1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush mbërrin në Hanoi

Bernd Musch-Borowska18 Nëntor 2006

Kryetarët e shteteve dhe qeverive të APEC-ut diskutojnë mbi shanset dhe rreziqet për ekonominë

https://p.dw.com/p/Aqnz
Presidenti i SHBA Xhorxh W. Bush merr pjesë në samitin e APEC-ut në Hanoi
Presidenti i SHBA Xhorxh W. Bush merr pjesë në samitin e APEC-ut në HanoiFotografi: AP

Presidenti amerikan Xhorxh W. Buxh ka mbërritur dje (17.11) në kryeqytetin vjetnamez Hanoi. Ai është presidenti i dytë pas Bill Klintonit që viziton Republikën Popullore të Vjetnamit. Bush do të marrë pjesë në punimet e samitit të APEC-ut të cilat fillojnë sot (18.11). Konsultimet ndërkohë kanë filluar që ditën e premte.

Në qendër ishin shanset dhe rreziqet për ekonominë botërore. Në fjalimet e para kryetarët e shteteve dhe qeverive të 21 vendeve anëtare të Ligës Ekonomike të Azisë dhe Paqësorit u fol për kapërcimin e dallimeve në zhvillim në gjirin e vendeve të APEC-ut, mbi reformat ekonomike si sfida për qeveritë dhe për rreziqet e sigurisë që cënojnë edhe zhvillimet ekonomike. Presidenti indonezian Susilo Bambang Yodhoyono foli për katastrofat natyrore si tërmetet dhe cunami, rreziqet për shëndetin si gripi i shpendëve dhe SARS-i si dhe për rreziqe të politikës së sigurisë si mungesa e stabilitetit dhe terrorizmi, të cilat gjatë viteve të kaluara kanë prekur jo vetëm vendin e tij por gjithë hapësirën e APEC-ut: "Konfliktet ndërshtetërore, dhuna në vend, mungesa e tolerancës dhe ekstremizmi janë të këqija për ekonominë, ato minojnë produktivitetin dhe pengojnë zhvillimin e përgjithshëm të mirëqënies. Për t'iu kundërvënë atyre ne duhet të forcojmë tolerancën dhe dialogun ndërfetar në gjirin e APEC-ut. Kjo do të krijonte jo vetëm një mjedis më të qëndrueshëm dhe të sigurtë kulturor por do të përmirësonte edhe shkëmbimet ekonomike."

Me interes të madh u prit fjalimi i kryeministrit të përkohshëm tailandez Surajud Hulanot. Kryeministri i caktuar nga udhëheqja ushtarake tailandeze u premtoi vendeve të APEC-ut rikthim të shpejtë të Tailandës në demokraci.

"Mbi themelet egzistuese në Tailandë masat e qeverisë së përkohshme do të sigurojnë më shumë transparencë, qeverisje më të mirë dhe stabilitetet më të lartë social dhe politik. Me fjalë të tjera Tailanda do të bëhet për partnerët e saj të APEC-ut dhe pjesën tjetër të globit një vend më i mirë me të cilin mund të bëhet biznes."

Për të marrë pjesë në samitin e vendeve të APEC-ut ka mbërritur në Hanoi dhe presidenti i SHBA Xhorxh Bush. Bush është presidenti i dytë pas Bill Klintonit që viziton Republikën Popullore të Vjetnamit. Bush i cili shoqërohej nga bashkëshortja Laura nuk solli megjithatë dhuratën më të rëndësishme. Marrëveshja e arritur në muajin mars mbi normalizimin afatgjatë të marrëdhënieve tregtare amerikano-vjetnameze nuk mori këtë javë miratimin e Kongresit. E ngarkuara e SHBA për çështjet e tregtisë Susan Schwab premtoi në Hanoi se marrëveshja do të kalohet në Kongres brenda këtij viti.

Në samitin e tyre shtetet e APEC-ut do të shtojnë përpjekjet për një zonë unike ekonomike të APEC-ut. Përpara mbërritjes në Hanoi Bush deklaroi në Singapor se kjo duhet marrë seriozisht në konsideratë: "Në vitin 1994 vendet e APEC-ut arritën në Bogor të Indonezisë një marrëveshje historike: liberalizimin e tregtisë në rajon deri në vitin 2020. ShBA i mbështesin ato në këtë objektiv. Disa vende të APEC-ut flasin tani për një zonë të lirë tregtie dhe mendoj se kjo duhet marrë seriozisht në konsideratë."

Objektivi më i rëndësishëm i takimit të nivelit të lartë në Hanoi është rifillimi i bisedimeve mbi liberalizimin e tregtisë botërore të cilat dështuan në korrikun e kaluar.