1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bruksel: Kosova do të jetë në rend dite në negociatat për pranimin e Serbisë në BE

Bahri Cani17 Shkurt 2010

Kosova ka ndërtuar gjatë këtyre dy viteve shumicën e institucioneve të shtetit. Por Brukseli pret nga institucionet e atjeshme respektimin e rendit dhe ligjit. Kosova do të përfshihet në procesin e integrimeve.

https://p.dw.com/p/M3h7
Fotografi: AP/DW

Situata në Kosovë është relativisht e qetë, por çështja fundamentale e statusit nuk ka përfunduar, për shkak se pjesa veriore ende nuk është nën kontrollin e Prishtinës. Kështu thuhet në Qendrën për Politikë Evropiane në Bruksel, dy vjet pas shpalljes së pavarësisë. Michael Emerson është i mendimit se: "Kosova do të përfshihet në tërësi në rrjedhat e integrimeve evropiane të Evropës Juglindore, në planin ekonomik, lëvizjen e njerëzve dhe futjen në përdorim të ligjeve evropiane. Kjo do të ndodhë me apo pa njohjen e pavarësisë së shtetit."

Duhet të qërohen hesapet

Belgien EU Parlament in Brüssel Gebäude
Parlamenti EvropianFotografi: picture alliance / dpa

Emerson pohon se Kosova duhet të përparojë në respektimin e rendit dhe ligjit dhe duhet t'i qërojë hesapet me kontrabandistët e drogës, armëve, me korrupsionin në politikë dhe qarqet tjera.

Ulrike Lunacek, raportuese e posaçme e Parlamentit Evropian për Kosovën, pohon se shteti më i ri në botë ka bërë përparime të dukshme në dy vitet e fundit. Ajo shpreson se Kosovën në një të ardhme të afërt do ta njohin të gjitha vendet e BE-së.

„Kosova është edhe tani shtet i pavarur, i cili duhet të zhvillojë edhe më tej institucionet e shtetit, të kujdeset për pozitën e minoriteteve dhe në veçanti të zhvillojë ekonominë. Ardhmëria e Kosovës është në BE."

Kosovën e njohim më shumë serbë, por nuk e thonë

Lunacek është e mendimit se Kosova dhe kosovarët mund të jenë krenarë me atë që kanë arritur brenda dy viteve. Ndërsa për raportet mes Beogradit dhe Prishtinës pohon se Serbia dhe populli serb duhet të njohin realitetin e ri dhe të mos "shërbehen me mitologji e legjenda nga e kaluara."

Ulrike Lunacek, EU-Parlamentarierin aus Österreich
Ulrike LunacekFotografi: AP

„Numri i njerëzve në Serbi që mendojnë se Kosova do të mbetet shtet e pavarur dhe se nuk do të bëhet pjesë e Serbisë, është më i madh se sa që thuhet publikisht“, pohon ajo.

Në Qendrën për politikë evropiane pohojnë se çështja e Kosovës patjetër do të vie në rend dite edhe në negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Kosova do të vie në rend dite

„Zyrtarisht thuhet se Serbia duhet të vazhdojë me procesin e integrimeve dhe se duhet të zgjidhet çështja e Kosovës. Por duhet lënë kohë të mjaftueshme para vendosjes së kësaj çështje në rend dite“, thekson Emerson.

Sipas tij, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë nuk do të dal me ndonjë mendim të prerë pro apo kundër pavarësisë së Kosovës. Ndërsa Lunacek është e mendimit se Gjykata do të "sqarojë shumë gjëra", por Serbia dhe Kosova do të vazhdojnë ta intepretojnë mendimin e Gjykatës ashtu si u konvenon atyre.

Autor: Marina Maksimoviq

Redaktoi: Bahri Cani