Calavera: Vettingu në Shqipëri në drejtimin e duhur | Ballkani | DW | 24.05.2019
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages
Reklamë

Ballkani

Calavera: Vettingu në Shqipëri në drejtimin e duhur

Komisioni Europian vlerëson arritjet e deritanishme të reformës në drejtësi në Shqipëri dhe ka hedhur poshtë sulmet kundër reformës, në fillim të kësaj jave nga Presidenti Ilir Meta.

Komisioni Europian (KE) ka bërë publike të premten (24.05.2019) ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi në Shqipëri , ka vlerësuar arritjet e deritanishme dhe ka hedhur poshtë  sulmet kundër reformës, në fillim të kësaj jave nga Presidenti Ilir Meta.

Delegacioni i Bashkimit Europian, (BE) në Tiranë bëri me dije për sa më lart, një postim në median sociale të Genoveva Ruiz Calavera, Drejtore për Ballkanin Perëndimor në KE dhe Shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM)  lidhur me ecurinë e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Ditët e fundit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e cilësoi reformën në drejtësi "selektive” dhe  që "ka nevojë të rishikohet” dhe për këtë ai kërkoi ndihmën e Asamblesë së OSBE-së.

KE, përmes reagimit të  Genoveva Ruiz Calavera, thekson se”vettingu po shkon në drejtimin e duhur”dhe  se ”BE dhe SHBA janë plotësisht të përkushtuara që të vazhdojnë ta mbështesin reformën e gjyqësorit në Shqipëri, për të garantuar të drejtën e qytetarëve për një shoqëri demokratike ku askush nuk është mbi ligjin”

Calavera sjell si argument që procesi i vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët po ecën në drejtimin e duhur, interesin publik për të denoncuar direkt, tek  Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) të reformës në drejtësi, raste korrupsioni dhe mungese profesionalizmi në gjyqësor.

" Në gjashtë muajt e fundit, ONM ka marrë rreth 250 denoncime nga individë, ndërmarrje private, organizata të shoqërisë civile dhe institucione publike. Kjo gatishmëri për të kontribuar tregon, se qytetarët  besojnë se vetingu po shkon në drejtimin e duhur për t'iu përgjigjur aspiratave legjitime publike,” thekson Calavera.

Ajo i konsideron rezultatet e deritanishme të vettingut , "shumë të prekshme” dhe vë në dukje se "vetting do të vazhdojë disa vite për të përfunduar vlerësimin e mbi 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve”.

Të frikësuarit nga reforma nuk do të lejohen ta pengojnë

Interesi i lartë publik në Shqipëri për reformën zgjedhore kërkon edhe  monitorimn nga afër të procesit të vettingut dhe kontribut konstruktiv për progresstë reformës, vë në dukje Calavera.

" Kjo nuk justifikon sulmin ndaj procesit në kushte të padrejta dhe të papranueshme. Disa njerëz mund të kenë frikë nga reforma gjyqësore dhe të jenë të gatshëm ta pengojnë atë, por kjo nuk mund të lejohet. Është përgjegjësi e të gjitha institucioneve shqiptare, partive politike, si dhe e shoqërisë civile, që të sigurojnë se forcimi i pavarësisë, paanësisë dhe llogaridhënies së gjyqësorit përmes këtij procesi është i garantuar,” bën me dije Calavera në postimin e saj.

"Muajt ​​e ardhshëm do të jenë vendimtarë, teksa Shqipëria do të kalojë nga faza e tranzicionit të reformës gjyqësore në zbatimin e saj të plotë. Organet e vetingut do të sigurojnë trajtimin e vazhdueshëm të rasteve prioritare në mënyrë që institucionet e reja të mund të krijohen plotësisht” thekson Calavera duke sjellë shpesa se Shqipëria do të ketë funksionale  Gjykatën Kushtetuese.

 "Mungesa e kuorumit në Gjykatën Kushtetuese ka qenë, sigurisht, një çmim shumë i lartë për t'u paguar për tranzicionin. Procesi i zëvendësimit të gjyqtarëve është në vazhdim dhe ky tranzicion do të përfundojë së shpejti. BE-ja, së bashku me SHBA-në në ONM, do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces në mënyrë që populli shqiptar të përfitojë nga reforma dhe të krenohet me ndryshimin që kërkoi dhe që e ka dëshiruar për një kohë kaq të gjatë” përfundon  Calavera  postimin e saj.

Reforma në Drejtësi konsiderohet nga  BE, një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë për të pasur një gjyqësor të pavarur   nga politika, për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Kjo reformë  është vlerësuar nga KE si një model për t'u ndjekur edhe nga vende të tjera të rajonit. Ajo është një nga prioritetet kryesore të plotësuara të Shqipërisë, që rrit shpresat e saj për hapjen e negociatave të anëtarësimirt me BE, në qershor apo shtator të këij viti.