Busek: Statusi i Kosovës bllokon jo vetëm Serbinë por tërë rajonin | FOKUS | DW | 14.10.2005
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

FOKUS

Busek: Statusi i Kosovës bllokon jo vetëm Serbinë por tërë rajonin

Pjesë nga intervista e koordinatorit të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek dhënë Radios Gjermane, Deutschland Funk

Erhard Busek

Erhard Busek

I pyetur fillimisht përse është kaq urgjente të sqarohet çështja e statusit të Kosovës, Busek tha:

Busek: Roli i ardhshëm i Kosovës në të vërtetë bllokon jo vetëm Serbinë por tërë rajonin. Ne kemi këtë situatë të çuditshme, çështjen e kufijve që prej vitit 1991 dhe ka kaluar një kohë e gjatë që gjërat kanë lëvizur, por ne nuk kemi një hartë definitive. Fakti që nuk ekziston një përfytyrim i qartë për statusin është një faktor shqetësues dhe për fat të keq shqiptarët e Kosovës ndërkohë e kanë mësuar, se si mund të bëhet presion përmes aksioneve apo gjërave të ngjashme, të cilat përfundimisht sjellin një përgjigje. Në të vërtetë në këto gjashtë vite, që prej përfundimit të luftës në Kosovë, në këtë drejtim nuk ka ndodhur shumë andaj është mirë që të fillojnë bisedimet për statusin.

Po çfarë statusi sipas mendimit tuaj duhet të ketë rajoni, ishte pyteja tjetër drejtuar zotit Busek.

Busek: Mendimi im nuk është shumë relevant, çështje me rëndësi mbetet çfarë ujdie mund të arrihet mes Beogradit nga njëra anë dhe Prishtinës nga ana tjetër, pra shqiptarëve të Kosovës. Siç dihet serbët janë në parim të mendimit, se Kosova është pjesë e Serbisë dhe duhet të mbetet pjesë e saj ndërkohë që shqiptarët e Kosovës janë të bindur që qysh tani janë të pavarur. Këtu do të jenë të nevojshme kompromiset me të cilat do të mund të jetojnë të dyja palët, edhe pse unë personalisht nuk besoj që Beogradi do të miratoj definitisht ndonjë zgjidhje. Për më tepër gjërat do të rrjedhin në atë drejtim që nga ana e Beogradit të tolerohet apo në njëfarë mënyre ai do të duhet të blejë atë që i ofrohet.

Kush shet - Bashkimi Evropian?

Busek: Bashkimi Evropian është një lojtar i rëndësishëm por nuk duhet të harrohet që Kosova aktualisht administrohet nga Kombet e Bashkuara në bazë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kjo do të thotë se në fushë ndodhen edhe lojtarë të tjerë para së gjithash ato shtete që kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit. Ekziston një Grup i Kontaktit ku janë të përfaqësuar edhe rusët, natyrisht edhe amerikanët kjo do të thotë që loja do të vazhdoj në këtë rang por Bashkimi Evropian duhet të jetë i interesuar që ta evropianizoj këtë problem për shkak se në fakt Kosova ndodhet në Evropë dhe në të vërtetë është problemi ynë.

Cila zgjidhje është në interes të Bashkimit Evropian sa i përket statusit të Kosovës?

Busek: Interesi i Bashkimit Evropian padyshim duhet të jetë që shqiptarëve të Kosovës t'u jap më tepër autonomi nga ana tjetër që edhe serbëve t'u ofroj një zgjidhje të cilën fillimisht do të mund t'a toleronin. Personalisht, besoj që do të jetë një zgjidhje me etapa në të cilën shqiptarëve të Kosovës do t'u jepen gjithnjë e më shumë të drejta. Ajo çfarë aktualisht është e papranueshme për serbët është që Kosova të ketë një vend në Kombet e Bashkuara. Kjo është pika më e nxehtë, e cila nuk mund të pranohet nga ta.

Kështu u shpreh ndër të tjera në intervistë dhënë radios gjermane Deutschland Funk, Koordinatori i paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek.

  • Data 14.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiL
  • Data 14.10.2005
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/AqiL