1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Breitbart: Altoparlant i së djathtës së re

Gagnon Niebergall
17 Nëntor 2016

Portali i lajmeve do të vijë edhe në Gjermani - për të promovuar forcimin e populizmit europian.

https://p.dw.com/p/2Snc6
Screenshot der Website breitbart.com
Fotografi: breitbart.com

Tituj artikujsh në ngjyrë të fortë portokalli, anonsime disproporcionale reklamash dhe sektorë, që e quajnë veten "big government, big journalism, big hollywood" - faqja e internetit "Breitbart" është gjithçka, vetëm jo e përmbajtur. E rëndësishme për portalin e lajmeve nga SHBA-ja është të shkruajë kundër establishmentit politik, kundër të etabluarve demokratë e atyre republikanë. Ndërkohë në të po nënçmohen edhe gratë, zezakët, meksikanët apo hebrejtë.

Në këtë faqe ka edhe një artikull me tezën e titulluar: "Kontraceptivët i bëjnë gratë jo tërheqëse dhe të çmendura." Milo Yiannopoulos, autor dhe ylli i Breitbart, ka tërhequr kaq shumë vëmendjen me vulgaritete, sa Twitter ia ka shuajtur profilin. Në këtë protal raportohet edhe për "kulturën myslimane të përdhunimit". Ndonëse në këtë faqe ka edhe informacione objektive e ndonjëherë edhe me vetëkritikë - shpesh kemi të bëjmë me kritika që relativizohen nga deklarata subjektive të autorit.

Publiku i adresuar: "e djathta alternativë"

Breitbart me platformën e tij do t'i adresohet atij grupi të popullsisë, që amerikanët në SHBA e quajnë si "alt-right", që e përkthyer fjalë për fjalë do të thotë "e djathta alternativë". Platforma është bërë e njohur edhe përtej publikut të saj fillestar, kur ajo u ndërhyri në luftën elektorale në anën e presidentit të ardhshëm të SHBA-së, Donald Trump. Simpatitë e komunikuara hapur për republikanin nuk ishin më befasuese, kur shefi i Breitbart, Stephen Bannon, në gusht u bë menaxher i fushatës elektorale. Ka disa ditë që është e qartë, nëse Bannon do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë si kryestrateg i Trumpit.

Aktivistë të të drejtave civile, gazetarë dhe politikanë të çdo ngjyre janë duke shprehur indinjatën e tyre për këtë vendim. Republikani John Weaver në Twitter shkruan: "Presidenti i ardhshëm sapo ka emëruar një racist dhe antisemit shef të shtabit." Grupi kundër racizmit Southern Poverty Law Center shprehet: "Bannon ishte forca lëvizëse, që e bëri Breitbart një makinë etno-nacionaliste propagande."

Pordhuesit e Breitbart News ndoshta mendojnë tani, se pas zgjedhjeve është para zgjedhjeve. Sepse para pak ditësh ata deklaruan, që sipërmarrja do të ekspandojë në kontekstin europian. Ndërkohë ka një filial në Londër. Konkretisht kryeredaktori Alexander Marlow u shpreh për degë të portalit edhe në Gjermani e në Francë. Nga qarqet e drejtuesve të Breitbart thuhet, se synohet që në këto dy vende të mbështeten politikanët populistë të djathtë.

Në kursin e populizmit dhe nacionalizmit

"Në të gjithë Europën konstatojmë ndërkohë një kthim të populizmit e nacionalizmit", vuri në dukje Marlow në bisedë me gazetën e SHBA-së "Politico". Gjermani, sipas tij, është interesante për Breitbart "sepse kriza e refugjatëve është ashtu si është", shpjegon kryeredaktori i portalit. Duke iu referuar Francës dhe suksesit të politikanëve të djathtë si kryetares së Front-National, Marine Le Pen, ai shton: "Për ne ka shumë kuptim të shkojmë atje." Le Pen portali e ka vlerësuar si "Rockstar i ri i së djathtës në Eurpopë".

Në Londër Breitbart u konsolidua gjatë debatit për daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja. Menjëherë para dhe pas votës për Brexit portali fitoi gjithnjë e më shumë popullaritet. Vetëm më 23 qershor, ditën e referendumit, ky portal arriti shifrën më të madhe të leximeve ndër të gjitha faqet e internetit, që menaxhohen në mbarë botën prej Breitbart.

Përcaktimet e ardhshme të kursit në Europë priten në vitin 2017 me zgjedhjet në Gjermani e në Francë. Tensionet e krijuara në mbarë Europën nga migracioni i qindra mijëra refugjatëve mund të shpërthejnë, sepse frika nga terrorizmi dhe rritja e refuzimit kundrejt Islamit mund t'i nxisë shumë zgjedhës në krahët e partive populiste të djathta. Këto gëzohen për këtë mbështetje të papritur elektorale nga Breitbart. Do të jem e kënaqur për bashkëpunimin, është shprehur Marion Maréchal-Le Pen, mbesa e kryetares së Front-National. Dega e partisë ekstremiste të djathtë "Alternativa për Gjermaninë" (AfD) në Heildeberg shkruan në twitter: "Breitbart po vjen në Gjermani. Fantastike! Do të ketë një tërmet në peizazhin tonë të kalçifikuar mediatik."