Cilat do të jenë përgjegjësitë e të ngarkuarit të Bashkimit Evropian për Veriun e Kosovës | Ballkani | DW | 13.10.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Cilat do të jenë përgjegjësitë e të ngarkuarit të Bashkimit Evropian për Veriun e Kosovës

BE nuk ka emëruar ende zyrtarisht të dërguarin për veriun e Kosovës, mirëpo qartësohet se diplomati, që do të ketë mandat të BE-së, do të përpiqet të lehtësojë komunikimin ndërmjet serbëve dhe misionit evropian EULEX.

default

Ura e Mitrovicës natën vonë

Analistët thonë se emërimi i një përfaqësuesi ndërkombëtar për veriun e Kosovës hap dilema, nëse ky emërim do të ndihmojë në integrimin e pjesës veriore të Kosovës, apo do të ruajë gjendjen aktuale të një status-quoje.

Akoma nuk dihet qarte se cilat do të jenë përgjegjësitë e të dërguarit të ardhshëm të BE-së për veriun e Kosovës, ambasadorit Italian Majkël Gjifoni. Ambasadori italian, i cili aktualisht ushtron postin e ambasadorit të Italisë në Kosovë, akoma nuk ka qartësuar rolin e tij në veri të Kosovës, përderisa nuk është emëruar zyrtarisht nga BE-ja. Mirëpo analistët e pavarur thonë se vetë fakti që BE-ja dërgon përfaqësues special për veriun e Kosovës, hap dilema, nëse ky emërim do të ndihmojë në integrimin e pjesës veriore të Kosovës, apo do të ruajë gjendjen aktuale të një status-quoje. Pjesa veriore e Kosovës nuk kontrollohet nga qeveria e Kosovës, ndërsa misioni evropian EULEX nuk është i mirëpritur nga serbët e kësaj pjese. I ngarkuari i BE-së për veriun e Kosovës thuhet se do të lehtësojë komunikimin e misionit EULEX me serbët e Kosovës. BE-ja e ka përfaqësuesin në nivel Kosove, diplomatin Peter Faith, i cili po ashtu mbikqyr zbatimin e planit të Marti Ahtisarit. Analisti Ilir Deda thotë se me emërimin e përfaqësuesit për veriun e Kosovës po zbehet roli i zyrës civile ndërkombëtare, i vetmi mekanizëm ndërkombëtar në Kosovë, që njeh pavarësinë e vendit.

"Me emërimin e ambasadorit italian automatikisht bëhet e paqartë se cilat janë kompetencat e përfaqësuesit special të Bashkimit për Kosovën. Tjetra paqartësi është se çfarë do të thotë lehtësim i komunikimit të EULEX-it me strukturat paralele serbe në veri dhe cili është mandati, a është integrimi i serbëve, apo realisht po ndodh ndarja", thotë Ilir Deda.

Mirëpo shefi i zyrës civile ndërkombëtare, Peter Faith, thotë se roli i tij si përfaqësues i BE-së për Kosovën nuk do të zbehet.

"Nuk do të ketë efekt në pozicionin tim si përfaqësues i BE-së për Kosovën, sepse ambasadori Gjifoni do të punojë më mua, për mua dhe do të më ndihmojë mua. Roli i tij do të jetë më shumë që t'u shpjegojë njerëzve në këtë pjesë për përspektivën evropiane", thotë Peter Faith.

Prania sa më e madhe ndërkombëtare në pjesën veriore të Kosovës mirëpritet nga qeveria e Kosovës.

Kryeministri Hashim Thaçi thotë se në veriun e Kosovës gjërat po lëvizin pozitivisht. "Me rëndësi është që do të ketë prezencë gjithnjë më të madhe ndërkombëtare në këtë pjesë, pra edhe evropiane dhe amerikane, prezencë të misionit EULEX dhe ICO-së, por edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat vazhdimisht po investojnë në këtë pjesë." thotë kryeministri Thaçi.

Në pjesën veriore të Kosovës akoma është funksionale edhe administata e Kombeve të Bashkuara, UNMIK, sepse vetëm me këtë mekanizëm pranojnë të bashkëpunojnë serbët e kësaj pjese. Sekretari i Përgjithshëm OKB-së, Ban Ki Mun, në rapotin e tij të fundit për Kosovën, që do të shqyrtohet me datën 15 të këtij muaji në KS-it, ka thënë se UNMIK-u do të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë, përderisa është në fuqi rezoluta 1244 e KS-it. Në bazë të kësaj rezolute funksionon edhe misioni evropian EULEX, mirëpo jo zyra civile ndërkombëtare dhe i ngarkuari ardhshëm i BE-së për veriun e Kosovës.

Autor: Bekim Shehu.

Redaktoi: Angelina Verbica

  • Data 13.10.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/K5GX
  • Data 13.10.2009
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/K5GX
Reklamë