1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bushi në Gjermani

Auron Dodi12 Qershor 2008

Presidenti i SHBA, Xhorxh Bush zhvilloi një vizitë lamtumire në Gjermani. Bushi u takua me kancelaren Angela Merkel në Meseberg pranë Berlinit shtëpia e pritjes e qeverisë.

https://p.dw.com/p/EHrj
Presidenti amerikan Xhorxh Bush, dhe kancelarja amerikane Angela Merkel
Presidenti amerikan Xhorxh Bush, dhe kancelarja amerikane Angela MerkelFotografi: AP

Në grindjen atomike me Teheranin, presidenti amerikan Xhorxh Bush preferon një zgjidhje diplomatike. Në konferencën e përbashkët të shtypit me kancelaren Angela Merkel, që Bushi mbajti në Meseberg pranë Berlinit, presidenti amerikan ndër të tjera tha: "Ne folëm për Iranin. Unë i thashë kancelares se preferenca ime e parë është që ta zgjidh këtë cështje në mënyrë diplomatike- të gjitha opsionet janë në tryezë. Alternativa e parë është që kjo çështje të zgjidhet duke punuar ngushtë së bashku."

Presidenti amerikan tha më tej se populli iranian meriton një të ardhme më të mirë: "Regjimi iranian është përcaktuar për një alternativë deri tani, dhe kjo është një alternativë e keqe për popullin iranian. Populli iranian meriton një fat më të mirë, se sa të izolohet nga bota. Mesazhi nga ministri i jashtëm i BE, Solana do të jetë:kjo është një alternativë e keqe për ju- dhe do të shohim se cdo të zgjedhë populli iranian." Bushi tha më tej se nëse Irani nuk i jep fundit programit të tij të pasurimit të uraniumit, duhet të pasojnë masa të tjera ndëshkimore.

Kancelarja Merkel theksoi se më parë duhet të zbatohen me vendosmëri sanksionet e vendosura së fundi kundër Iranit.

"Unë preferoj shumë qartë përpjekje diplomatike. Dhe besoj se presioni diplomatik ka treguar efekt deri tani. Po të vështrosh situatën në Iran, atëherë vë re se përpjekjet diplomatike ka shumë mundësi të kenë sukses. Por kjo presupozon që ne të veprojmë së bashku si bashkësi ndërkombëtare. Kjo do të thotë, nuk mund të përjashtohet që të pasojë një raund tjetër sanksionesh, për të cilin duhet të negociohet brenda KS të OKB-së."

Sanksione të tjera për të cilat mund të mendojë BE janë për shembull në sektorin bankar, tha Merkeli.

Tema të tjera të bisedimeve midis kancelares gjermane dhe presidentit të SHBA ishin konflikti në Lindjen e Mesme, gjendja në Liban dhe marrëdhëniet tregtare, në prag të takimit të G-8ës në Japoni. Përsa i përket raundit të bisedimeve për tregtinë botërore, që po zhvillohet në Doha, kancelarja Merkel u shpreh: "Jam shumë e gëzuar që ne kemi një interes të përbashkët, që ky raund i Dohas të marrë fund. Tregtia e lirë- pikërisht duke pasur parasysh problemet në vendet në zhvillim, në lidhje me ushqimet, produktet bujqësore- ka rëndësi esenciale për zhvillimin e drejtë të botës. Ne kemi një shans që të arrijmë javët e ardhshme në një përfundim. Ne do të vëmë të gjitha forcat,e për këtë ramë dakord, që të organizojmë në prag të G-8-ës edhe disa aktivitete të përbashkëta."