në përceptimin serb. Është një prej temave e cila dominon politikën e brendëshme serbe, së bashku me problematikën e integrimit të saj në Bashkimin Evropian dhe çështjen e bashkëpunimit me Tribunalin e Hagës. Çështja e Kosovës është jashtëzakonisht komplekse, sepse mosbesimi, urrejtja dhe armiqësia atje kanë rrënjë shekullore. Pas zhvillimeve të viteve 1998 - 1999, është shumë vështirë që, brenda një kohe të shkurtë, të gjenden zgjidhje të knaqëshme. Kjo nënkupton krijimin e një shoqërie multietnike, ku minoritetet të gëzonin të gjitha të drejtat dhe ku të stabilizohej gjendja ekonomike. Këto janë edhe parakushte për krijimin e një Kosove demokratike shumëetnike, e cila më vonë do të renditej në familjen evropiane", thotë Cobel.

Por në Serbi dhe në Kosovë kohët e fundit janë shtuar zërat që kontestojnë mundësinë e krijimit të një shoqërie multietnike. Ministri i jashtëm i Serbisë dhe Malit të Zi, Vuk Drashkoviq për shembull, i quan "gënjeshtra të kulluara" pohimet se në Kosovë po ndërtohet një shoqëri e këtillë. Ndërkohë që më së shumti po debatohet për decentralizimin e pushtetit. Pala serbe e sheh këtë si një lloj "garance për serbët e atjeshëm", ndërkohë që disa subjekte politike shqiptare thonë se "ky është vetëm hapi i parë drejt realizimit të synimit serb për kantonizimin e Kosovës". Ambasadori gjerman në Beograd është i bindur në mundësinë e bashkëjetesës së shqiptarëve dhe serbëve si dhe krijimit të një shoqërie multietnike.

"Po. Nuk mund ta paramendoj që Kosova të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, pa bashkëpunim dhe bashkëjetesë mes serbëve dhe shqitparëve të atjeshëm", thotë ai.

Tema tjetër e cila disa vjetët e fundit preokupon opinionin serb, është bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës. Prej fillimit të këtij viti e deri më sot, janë shënuar rezultate të mira në këtë drejtim. Shumë prej të akuzuarve - me ose pa presione - janë dorëzuar në Hagë, ku akuzohen për krime lufte në Kroaci, Bosnje - Hercegovinë dhe Kosovë. Megjithatë, problemi më i madh edne nuk është zgjidhur. Dy të akuzuarit kryesor për krime në Bosnje - Hercegovinë dhe gjenocid në Srebrenicë, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, ende janë të lirë. Beogradi në veçanti akuzohet për mosdorëzimin e Mlladiqit, për të cilin dyshohen se është në Serbi. Përkundër parlajmërimeve të shumta, Mlladiq nuk u dorëzua as në përvjetorin e dhjetë të masakrës më të madhe të pasluftës së Dytë Botërore - në Srebrenicë.

"Jam pak i zhgënjyer me perceptimin në Serbi të ngjarjeve në Srebrenicë, të para dhjetë vjetëve. Ka pasur një fjalim shumë të guximshëm të presidentit të Serbisë dhe Malit të Zi, Svetozar Maroviq. Ka pasur edhe një vepër shumë të guximshme të presidentit serb, Boris Tadiq, i cili ishte në Srebrenicë ku viktimat nderoi me ndezjen e një qiriu. Janë këto sinjale se Serbia është e gatshme të përballet me të kaluarën. Mirëpo, për fat të keq, këto ishin vetëm vepra individuale. Kryeministri serb Vojisllav Koshtunica, dhe shumë politikanë të tjerë, nuk patën guxim të dalin dhe të thonë: po në të kaluarën kemi bërë akte të padrejta dhe jemi të gatshëm të përballemi me këtë. Natyrisht që të padrejta dhe krime janë bërë edhe kundër popullit serb. Mirëpo, këto krime ishin kundërpërgjigje ndaj krimeve serbe. Prandaj, serbët janë ata të cilët së pari duhet të përballen me fajin e të së kaluarës. Më pas mund të pritet që edhe të tjerët të përballen me fajësinë e tyre. Por, procesi duhet të fillojë në Serbi. Për fat të keq, edhe dhjetë vjet pas Srebrenicës, ky qëndrim është shumë, shumë i përmbajtur", pohon ambasadori gjerman në Beograd.

Analistët në Beograd pohojnë se çështja e Kosovës dhe bashkëpunimi me Tribunalin e Hagës, janë dy prej temave më të rëndësishme në rrugën e Beogradit drejt Bashkimit Evropian.

"Në Serbi dhe Mal të Zi ekzistojnë probleme të mëdha dhe një gjendje shumë e rëndë ekonomike. Mirëpo, ndërkohë ka lëvizje pozitive drejt integrimit të këtij vendi në strukturat euroatlantike. Prej fillimit të këtij viti, janë shënuar përparime të mëdha në bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës. Këto përparime janë shpërblyer prej bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti prej Bashkimit Evropian. Mirëpo rruga deri në integrimin e plotë është shumë e gjatë. Ndërkohë që Serbia është në filim të kësaj rruge. Ajo gjenden në nivelin ku vendet e Evropës lindore dhe qendrore ishin para 20 vjetësh", pohon Cobel, i cili në postin e ambasadorit në Beograd gjendet prej fillimit të këtij viti.
Mirëpo, ambasadori gjerman nuk merret vetëm me aktivitetet diplomatike.
I paetur nëse pas akuzave të fundit, për të ashtuquajturën "aferë e vizave", në Ukrainë dhe Rusi por edhe në Kosovë dhe Shqipëri, edhe në Beograd ka pasur raste keqpërimesh, ai përgjigjet: "Jo. Unë me vëmendje të posaçme po e përcjellë punën e sektorit të vizave. Kolegët dhe nëpunësit janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme. Probleme të vogla paraqiten gjithmonë, por deri tani nuk kemi asnjë rast keqpërdorimi", thotë ai duke shtuar se ambasada gjermane në Beograd, është një prej më të ngarkuarve në rajon: "Interesimi është i jashtëzakonshëm. Njerëzit me nënshtetësi të Serbisë dhe Malit të Zi, përbëjnë grupin e dytë më të madh të të huajve në Gjermani: me rreth 500.000 - 600.000 përsona. Ekziston një frekuentim shumë i madh mes njerëzve që jetojnë në Gjermani dhe atyre që jetojnë këtu. Çdo vit ambasada gjermane në Beograd përpunon rreth 70.000 kërkesa për vizë, që do të thotë, nëse e kam llogaritur mirë, rreth 200 viza në ditë."


  • Data 09.08.2005
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqjA
  • Data 09.08.2005
  • Autor Bahri Cani
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqjA