1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Krijimi i një koalicioni duket i pamundur

Andreev, Alexander / Angelina Verbica13 Maj 2013

Në zgjedhjet në Bullgari nuk ka mazhorancë të qartë. Sipas rezultateve paraprake partia konservatore GERB e ish-kryeministrit Borisov ka dalë fituese por nuk ka shumicë absolute. Shumë vëzhgues presin zgjedhje të reja.

https://p.dw.com/p/18WoS
Boiko Borisov
Fotografi: picture-alliance/AP

Krijimi i qeverisë ka për të qenë një detyrë shumë e vështirë me këtë ndarje të vendeve në parlament. Partia e djathtë konservatore GERB e kryeministrit Boiko Borissov, i cili dha dorëheqjen në shkurt, ka fituar shumicën e mandateve, por ato nuk janë të mjaftueshme, për të arritur shumicën e saj prej 121 deputetësh. Dhe të tri partitë e tjera të përfaqësuara në parlament refuzojnë deri tani kategorikisht që të hyjnë në koalicion, apo të mbështesin një qeveri të GERB-it. Pavarësisht nga kjo udhëheqja e GERB-it deklaroi natën e zgjedhjeve se ish kryeministri Borisov, i propozuar përsëri nga partia për kryeministër, do të përpiqet për krijimin e një të ashtuquajture qeveri programatike. Kjo do të thotë që Borisov do të pranojë mandatin për të formuar qeverinë, të cilin presidenti Rosen Plevneliev do t'ia ofrojë në bazë të kushtetutës menjëherë pas shpalljes së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve. Ai do të përpiqet të gjejë mbështetje për kabinetin e ri në parlament.

Protesta në Sofje pas zgjedhjeve parlamentare
Protesta në Sofje pas zgjedhjeve parlamentareFotografi: reuters

Nevoja për një qeveri programatike është urgjente, për të zgjidhur shpejt disa probleme, kryesisht ekonomike. Në këtë pikë pajtohen të gjitha partitë. Në konferencën e parë të shtypit pas zgjedhjeve kryetari i socialistëve Sergei Stanishev numëroi këto prioritete: të luftohet papunësia, të ndihmohen sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm të dëmtuar nga kriza, të mbahen në një nivel të arsyeshëm çmimet e energjisë.

Të gjitha partitë u druhen protestave masive

Çmimet e rrymës elektrike. Në shkurt në Bullgari demonstruan mijëra vetë kundër rritjes së çmimeve të energjisë. Demonstruesit kërkuan ndër të tjera shpronësimin e furnizuesve të huaj të energjisë elektrike, të cilët ata i akuzojnë për ngritjen e çmimeve. Kjo nxit në pjesë të tëra të popullsisë një përzierje të rrezikshme të kritikës ndaj kapitalizmit dhe ksenofobisë, gjë që ka çuar në hyrjen në parlament të partisë radikale populiste Ataka. Megjithëse protestat kundër çmimeve të rrymës nuk kanë asnjë logjikë ekonomike, sot të gjitha partitë e shohin veten të detyruar, t'u paraqesin zgjedhësve një zgjidhje imagjinare. Sepse të gjitha kanë frikë nga protesta të reja masive dhe nga një shoqëri, që mund të zhytet në kaos dhe trazira. Disa vëzhgues madje përmendin terma të tillë si "situatë e ngjashme me luftë civile" dhe "grusht shteti". Pas një fushate zgjedhore të ndyrë, pas aferave të përgjimit dhe përpjekjeve për të manipuluar dhe fallsifikuar zgjedhjet, bullgarët janë të deziluzonuar dhe të dëshpëruar. Për këtë flet edhe pjesëmarrja më e ulët se kurrë në zgjedhje prej më pak se 50 për qind. Shoqëria bullgare është sot një bombë me sahat, që duhet shkrehur urgjentisht, mendojnë diplomatët e huaj, të cilët nuk duan të përmenden me emër.

A do të ketë zgjedhje të reja?

Protesta kundër varfërisë në Bullgari
Kursimet e qeverisë Borisov e kanë ashpërsuar problemin e varfërisë në BullgariFotografi: picture-alliance/dpa

Të formojë një qeveri programatike, dëshiron edhe forca e dytë politike, BSP socialiste. Pasi fituesi i zgjedhjeve nuk u shfaq në konferencën tradicionale për shtyp natën e zgjedhjeve, socialistët pohojnë se GERB ka rënë në izolim total. Ky konstatim duket se është i drejtë. Dy partitë e tjera të përfaqësuara në parlament, DPS, e cila përfaqëson interesat e pakicës turke dhe Ataka populiste, refuzojnë çdo bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve.

Një koalicion i madh mes GERB dhe BSP është gjithashtu i pamundur, kështu që ndoshta do të krijohet një qeveri programatike nën drejtimin e socialistëve. Në këtë qeveri do të ketë si përfaqësues të partive të vogla jo të përfaqësuara në parlament, ashtu edhe përfaqësues të lëvizjeve qytetare, si për shembull fytyra nga radhët e protestuesve, tha lideri i socialistëve Sergej Stanishev. Por partisë së tij do t'i nevojitej në rradhë të parë mbështetja e DPS dhe Atakës. Dhe ajo nuk fitohet pa shpërblim. Për të mos përmendur se Ataka ka sulmuar fort për vite me rradhë minoritetin turk në Bullgari. Në qoftë se në Bullgari nuk krijohet dot qeveria, qeveria aktuale e përkohshme do të mbetet në fuqi dhe në vjeshtë do të zhvillohen zgjedhje të reja. Sido që të ndodhë, shumë vëzhgues presin së shpejti zgjedhje të reja. Disa thonë se për ish kryeministrin Boiko Borisov, roli i fituesit të zgjedhjeve dhe në të njëjtën kohë i liderit të opozitës në parlament është shumë i përshtatshëm, sepse ai synon të zgjidhet president pas dy vjetësh. Prandaj Borisov dëshiron ta përfundojë karrierën e tij politike në këtë post.