Ca më shumë pavarësi nga Franca | Evropa | DW | 05.10.2004
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Ca më shumë pavarësi nga Franca

Principata e Monakos bëhet anëtare e Këshillit të Evropës

Porti i Monakos

Porti i Monakos

Që gjashtë vjet më parë e kishte dorëzuar në Strasburg principata e Monakos kërkesën zyrtare për pranim në Këshillin e Evropës. Ndër 45 vendet anëtare renditeshin tashmë minishtete të tjera evropiane: Andorrë, San Marino dhe Lihtenshtajn. Vetëm Monakoja mungonte. Megjithatë pranimi i principatës nuk ndodhi vetvetiu. Këshilli i Evropës kritikoi mangësitë e dukshme në demokraci për minishtetin 30.000 banorësh në skajin lindor të bregdetit mesdhetar francez, ku vetëm njëzet për qind janë monakas të vërtetë. Një në tre është shtetas francez. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, austriaku Peter Schieder:

"Thuajse askush në Evropë nuk e dinte që Monakoja ishte i vetmi shtet ku kryeministri nuk lejohej të ishte vendas, por në bazë të një marrëveshjeje të vjetër Franca i rezervonte vetes të drejtën për të caktuar kryeministrin."

Sipas kushtetutës Monakoja është monarki parlamentare. Kreu i shtetit është princi Rainier III, por Franca luan një rol të madh. Një marrëveshje e vitit 1930 përcakton që disa pozicione kyçe në principatë të zihen nga nëpunës francezë: për shembull kryeministri monakas, i quajtur edhe ministër shteti, ose edhe prokurori i përgjithshëm dhe drejtori i policisë së principatës.

Për Këshillin e Evropës, i cili kujdeset për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të demokracisë, ishte krejt e qartë që kjo i diskriminonte monakasit. Si pasojë Franca dhe Monakoja hynë në bisedime në mënyrë që në të ardhmen këto poste të larta shtetërore të mund të zihen edhe nga monakas. Edhe në zgjedhjet për këshillin kombëtar 24-anëtarësh monakas pati probleme. Kodi zgjedhor u desh të ndryshohej dy vjet më parë me këmbënguljen e Këshillit të Evropës. Më pas zgjedhjet e para parlamentare vitin e kaluar u vëzhguan nga organizata ndërshtetërore e Strasburgut dhe u gjykuan si korrekte.

Tani Monakoja lejohet të hyjë në Këshillin e Evropës duke i siguruar vetes për të arshmen edhe ca pavarësi më shumë nga fuqia mbrojtëse e gjithëpranishme, Franca. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Peter Schieder, i sheh tani të fuqizuar monakasit:

"Ata nuk duhen parë si ndonjë shtojcë, siç është rasti tek futbolli, ku sigurisht që duan të qëndrojnë me Francën, por duhen parë edhe në Evropë si një shtet që vepron më vete."

Si vendi i 46-të Monakoja po anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Në këtë mënyrë organizata ndërshtetërore e Strasburgut ka pranuar tashmë gjithë Evropën gjeografike nga Rusia deri në Islandë. E përjashtuar mbetet vetëm Bjellorusia. Për shkak të mangësive të theksuara në demokraci Këshilli i Evropës i ka ndërprerë kontaktet me Bjellorusinë.

  • Data 05.10.2004
  • Autor Cai Rienäcker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGD
  • Data 05.10.2004
  • Autor Cai Rienäcker
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArGD