1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu mbështet hapjen e dosjeve sekrete në Shqipëri

23 Janar 2012

Bundestagu gjerman rikonfirmon gadishmërinë për t'i dhënë mbështetje politike e asistencë teknike Shqipërisë në procesin e hapjes së dosjeve të ish-bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe policisë sekrete të regjimit komunist.

https://p.dw.com/p/13oBW
Parlamenti gjerman
Parlamenti gjermanFotografi: picture-alliance/ ZB

Shqipëria është i vetmi vend në ish-vendet komuniste të Europës ku dosjet e Sigurimit famëkeq, policisë sekrete të kohës së komunizmit, ende nuk janë hapur. 20 vjet pas rënies së regjimit komunist, shqiptarët  jetojnë mes kërshërisë për këto dosje dhe njëherazi frikës që ato ngjallin. Ka nga ata që janë 45 vjeç e lart që vazhdojnë të vuajnë nga kujtime të hidhura të përndjekjes. Të tjerë që jetojnë me ndërgjegje të trazuar ngaqë u bënë informatorë dhe pjesë e makinerisë së përndjekjes politike të kundërshtarëve të regjimit komunist. Për fat të keq të gjitha qeveritë postkomuniste, të majta apo të djathta në Shqipëri, deri më sot nuk ia kanë dalë mbanë të miratojnë një ligj konsensual, të pranuar nga palët, në bazë të të cilit këto dosje do të dilnin nga errësira e arkivave në dritën e publikut duke bërë kështu ndarjen e shoqërisë nga e kaluara.

Zbardhja e krimeve të komunizmit në letër- Angazhim në letër

Kjo situatë ka lënë në letër edhe angazhimet e Shqipërisë si palë në Rezolutat e Këshillit të Europës për zbardhjen e krimeve të komunizmit. Aleksandër Biberaj, ish zv.President i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, dhe një ndër përfaqësuesit më aktivë të së djathtës për hapjen e dosjeve shprehet se Shqipëria vazhdon të jetë e vonuar: “Janë dy rezoluta të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, që kërkojnë zbardhjen e krimeve të komunizmit, hapjen e dosjeve të policisë sekrete të kohës së diktaturës dhe dënimin e krimeve; njëra e vitit 1996 dhe tjetra e vitit 2006, që për fat të keq nuk janë marrë parasysh nga klasa politike.” 

Aleksander Biberaj angazhohet për hapjen e dosjeve në Shqipëri
Aleksandër Biberaj angazhohet për hapjen e dosjeve në ShqipëriFotografi: DW/A.Muka

Përpjekjet më të fundit të klasës politike të Tiranës për të zbatuar Rezolutat e Këshillit të Europës dështuan para dy vitesh, kur në ditët e para të shkurtit 2010, Gjykata Kushtetuese anulloi ligjin e miraruar vetëm me votat e maxhorancës së djathtë aktuale. Kjo Gjykatë e gjeti ligjin në kundërshtim me Kushtetutën, jo në përputhje me standartet ndërkombëtare. Sipas saj ai shkelte të drejtat e njeriut. “Klasa politike aktuale vjen nga sistemi i kaluar, ka një mentalitet komunist dhe konflikt interesi ”, thotë Aleksandër Biberaj.

Hapja e dosjeve është sabotuar nga të infiltruarit e kohës së regjimit komunist në institucionet e sotme demokratike të Shqipërisë, është i mendimit Biberaj, nga ata që patën interes të jenë drejtues politikë. Dosjet u panë edhe si mundësi shantazhi ndaj politikanëve të caktuar.

Bundestagu gjerman – i gatshëm të mbështesë Shqipërinë për të hapur dosjet sekrete

Por çështja e hapjes së dosjeve sekrete, e përballjes me të vërtetën, duket se nuk është nga ato që mund të mbyllen dhe arkivohen pasi ajo lidhet ngushtë me të ardhmen e një shoqërie demokratike që Shqipëria kërkon të ndërtojë. “Për të hapur dosjet dhe çliruar politikën dhe shoqërinë shqiptare nga të mbeturit peng i tyre nuk është asnjeherë vonë. Në Shqipëri ka së fundi një nismë të ndërmarrë nga Komiteti Shqiptar për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, të mbështetur nga personalitete të shoqërisë civile, politikanë dhe akademikë, nismë që mbështetet nga Bundestagu gjerman, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës dhe Parlamenti Europian. Hapi i parë i kësaj nisme është përgatitja e një projektligji, konform me Kushtetutën dhe legjislacionin dhe më pas kalimi i tij në Parlament” thotë Aleksandër Biberaj.

Pamje ilustruese
Pamje ilustrueseFotografi: Aida Cama

Inkurajim për ecurinë pozitive të kësaj nisme është rikonfirmimi që Bundstagu gjerman bëri së fundmi për gadishmërinë e tij për të ndihmuar në këtë proces. Aleksandër Biberaj tregon për takimin e zhvilluar së fundmi në Berlin me deputetët gjermanë. “Hapja e dosjeve sekrete të Sigurimit ka qënë një nga temat e rëndësishme që kemi patur në Bundestag. Tanimë është e ditur që deputetët gjermanë janë në mbështetje të hartimit të një ligji për këtë çështje, sidomos përfaqësuesit e CDU-së, koalicionit qeverisës, të drejtuar nga kancelarja Angela Merkel. Ata na thanë : ju mbështesim me asistencë teknike, ju japim mbështetje politike, negociojmë në Strasburg, në Bruksel që hapja e dosjeve të konsiderohet si prioritet i politikës së Shqipërisë por… vendimarrjen e keni ju në dorë, shqiptarët. Gjermanët nuk e konceptojnë që një vend si Shqipëria, me diktaturën më të egër, më çnjerëzore të mos bëjë deri më sot asnjë lloj pastrimi nga ajo e kaluar.” thotë Z. Biberaj.

Modeli gjerman - i aplikueshëm në Shqipëri ?

Ndonëse regjimi komunsit në Shqipëri konsiderohet më i egri, nuk ka shifra zyrtare sesa ishte numri i informatorëve dhe i të rekrutuarve nga Sigurimi. Bazuar në shifra jozyrtare mendohet që 17 % e popullsisë ka qënë e përfshirë në strukturat e policisë sekrete. A mund ta rrezikojnë paqen sociale të vërtetat e dosjeve nëse ato dalin në dritë? “Jo. Gjermania, që i hapi dosjet e para, që në vitin 1991, nuk pati asnjë lloj konflikti, asnjë lloj problemi social por vetëm një pastrim të shoqërisë gjerrmane nga e kaluara.” thotë z. Biberaj. Edhe pse situatat dhe struktura e shoqërisë në dy vendet ishin dhe janë të ndryshme, Aleksandër Biberaj beson se në Shqipëri mund të aplikohet modeli gjerman, i cili me ligj i jep të drejtë çdo personi të shohë dosjen e tij ndërsa vetëm historianëve dhe studiuesve të drejtën të shohin dosjet e personave publikë.

Autor: Ani Ruci

Redaktoi: Lindita Arapi