Cilat ndryshime financiare sjell për një vend statusi i kandidatit për antarërsim në BE? | Evropa | DW | 27.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Cilat ndryshime financiare sjell për një vend statusi i kandidatit për antarërsim në BE?

Vendet si Rumania, Bullgaria dhe Kroacia po i afrohen ngadalë BE. Në fillim këto vende "asocioen" dhe më vonë bëhen kandidatë zyrtarë për antarësim. Ndryshimi i këtij statusi sjell edhe konsekuencat për mbështetjen financiare që merr secili nga këto vende nga BE.

default


Mirësevini në xhunglën e mbështetjes financiare të BE: Në faqet e internetit të BE-së mund të lexosh marreveshje strategjike pafund, të cilat shoqërohen gjatë gjithë kohës nga një gjuhë byrokratësh. Duket pothuajse e pamundur të gjesh se ç`do do të ndryshojë financiarisht për një vend, kur ky kthehet në një vend kandidat për antarësim në BE. Cdo përpjekje për ta gjetur këtë në internet duket e kotë:


"Unë ju kuptoj fare mirë dhe duhet të pohoj se madje edhe për ata njerëz që punojnë me këto struktura është e vështirë t´i kuptojnë të gjitha mekanizmat e këtij institucioni."


Jacques Wunenburger është kryetari i përfaqësisë së Komisionit Evropian në Kroaci që prej tre vitesh. Këtu ai vendos se ç´do të ndodhë me eurot që vijnë nga Brukseli.

Deri tani ekzistonte programi financiar CARDS si ndihmë nga BE për vendet e Evropës Juglindore. Këtë vit në Kroaci hynë nëpërmjet pikërisht këtij programi 76 milionë euro. Euro këto që shërbëjnë për specializimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si edhe për përmirësimin e infrastrukturës rrugore.

Kur në janar të vitit 2005 do të fillojnë bisedimet për antarësimin në BE, Kroacia do të ketë të drejtë të marrë ndihmën financiare për të ashtuquajturin statusin e paraantarësimit në BE. Programet PHARE dhe ISPA do ta zëvendësojnë programin dhe do të sjellin 100 milionë euro në vend.

"Këto fonde evropiane nuk janë menduar për t´u investuar në fushën ekonomike. Ato do të përdoren për t´i afruar ligjin dhe strukturat juridike më pranë standarteve të BE, si edhe për të sjellë në nivelin e BE infrastrukturën për transportin dhe ekologjinë."


Programi PHARE sjell më shumë të holla se të gjitha programet e tjera. Me këto euro do të reformohen institucionet kroate si për shembull aparati juridik. Do të specializohen bashkëpunëtorët, do të ftohen ekspertët e BE dhe do të përmirësohet ana teknike.
Programi i dytë, ISPA, do të shërbejë për forcimin e mbrojtjes së ambientit dhe infrastrukturës. Në fakt këto dy programe vazhdojnë të ndjekin linjën e vjetër, thotë Wunenburg:

"Nga ana praktike do të shohim se këto programe i shërbejnë arritjes së normave evropiane. Një projekt në sektorin e ekologjisë - për shembull një projekt për përpunimin e ujit të pijshëm - do të pranohet në programin ISPA vetëm nëse ky projekt i përmbush kriteret e standarteve të BE. Ndoshta qytetarët nuk e shohin menjëherë, por ata përfitojnë nga ky program."

Edhe organizatat joqeveritare mund të përfitojnë nga programet e BE. Përfaqësia e BE-së në Zagreb vendos së bashku me ekspertët kroatë se cili projekt do të mbështetet financiarisht nga programet e BE-së. Dy deri tre herë ne vit, BE bën u bën thirrje në internet organizatave të ndryshme që të prezantojnë propozimet e tyre.

"Kjo që bëjmë ne është një lloj konkurimi në treg. Ne presim që organizatat joqeveritare të na propozojnë projektet e tyre. Deri tani çdo gjë ka funksionuar shumë mirë, kemi financuar disa qindra projekte."

Në vitin 2006 do të fillojë një program i tretë, SAPARD. 35 milionë euro do të hyjnë në një agjensi të re shtetërore, e cila fillimit do të ndërtohet me ndihmën e programit CARDS. Ky program ka për qëllim përmirësimin e fushës së bujqësisë kroate sipas standarteve të BE-së.

Tre programet për ndihmën e shteteve që ndodhen në prag të antarësimit PHARE, ISPA dhe SAPARD janë krijuar për të gjitha shtetet që do të antarësohen në BE. Sidomos Rumania dhe Bullgaria po përfitojnë nga këto programe. Vetëm gjatë këtij viti secili nga këto dy vende mori katër herë më shumë të holla sesa Kroacia. BE vendos e si do të shpenzohen më pas këto të holla.


Jacques Wunenburger drejtonte Komisionin Evropian në Bullgari përpara se të vinte në Zagreb. Në Bullgari shumica e ndihmës financiare u përdor për të përmirësuar strukturat ekonomike. Kjo ishte fusha më e dobët asokohe, thotë Wunenburger:

"Prodhimi i përgjithshëm kombëtar është në Kroaci tre herë më i lartë se sa ka qënë në Bullgari. Ky nuk është kriter për antarësim në BE, por sidoqoftë ka një vlerë të rëndësishme ekonomike, sepse Kroacia shihet si një treg ekonomik i përparuar, ndërkohë që Bullgaria nuk mund të konsiderohej e tillë. Kroacia ka shanse shumë të mira, jo vetëm po të krahasohet me Bullgarinë, por edhe me shtetet e tjera që do të hyjnë në Be më 1 maj. Prandaj mbetet të shpresojmë që edhe procesi i antarësimit të Kroacisë të mos zgjatë shumë kohë."

Ndërkohë Turqia nuk e ka kaq të lehtë. Në dhjetor të këtij viti, shefat e vendeve antare të BE do të vendosin nëse Turiqa do të hyjë në raundin e bisedimeve për antarësim. Vetëm pas këtij takimi do të vendoset se cilat programe financiare evropiane do të hyjnë në Turqi. Që nga viti 2001 ky vend merr një ndihmë të veçantë financiare. Këtë vit kjo ndihmë arriti shumën e 235 milionë euro.

Të gjitha këto ndihma financiare nga BE do të përfundojnë në vitin 2006. Deri tani askush nuk mund të thotë se cilat programe financiare do të krijohen në vitin 2007 për vendet që ndodhen në statusin e pritjes për antarësim në BE. Brukseli ka vendosur deri tani vetëm se programi i ri financiar do të quhet IPA.

  • Data 27.10.2004
  • Autor Tina Gerhäusser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArG2
  • Data 27.10.2004
  • Autor Tina Gerhäusser
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArG2