CDU ka një hall - partinë populiste AfD | NRS-Import | DW | 05.07.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

NRS-Import

CDU ka një hall - partinë populiste AfD

CDU nuk do të ketë punë me AfD. Kështu është vendosur në nivelet e larta të partisë. Por në Lindjen gjermane afrimi ka filluar. Në vjeshtë aty votohet e kjo e vështirëson edhe më shumë situatën.

Në konstruktin demokratik të Gjermanisë bëjnë pjesë tre nivele politike: Federata, landet dhe komunat. Sipas kushtetutës ato veprojnë të pavarura. Politikë bëhet nga parlamentet e vogla deri tek ato të mëdha, nga Bundestagu deri në Këshillat e Bashkive. Kjo duhet ditur për të kuptuar problemin që kanë kristiandemokratët, (CDU) me "Alternativën për Gjermaninë, (AfD). Lidershipi i partisë nuk mund të drejtojë kaq thjesht çdo gjë. Zyrtarisht dhe në nivelet drejtuese, CDU, që drejtohej deri para disa muajsh nga Angela Merkel, ka vendosur disa herë që nuk do të bëjë aleancë me AfD. Madje Annegret Kramp-Karrenbauer, pasuesja e Merkelit kërcënoi me pasoja deri në përjashtimin nga partia.

Pjesë të AfD-së janë ekstremiste të djathta

Nuk të habit fakti që CDU ka një problem me AfD. Megjithë pohimet nga të gjitha anët, në AfD ka rryma ekstremiste të djathta. Mbrojtja Kushtetuese i vëzhgon ato. Madje edhe skaji i CDU-së, "Unioni i vlerave" "nuk do bashkëpunim aktualisht me AfD", thotë zëvendëskryetarja e tij, Simone Baum për Deutsche Wellen. Por ndryshe nga Kramp-Karrenbauer në "Unionin e vlerave" bëhet fjalë më shumë "për të vendosur kufij në përmbajtje dhe jo përjashtime". Pra "Unioni i vlerave" e mban një derë të pasme të hapur. Sipas Baum ndoshta AfD ia del "të shkëputet nga skajet e saj ekstremiste".

Por në nivelin lokal disa i kanë kaluar dyert "e ndaluara". Para një muaji janë zhvilluar zgjedhjet komunale, edhe në bastionet e AfD-së në Lindje të Gjermanisë. Siç pritej, AfD në shumë qarqe, qytete e komuna u bë forca e dytë ose forca kryesore politike.

Berlin | Deutsch-Amerikanische Konferenz - Annegret Kramp-Karrenbauer (picture-alliance/dpa/W. Kumm)

Annegret Kramp-Karrenbauer

Parimi nga lart-poshtë nuk funksionon

Në nivelin lokal politikanët marrin vendime për semaforë, troje apo festën e qytetit. Bëhet fjalë për të krijuar mazhoranca ose për të penguar mazhorancat e të tjerëve. Pas zgjedhjeve u panë të çara edhe në fasadën e AfD-së. Herë krijohej një aleancë për të zgjedhur një zëvendësshef në parlamentin e qytetit, herë tjetër bëhej fjalë për të krijuar një mazhorancë kundër partive të majta.

Në rregullat demokratike bën pjesë, që në të ardhmen komisionet parlamentare në parlamente të drejtohen edhe nga AfD. Në media u bë i njohur një rast nga Vajmari, në historinë e të cilit bën pjesë edhe kampi i përqëndrimit "Buchenwald". Pikërisht atje  komisionin e kulturës do duhej ta drejtonte AfD-ja. Protestat lokale e penguan një gjë të tillë. Sipas një sondazhi në Gjermaninë lindore shumica e të pyeturve janë shprehur se janë kundër një ndalimi të bashkëpunimit mes AfD e CDU.

Retorikë e AfD-së tek CDU

Në nivelin e landeve koalicioni mes AfD dhe CDU është një temë e vjetër. Aktualisht debati është ndezur. Dy deputetë landi të Saksoni-Anhaltit përpiluan një "dokument reflektimi" dhe nuk e përjashtuan mundësinë e bashkëpunimit mes CDU e AfD-së. Në fund të fundit ka ardhur koha për ta pajtuar "nacionalen me socialen". Përdorimin e një terminologjie kaq të rënduar - kujtojmë konceptin e nacionalsocializmit - jemi mësuar ta dëgjojmë nga ekstremi i djathtë. Ai mund të kuptohet ky si një sinjal i qartë në drejtim të AfD-së. Por ky sinjal është edhe një thirrje për debat. Në Saksoni Anhalt qeveris CDU-ja prej tre vitesh bashkë me Të Gjelbrit e socialdemokratët. Që në fillim koalicioni nuk funksionoi. Disa në CDU donin që atëherë të bashkëpunonin me AfD. Zgjedhjet e ardhshme janë në vitin 2021. Por aktualisht politikanët e CDU-së nuk duan të shprehen për këtë.

Deutschland Jörg Urban, Vorsitzender der AfD in Sachsen (picture-alliance/dpa/B. Pedersen)

Jörg Urban, kreu i degës së landit të AfD, Saksoni-Anhalt

Saksoni - vatra e ndezur

Në vjeshtë zhvillohen zgjedhje në bastionet e AfD-së, Brandenburg, Saksoni, Tyringji. Vëmendja e Gjermanisë drejtohet sidomos tek Saksonia, në Drezden ku u ngrit edhe lëvizja "Pegida" e ekstremizmit të djathtë, por edhe në Görlitz, ku për pak një politikan i AfD u bë kryetar bashkie. CDU dhe AfD me 25% zhvillojnë një garë kokë më kokë, kjo do të mjaftonte edhe për të krijuar shumicën. AfD synon pushtetin në Saksoni. Kreu i AfD-së së landit, Jörg Urban e përdori një dalje para mediave për të lakuar të gjitha mundësitë e pushtetit. Tolerim i një kryeministri landi nga CDU-ja? Partner i vogël në koalicion? Të gjitha janë të negociueshme, sipas tij.

Grindje për orientimin në CDU

CDU-ja e Saksonisë e refuzon deri më tani negociimin. Por pas dyerve të mbyllura dëgjohen gjëra të tjera. Bëhet fjalë edhe për grindjen brenda partisë për orientimin e  CDU-së. Angela Merkel për vite e ka spostuar partinë nga e majta, fillimisht në drejtim të SPD-së, pastaj të Të Gjelbërve - por edhe kjo e ka çmimin e saj. Rezultatet në sondazhe kanë rënë në vlera historikisht të ulta, nën 30%. Disa kanë kaluar tek AfD. Tani që Merkel ka bërë të ditur largimin nga politika, e influenca e saj zbehet, disa shohin ardhjen e momentit për të korrigjuar këtë drejtim të CDU-së duke i bërë të vetat sërish temat e konservatorëve. Por këtë e kërkon edhe AfD-ja që synon të jetë partia pasuese e CDU-së.

A do të ketë afrim? Si në komuna edhe në nivel landi duhen krijuar mazhoranca. Në Saksoni do duhej të krijohej një aleancë katër partiake për të penguar AfD-në. Disa pyesin që sot, se cila do të ishte e keqja më e vogël.