1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush vazhdon të mbrojë politikën e tij në Irak

Daniel Sheshkevitz1 Dhjetor 2005

Gjithnjë e më shumë amerikanë janë kundër strategjisë së presidentit të tyre Bush në Irak. Shumë njerëz shtrojnë pyetjen: Si mund të zhvillojmë një luftë kundër terrorizmit, kur nuk i respektojmë vetë të drejtat e njeriut?

https://p.dw.com/p/ArN7
Bush duke përshëndetur
Bush duke përshëndeturFotografi: AP

Bush mbajti një fjalim përpara ushtarëve të akademisë amerikane të marinës në Annapolis. Por në fakt fjalimi i Bushit u drejtohej të gjithë amerikanëve, që janë të shqetësuar mbi zhvillimet në Irak. Por Bush nuk pranoi sërish të deklaronte, se kur do të tërhiqen trupat ushtarake amerikane nga Iraku. Tërheqja e mbi 160.000 ushtarëve amerikanë do të ishte njësoj sikur të kapitullonin përpara terroristëve, tha Bush. Strategjia e tij është trejnimi i forcave irakiane të sigurisë: "Shteti i ri irakian po bëhet më i sigurtë në veprimet e tij, forcat e sigurisë më efektive dhe procesi i demokratizimit po përparon me hapa të shpejtë. Ne do të fillojmë me reduktimin e trupave tona në Irak, por në mënyrë të tillë, që të mos i lëmë asgjë në duar terroristëve. Por ky vendim varet nga kushtet në Irak dhe nga gjeneralët tanë aty dhe jo nga afate kohore që harton ndonjë politikan në Uashington."

Paralel me fjalimin e Bushit, këshilli i tij i sigurimit publikoi një dokument me 38 faqe, me titullin "Strategjia jonë kombëtare mbi fitoren në Irak". Bush i bëri thirrje opinionit publik amerikan që ta lexojë këtë dokument me vëmendje. Në këtë dokument flitet mbi një rrugë politike, ushtarake dhe ekonomike që do të sjellë fitoren e sigurtë. Terroristët duhet të luftohen nga forcat ushtarake dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të kontribojë në rindërtimin e Irakut, shkruhet ndër të tjera në këtë dokument.

Por qëllimi kryesor është trejnimi i ushtrisë irakiane, e cila ka filluar të shënojë përparime, tha Bush në fjalimin e tij: "Ne luftojmë terroristët dhe trejnojmë në të njejtën kohë forcat irakiane të sigurisë, në mënyrë që ato të jenë së shpejti në gjendje ta marrin vetë përsipër dhe pa mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare sigurinë në vend."

Ndryshe nga një vit më parë, ushtria irakiane është tani në gjendje të veprojë, tha Bush. Deri tani janë krijuar 40 batalione me 350 deri në 800 ushtarë. SHBA-s hynë në Irak në mars të vitit 2003. Një muaj më vonë u rrëzua sistemi i vjetër i Sadam Hyseinit. Që prej asaj kohe në Irak kanë humbur jetën më shumë se 2.100 ushtarë amerikanë.

Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen në dhjetor, SHBA-s e kanë rritur numrin e ushtarëve të tyre në 168.000 ushtarë. Por gjatë sondazhe të fundit, vetëm 35% e amerikanëve janë shfaqur të kënaqur mbi zhvillimin e luftës në Irak.