1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush dhe Putin të brengosur mbi zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme

Rolf Venkel15 Korrik 2006

Nuk është fshehtësi që marrëdhëniet politike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë aktualisht nuk janë më të mirat. Megjithatë presidenti amerikan Xhorxh Bush dhe homologu i tij rus Vlladimir Putin në prag të samitit të G-tetës në Shën Petërburg u përpoqën t'i drejtohen botës me porosi të përbashkëta.

https://p.dw.com/p/ArKz
Bush dhe Putin
Bush dhe PutinFotografi: AP

Të dy burrështetasit u treguan të shtunën shumë të brengosur për eskalimin e dhunës në Lindjen e Mesme dhe kërkuan nga palët e armiqësuara të përmbahen. Në të vërtetë në pronocimet e tyre para shtypit ndërkombëtar në Shën Petërburg kishte nuansa të ndryshme. Ndërkohë që Bush bëri fajtor Hisbollahun radikal islamik dhe 'elementet terroriste' për silurimin e dhunshëm të procesit paqësor Putin kërkoi, posaçërisht nga Izraeli ndërprejen e menjëhershme të dhunës.

"Mënyra më e thjeshtë për të përfunduar dhunën është që Hisbollahu të ul armët. Andaj kërkoj nga qeveria e Sirisë që të ushtroj ndikimin e saj tek Hisbollahu".

Kështu u shpreh presidenti Bush ndërkohë që nikoqiri i tij nga Moska, presidenti Putin sqaroi:

"Unë e ndaj mendimin që është absolutisht e papranueshme ndërrmarrja e përpjekjeve që caqet e caktuara edhe politike të arrihen me dhunën e armëve dhe rrëmbime apo sulme ndaj një shteti sovran. Njëkohësisht ne mendojmë që Izraeli do të duhej të reagonte më i përmbajtur. Andaj Izraeli duhet të ndërprej sa më shpejt që të jetë e mundur sulmet e tij. Kjo do të ishte pikënisje për gjetjen e një zgjidhje politike. Eskalimi i dhunës shpie në qorrsokak", tha Putin.

Të dy presidentët zhvilluan të premten mbrëma dhe të shtunën paradite bisedime bilaterale. Presidentët dhe kryeministrat e shteteve anëtare të G-tetës nuk kishin arritur ende në Shën Petërburg. Në fund të konsultimeve të tyre Bush dhe Putin theksuan rëndësinë e shfrytëzimit paqësor të energjisë atomike. Presidenti Putin:

"Ne kemi miratuar një deklaratë të përbashkët e cila lidh iniciativet tona paralele për shfrytëzimin paqësor të energjisë bërthamore. Qëllimi më i rëndësishëm është që të ndikohet në zhvillimin e sigurtë të energjisë bërthamore dhe njëkohësisht të kujdesemi për mospërhapjen e armëve atomike. Ne mendojmë se kjo është e mundur nëse ngrejmë qendrat ndërkombëtare të shufrave atomike të cilat do të lisheshin në një rrjet ndërkombëtar dhe do të kontrolloheshin rreptë nga Autoriteti Ndërkombëtar për Energjinë Bërthamore", tha Putin.

Ndërkaq Bushi theksoi:

"Ne punojmë bashkë me Rusinë dhe partnerët tanë që Këshillit të Siugurimit t'i prezantojmë një Rezolutë me një porosi të qartë. Një është e sigurtë: nëse iranianët shohin se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkëpunojnë në këtë drejtim atëherë do ta kuptojnë se sa serioze janë qëllimet tona", nënvizoi Bush.

Marrëdhëniet në mes të dyja vendeve Bush i cilësoi si të mira dhe falendëroi nikoqirin e tij rus për mikpritjen. Megjithatë ai nuk arriti të sjell me vete një dhuratë për të cilët rusët ka kohë që shpresojnë: dritën jeshile të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për një anëtarsim të Rusisë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

"Ne po zhvillojmë negociata të vështira për shkak se duam të kemi një marrëveshje e cila do të pranohej edhe nga kongresi amerikan. Ne jemi korrekt në negociata dhe ndërmjetësuesit tanë provojnë që të arrijnë qëllimin e përcaktuar nga unë. Dhe qëllimi ynë është: ne duam ta kemi Rusinë në Organizatën Botërore të tregtisë", tha presidenti amerikan Xhorxh Bush.