Censurë në RAI? Bujë publike për manipulim të medieve në Itali | Evropa | DW | 03.05.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Censurë në RAI? Bujë publike për manipulim të medieve në Itali

Silvio Berluskoni është kryeministër dhe njëkohësisht cari i medieve në Itali, por liria e shtypit kurrësesi nuk përputhet me një kombinim të tillë. Lajmet përpilohen në mënyrë të njëanshme, madje ato manipulohen, kjo është kritika që drejtohet ndaj Berluskonit dhe perandorisë mediatike të tij. Moderatorja më në zë e televizionit shtetëror italian, Lili Gruber, ka shaktuar tani një bujë të madhe, duke demaskuar hapur dhe me zë të lartë ndërhyrjen e politikës në punën e medieve.


Më një kritikë të ashpër Lili Gruber ka goditur RAI-n. Në një intervistë dhënë një gazete stari i RAI-t Gruber ka bërë bujë në Itali duke nxjerrë për herë të parë në pah arësyet e kalimit të saj në politik. Akuza e Lili Gruber është: televizioni publik italian nuk është më në shërbim të qytetarëve, por ai punon vetëm në shërbim të maxhorancës qeveritare.

Gazetarja nga Tiroli i Jugut gjen edhe mbështetjen e redaktorëve të RAI-t. Ata së bashku kanë përpiluar një libër demaskues, në të cilin janë përmbledhur rastet se si manipulohen edicionet e lajmeve të TG 1 sipas shijes së qeverisë së Berluskonit. Një shembull për këtë është se, programi i parë i RAI-t ishte ndoshta i vetmi në Evropë që verën e kaluar nuk transmetoi me zërat orgjinalë atakimet që i bëri Berluskoni në Parlamentin Evropian deputetit socialdemokrat gjerman Shulc.

"Të gjitha lajmet televizive në Itali dhe në botën e jashtme e transmetuan në orjginal atakimin turpërues të Berluskonit. Vetëm në TG 1 këto pamje nuk u transmetuan dhe programi u mjaftua me rrëfimin e një reportereje lidhur me atë që kish ndodhur."

Një rast tjetër: Fjalimi i Berluskonit vitin e kaluar në OKB në Nju Jork mbahej në një sallë pothuajse të zbrazët. Por televizioni publik italian e paraqiste atë në një sallë plenare të mbushur plot, në të cilën duartrokitej me entuziazëm. Producentët e edicionit të lajmeve fajlimin e Berluskonit e kishin montuar me pamje arkivi për të krijuar përshtypjen, se fjala e kryeministrit të Italisë është pritur me entuziazëm në Nju Jork.

Emisionet me përmbajtje kritike ndaj qeverisë në televizionin publik gjatë muajve të fundit janë ndërprerë. Viktimë e kësaj linje është edhe emisioni satirik Raiot. Pas premierës që pati sukses dhe një numër të madh teleshikuesish, emisioni nuk u transmetua më në RAI. Satiristja Sabina Guzanti guxoi që në emisionin e saj të trajtojë edhe temën e lirisë së informacionit në Itali.

Ndryshe nga televizionet publike në Gjermani, në Itali drejtoria e televizionit publik vendoset prej maxhorancës qeveritare. Kryeministri dhe manjati i medieve Berluskoni shfrytëzon influencën e tij për të korrigjuar, sic ndodhi edhe javën e kaluar, pikët e ulëta të elektoratit për të. Berluskoni madje telefonon drejtpërdrejtë në edicionin më të rëndësishëm sportiv të Italisë, në mënyrë që të intervistohet për futbollin italian. Edhe nëpër bisedat televizive në studio si dhe në edicione të tjera informative Berluskonit i jepet shumë shpesh fjala, madje aq sa edhe presidentja e televizionit publik Anunciata u detyrua të protestojë hapur. Parlamenti Evropian javën e shkuar, pavarësisht nga rezistenca e partisë popullore evropiane, kritikoi ashpër përqëndrimin e medieve në Itali. Gati gjysma e tregut televiziv italian i përket RAI-t të kontrolluar prej Berluskonit dhe gjysma tjetër është pothuajse plotësisht brenda rrjetit televiziv komercial të Berluskonit. Ndoshta gjatë votimit të ardhshëm në Strazburg do të mund të ngrejë dorën edhe Lili Gruber. Ish-moderatorja e RAI-t kandidon për zgjedhjet e Evropës për listën opozitare.

  • Data 03.05.2004
  • Autor Jërg Zeilzelberg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHO
  • Data 03.05.2004
  • Autor Jërg Zeilzelberg
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArHO