Censura në internet: Rusia ndjek shembullin e Kinës | Bota | DW | 03.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Bota

Censura në internet: Rusia ndjek shembullin e Kinës

Rusia praktikisht po izolohet virtualisht. Me një ligj të ri, Moska po braktis internetin global dhe po hap rrugën për një intranet të brendshëm, më lehtësisht të kontrollueshëm. Por Rusia nuk është e vetmja.

Karikatur Sergey Elkin - Thema: Russland plant autonomes Internet

Rusia hap rrugen drejt internetit autonom. Karikature: Interneti Autonom, nga Sergey Elkin

Rusia, Kina, Irani, Vietnami, Kuba, Koreja e Veriut: Lista e vendeve, në të cilat interneti është pjesërisht apo edhe tërësisht i bllokuar, është e gjatë. "Qeveritë në mbarë botën po përpiqen të fitojnë gjithnjë e më shumë kontroll mbi atë që ndodh në internet", thotë avokati hollandez për privatësinë, Joris van Hoboken. Kjo gjithashtu lidhet me shtimin e sistemeve autokratike. Shembulli më i ri është Rusia. Presidenti Vladimir Putin miratoi të mërkurën në Moskë një ligj për të krijuar një internet vetëm rus. 

Komunikimi rus në internet do të drejtohet në të ardhmen nëpërmjet serverëve vendas. Operatorët e shërbimeve të Internetit do të duhet të sigurojnë që ata janë në gjendje të kontrollojnë komunikimin brenda rrjeteve. Ligji do të hyjë në fuqi në datën 1 nëntor. 

Moska imiton Kinën 

Operatorët e internetit në Rusi mund të identifikojnë kështu rreziqe potenciale dhe t'i luftojnë ato.  "Rusia ka ndërtuar kështu kuadrin ligjor për të mbyllur pjesët e internetit dhe për të kontrolluar më fuqishëm llojin e internetit që rusët mund të perceptojnë në vend", thotë van Hoboken. 

Rusia ka një model shumë të suksesshëm: Kinën. Për dekada të tëra, vendi aziatik ka ngritur një sistem kompleks censure në internet. raporti "Freedom on Net", i cili u publikua në tetor 2018 nga organizata joqeveritare "Freedom House", e përshkruan Kinën si "vendin që abuzon më së shumti me lirinë e internetit për vitin 2018". Vendi ka platformat e veta, të ngjashme me Youtube, Whatsapp dhe Twitter, por në to janë të  bllokuara  përmbajtjet kritike.

Kinezët e rinj, të cilët nuk kanë qenë kurrë jashtë vendit, i njohin platformat e mëdha amerikane vetëm me të dëgjuar. Kjo i lejon Partisë Komuniste të kontrollojë më shumë nga afër se çfarë informacioni marrin kinezët. Kompanitë e veta kanë më shumë gjasa të jenë në përputhje me ligjet dhe kërkesat se platformat ndërkombëtare të punës. 

Por censura e internetit ka edhe arsye ekonomike, thotë van Hoboken. "Veçanërisht një fuqi ekonomike si Kina ka një interes të madh për të forcuar industritë e veta, për shembull motori kinez i  kërkimit është një kompani shumë e suksesshme teknologjike". Masat kufizuese në internet nuk duhet të kenë vetëm arsye politike.

Russland l Demonstration für freies Internet in Russland (Yulia Vishnevetskaya)

Protestues ne Moske kunder censures ne Internet.

Rasti ekstrem i Koresë së Veriut

Në mbarë botën, rregullimi i internetit është rritur. Raporti mbi lirinë në rrjet zbuloi se në vitin 2018, liria e internetit ka rënë për të tetën vit me radhë. Disa vende, si Kina dhe Rusia, mbështeten në intranetin e tyre. Në Korenë e Veriut, përjashtimi është ekstrem. Interneti përfshin vetëm disa faqe interneti të Koresë së Veriut. 

Megjithatë, shumica e sulmeve mbi lirinë në rrjet kanë shërbyer për të rregulluar përmbajtjen në mënyrë selektive, thotë eksperti van Hoboken. Mund të jenë mesazhe politike, por edhe rregullore të rëndësishme për mbrojtjen e fëmijëve. 

Shqetësuese ishin ndërhyrjet, sipas van Hoboken-it, që zbulonin një infrastrukturë që mund të mbyllej përkohësisht të gjithë rrjetin. Kjo është konfirmuar edhe nga raporti "Liria në rrjet". Në pothuajse gjysmën e vendeve ku liria e rrjetit ka rënë, ndërhyrjet kanë të bëjnë me zgjedhjet. Paqëndrueshmëria politike përdoret gjithashtu si arsye për të kontrolluar përmbajtjen në internet. 

Në Sri Lanka, pas sulmeve terroriste, mediat sociale  i kishin mbyllur përkohësisht për të parandaluar përhapjen e informacioneve te pakontrolluara.

Kontradiktat mbi "filtrin e ngarkimit"

Liritë në internet nuk i kufizojnë vetëm shtetet autokratike.  Edhe shtetet demokratike nuk janë imune nga ndërhyrja kundër lirisë në rrjet. Në Gjermani, për shembull, i ashtuquajturi Akti i Zbatimit të Rrjetit parashikon që t'i detyrojë platformat që të fshijnë mesazhet e urrejtjes. Edhe "filtri i ngarkimit" i Bashkimit Evropian është i diskutueshëm.

"Rregullat në rrjet duhet të jenë të balancuara mirë midis sigurisë, lirisë dhe mbrojtjes së të dhënave", tha zëdhënësja për politikën e rrjetit e partisë gjermane "Aleanca 90 / Të Gjelbrit", Tabea Rößner. "Por rregullat janë të nevojshme. Veprat penale duhet të ndiqen." 

"Për të shmangur kufizimet në rrjet, organizata "Reporterët pa Kufij" në vitin 2015 nisi fushaten #CollateralFreedom. Çdo vit, në "Ditën Botërore të Censurës së Internetit" (12 mars) zhbllokohen disa faqe interneti të censuruara. Këtë vit, kjo u arrit në tri platforma në Arabinë Saudite, Pakistan dhe Kinë.

Politikania e gjelbër Tabea Rößner, pavarësisht kontrollit dhe rregulloreve në rritje të rrjetit, ka ende shpresa: "Gjithmonë do të ketë njerëz të ditur dhe të mençur që gjejnë rrugën e tyre për të anashkaluar kontrollet në rrjet".