Ceremoni përkujtimore për viktimat e Aushvicit në Poloni, Gjermani dhe në Parlamentin Evropian | Politika | DW | 27.01.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Ceremoni përkujtimore për viktimat e Aushvicit në Poloni, Gjermani dhe në Parlamentin Evropian

default

Me praninë e personaliteteve ndërkombëtare nga rreth 40 shtete të botës u zhvillua në Poloni ceremonia qendrore përkujtimore për 60 vjetorin e çlirimit të kampit të përqëndrimit dhe asgjësimit, Aushvic-Birkenau. Në forumin në Krakov nën moton "let my people live" "leri të jetojnë njerëzit e mi" morën pjesë ndër të tjera presidenti i Polonisë, Aleksandër Kvasnievski, kolegu i tij izraelit, Moshe Kacav dhe zëvendëspresidenti amerikan Dik Ceni, si dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin. Putini e cmoi rolin e ushtarëve sovjetikë në clirimin e Aushvicit dhe Evropës nga nazistët:

"Të parët që i panë me sytë e tyre pasojat e akteve mizore të nazistëve në Poloni ishin ushtarët sovjetikë. Ata shuan përgjithmonë furrat e Aushvicit, Majdanekut dhe Treblinkës dhe e shpëtuan Krakovin nga shkatërrimi i plotë."

Putini ndër të tjera tha se e kupton kancelarin gjerman Gerhard Shrëder, kur thotë se i vjen turp për të kaluarën. Por ajo është e kaluara tha Putini dhe shtoi:

"Edhe në vendin tonë, në Rusi, e cila kontribuoi më shumë për fitoren mbi fashizmin dhe për clirimin e popullit hebre ka për fat të keq raste të sëmundjes antisemitiste. Edhe mua më vjen turp për këtë."

Në hapje të ceremonive përkujtimore në Krakov të Polonisë, mori pjesë edhe presidenti i Gjermanisë, Horst Këler. Në teatrin Slovaki në Krakov në ceremoninë e Kongresit Evropian të Hebrenjve presidenti polak Aleksander Kvasnievski vlerësoi para së gjithash përpjekjet e ushtrisë sovjetike, që cliroi kampin e përqëndrimit të Aushvicit në vitin 1945. Ai deklaroi më tej:

"Unë jam i bindur thellësisht se të mbledhur në Teatrin Slovaki të Krakovit shprehim dëshirën e gati të gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të mos triumfojë më kurrë e keqja, që askun dhe kurrë të mos përsëritet edhe Aushvici më i vogël."

Me një orë përkujtimore, Bundestagu gjerman përkujtoi sot 60 vjetorin e clirimit të kampit të përqëndrimit Aushvic dhe viktimat e nacionalsocializmit. Presidenti i Bundestagut, Volfgang Tirze u bëri thirrje me këtë rast gjermanëve që të bëjnë rezistencë kundër propagandës neonaziste. Eshtë një turp dhe një sfidë e jashtëzakonshme njëkohësisht, që në ditët tona neonazistët ndodhen sërish në parlamente.

"Pikëpamje ekstremiste të djathta janë ngulitur thellë në pjesë të shoqërisë,këtë na duhet ta vëzhgojmë prej vitesh, sado e hidhur që është. Politikanë ekstremistë të djathtë guxuan vetëm pak kohë më parë në një parlament gjerman ta zbutin barbarizmin e holokaustit dhe të mos i vështrojnë me respekt viktimat. Deputetët e Partisë Nacionaldemokrate Gjermane në Dresden e hoqën maskën e tyre dhe për të gjithë është e dukshme: në një parlament gjerman janë të përfaqësuar sërish neonazistët."

Tirze tha më tej se Gjermania demokratike nuk është e pambrojtur ndaj këtyre akteve dhe kërkoi që të gjithë demokratët t'u bëjnë sfidë politike ekstremistëve të djathtë. Më tej ai shtoi:

"Që gjermanishtja të mos bëhet kurrë më gjuha e vrasjes, e antisemitizmit, e armiqësisë ndaj të huajve, e gënjeshtrës dhe e paragjykimeve raciste, për këtë na detyron përgjithnjë dita e sotme."

I mbijetuari nga holokausti, Arno Lüstiger vlerësoi në fjalën e tij para parlamentit gjerman të burgosurit e Aushvicit, që parashikonin më 1944 një kryengritje dhe shkatërrimin e të gjithë krematorëve. Ai i kritikoi historianët që e kanë vështruar për një kohë të gjetë si margjinale rezistencën e hebrenjve dhe që nuk e marrin nganjëherë seriozisht edhe sot. Lustiger mbijetoi disa kampe përqëndrimi, kaloi disa vjet në ilegalitet dhe ishte bashkëthemelues i bashkësisë hebreje në Frankfurt mbi Main.

Parlamenti Gjerman kujtoi me një minutë heshtje viktimat e nacionalsocializmit.

27 janari u shpall në vitin 1996 nga ish- presidenti gjerman Roman Hercog ditë e përkujtimit të viktimave të nacionalsocializmit. Më 27 janar 1945 u clirua kampi i përqëndrimit të Aushvicit nga ushtria sovjetike.

Parlamenti Evropian përkujtoi sot gjithashtu me një minutë heshtjeje viktimat e holokaustit. Në një deklaratë të miratuar në Bruksel, deputetët kërkuan që 27 janari të shpallet Dita Përkujtimore Evropiane e Holokaustit.

  • Data 27.01.2005
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquJ
  • Data 27.01.2005
  • Autor Auron Dodi
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AquJ