Cilat janë shanset e suksesit të samitit të Londrës? | FOKUS | DW | 27.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Cilat janë shanset e suksesit të samitit të Londrës?

Qëllimi i këtij samiti të jashtëzakonshëm të organizuar nga kryeministri britanik, Toni Bler, janë konsultimet mbi të ardhmen e BE-së, kryesisht zhvillimi i strategjive ekonomike dhe sociale

Hampton Court

Hampton Court

Në qytezën historike Hampton Court pranë Londrës u hap samiti i kryetarëve të shteve dhe qeverive të BE-së. Bler e organizon këtë takim në funksionin e tij si president i radhës së këshillit të kryeministrave të unionit.

Të duket se ndodhesh në një skenë filmi. Pallati madhështor i Tudorëve i rrethuar nga një park i mrekullueshëm, një diell që shndrit duke reflektuar mbi valët e lehta të lumit Tamiz. Në këtë mjedis i ka ftuar kryeminsitri Toni Bler kolegët e tij të 25 vendeve anëtare për t´u konsultuar mbi të ardhmen e BE-së. Të gjithë të ftuarit duke bërë përshëndetjet e rastit dhe duke hyrë në pallatin madhështor dukeshin në humor të mirë dhe plot vullnet për të rënë dakord për një kurs të ri për Evropën.

Bler dëshiron që diskutimi për të ardhmen e politikës sociale, ekonomike dhe asaj buxhetore të mos turbullohet prej grindjeve që vazhdojnë ende nën rrogoz lidhur me kuadrin buxhetor të BE-së për vitet 2007- 2013. Për paratë duhet të vendoset konkretisht në samitin e dhjetorit në Bruksel. Kryeministri britanik i drejtoi një apel kryetarëve të shteteve dhe qeverive të BE--së: "Jam i gatshëm që t'a zgjidhim grindjen për buxhetin, por kjo duhet të ndodhë mbi një bazë racionale. Qytetarët duhet t´i kuptojnë prioritet e tyre në buxhet."

Samiti i fundit në qershor dështoi pikërisht për këtë çështje. Toni Bler insistoi në pozicionin e tij për një ulje të kontributeve për buxhetin. Ndërkohë që Franca ngul këmbë për subvencione më të larta agrare. Gjatë samitit në Hampton Court Bler do që ta sheshojë këtë debat: "Eshtë e rëndësishme që Britania e Madhe dhe Franca të bashkëpunojnë, nëse është e mundur, por kuptohet që ne kemi mendime të ndryshme. Evropa mund të zhvillohet vetëm kur të gjejmë një emërues të përbashkët. E për këtë po përpiqemi."

Përpara se të nisej për në Londër presidenti francez, Zhak Shirak u tregua i gatshëm për kompromise: ai dëshiron të propozojë që buxheti për kërkimet shkencore në BE të dyfishohet pa e rritur buxhetin në përgjithësi.

Bashkë me presidentin e Komisionit të BE-së, Hoze Manuel Barrozo, Bler propozon kirjimin e një fondi prej 3,5 miliardë eurosh për përballimin e pasojave të globalizimit, shkurtimet masive të vendeve të punës. Edhe Shiraku e ka kërkuar krijimin e një fondi të tillë.

Por delegacioni i Gjermanisë, i Holandës dhe i Suedisë tërheqin vëmendjen, se askush nuk e ka të qartë se nga do të dalin këto miliarda shtesë. Gerhard Shrëderi, i cili vazhdon të ushtrojë postin e kancelarit deri në krijimin e qeverisë së re në Berlin dhe që patjetër dëshironte të merrte pjesë në këtë samit, është kundër synimeve liberale për tregun që ndjekin Bleri dhe Barrozo lidhur me rolin e BE-së në botën e globalizuar. Qysh përpara samitit socialdemokrati Shrëder deklaroi, se nuk do të ndjekë modelin britanik.

I pyetur nëse do të kish qenë më mirë që në vend të Shrëderit në samit të merrte pjesë kancelarja e ardhshëm Angela Merkel, Bler theksoi: "Eshtë e drejtë që vjen Gerhard Shrëderi. Por e rëndësishme është edhe që qëllimi strategjik të përcaktohet mbi bazën e propozimeve të Komisionit. Ky do të ishte një hap i madh përpara."

Në fund të takimit Toni Bler do t´i parashtrojë përmbledhtas në një konferencë shtypi mendimet e kolegëve të tij për të ardhmen e BE-së. Vendime me shkrim nuk do të ketë. Ndërsa fati i kushtetutës së BE-së që u hodh poshtë në referendumet në Francë dhe Holandë, sipas planeve britanike nuk bën pjesë në rendin e ditës.

  • Data 27.10.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqi6
  • Data 27.10.2005
  • Autor Bernd Riegert
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/Aqi6