1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush: Indonezia së shpejti - vend në Këshillin e Sigurimit të OKB- së

Bernd Mush-Borovska21 Nëntor 2006

Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka përfunduar turneun e tij në Azi. Më tepër se 20 mijë ushtarë dhe policë siguruan rrugët e Xhakartës, kur presidenti Bush u takua me homologun e tij indonezian Susilo Bambang Judhojono.

https://p.dw.com/p/ArK6
Nga demonstratat kundër Bushit në Indonezi
Nga demonstratat kundër Bushit në IndoneziFotografi: AP

Indonezia, vendi me popullatën më të madhe myslimane konsiderohet si një aleat i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara të Amerikës në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Megjithatë përkundër shiut që po binte me rrebesh, mijëra demonstrues e pritën presidetin amerikan në Xhakartë. Nëpër pankarta Bushi cilësohej si terrorist dhe bëhej thirrje për vdekjen e tij. Presidenti amerikan i cili pas samitit të APEC-ut në Hanoi bëri një ndalesë të shkurtër në metropolin vietnamezojugor Hoh-Çi-Minh arriti të dielën në mbrërje në Xhakartë prej nga me një helikopterë vazhdoi fluturimin për në Bogor.

Në një konferencë të përbashkët shtypi, të dy presidentët vlerësuan lartë bashkëpunimin e mirë bilateral. Judhojono falendëroi Bushin për ndihmën amerikane gjatë katastrofës natyrore të Tcunamit dhe katastrofave tjera gjatë viteve të kaluara dhe për mbështetjen amerikane në ngritjen e një sistemi paralajmërues për Tcunamin: "Ne kemi folur për katastrofat natyrore dhe për ngritjen e një sistemi paralajmërues për Tcunami. Unë falendërova presidentin amerikan për ndihmën e dhënë në ngritjen e një sistemi të tillë në Indonezi", tha presidenti Judhojono.

Ndërsa Bush theksoi rolin e rëndësishëm të Indonezisë në politikën ndërkombëtare të sigurisë: "Indonezia së shpejti do të ketë një vend në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ne folëm për sigurinë ndërkombëtare dhe për atë se si të dy kombet tona mund të bashkëpunojnë në këtë drejtim. Ne folëm për Korenë e Veriut dhe për Iranin. Të dyja këto vende kanë ambicie atomike dhe armët bërthamore në duart e këtyre regjimeve e bëjnë të pasigurtë Lindjen e Mesme dhe Azinë. Ne ishim të një mendimi se Autoriteti ndërkombëtar për energjinë bërthamore dhe bisedimet gjashtëpalëshe janë rruga më e mirë për zgjidhjen e këtyre problemeve", tha Bush.

Në Bogor, në vendtakimin mes Bushit dhe Judhojonos demonstruan rreth 3000 pjestarë dhe ithtarë të Partisë për mirëqenje dhe drejtësi me orientim islamik dhe studentë të Universitetit të Bogorit.

Shtypi indonezian ka reaguar në forma të ndryshme për vizitën e Bushit. Gazeta Bali Post shkruan se vizita e dytë e presidentit amerikan jep shpresë se Indonezia do të përfitoj nga bashkëpunimi ekonomik dhe ushtarak. Ndërsa gazeta Kedualatan Rakyat shkruan: "Shko në dreq të malluar me ndihmën tënde".