″Bosnja duhet ta vendosë vet në ç′drejtim do të shkojë″ | Ballkani | DW | 16.02.2016
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

"Bosnja duhet ta vendosë vet në ç'drejtim do të shkojë"

Elmar Brok, kryetari i Këshillit për Politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian dhe anëtar i Partisë Popullore Evropiane flet për DW për kandidaturën e Bosnjë-Hercegovinës për anëtarësim në BE.

Deutsche Welle: Bosnje-Hercegovina dorëzoi (15.2.2015) kërkesën për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE. Cila është predispozita në BE për këtë kërkesë?

Elmar Brok: Ne mbetemi tek premtimet e Selanikut që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë për anëtarësim në BE. Në këtë kuptim, kërkesa e Bosnje-Hercegovinës për statusin e kandidatit është legjitime. Por kjo nuk do të thotë se kemi hequr dorë nga kërkesat e BE për anëtarësim dhe ky do të jetë një proces i komplikuar. Bosnje-Hercegovina duhet të plotësojë edhe kushtet politike dhe të bëjë refroma. Kjo do të thotë që Bosnje-Hercegovina duhet të zgjidhë problemet ndëretnike, sepse me problemet etnike nuk mund të anëtarësohet në BE.

A do të ndihmojë kjo kërkesë Bosnje-Hercegovinës në plotësimin e kushteve për reforma?

Unë e them në mënyrë të prerë se aplikimi për statusin e kandidatit nuk do të thotë edhe fillim i negociatave për anëtarësim. Për fillimin e këtij procesi duhet të plotësohen edhe disa kushte. Ndaj politikanët e grupeve të ndryshme atje duhet të plotësojnë kushtet e parashikuara për funksionimin e shtetit, duhet të vendoset bashkëpunimi i grupeve etnike, duhet të ketë një shtet juridik të pavarur dhe të lirë.

Zoti Brok, kancelarja gjermane Angela Merkel është themeluese e Konferencës së Berlinit për Ballkanin perendimor, para gati dy vitesh. Ajo angazhohet për një perspektivë të qartë evropiane të Ballkanit. Sa reale është kjo perspektivë në Bosnje-Hercegovinë kur dihet se ky vend përballet me shumë probleme?

Siç e thashë, premtimi ynë qëndron, jo vetëm i Gjermanisë por i mbarë BE, sipas marrëveshjes së Selanikut. Ndërsa politikanët e atjeshëm duhet të plotësojinë kushtet e tyre. Dukuritë negative atje nuk do të tolerohen. Por kjo është detyrë e politikanëve në Bosnje-Hercegovinë që t'i eliminojnë ato dhe të gjitha janë në duart e tyre. Nëse politikanët në pushtet nuk janë në gjendje t'i bëjnë reformat, atëherë nuk do të ketë as anëtarësim në BE. Ndërsa populli në zgjedhje duhet të kontrollojë me votën e tij se në ç'drejtim po shkon politika e këtij vendi.

Zoti Brok, si e shikoni faktin që Rusia dhe Putini gëzojnë një mbështetje të fuqishme në Republikën Serpska, ndërsa Turqia dhe Erdogani tek boshnjakët. A mund të reflektohet konfliktit Rusi-Turqi edhe në Bosnje-Hercegovinë?

Nëse këto simpati kanë ndonjë rëndësi praktike, atëherë kjo me siguri që nuk është në përputhje me politikën e BE. Nëse këto simpati janë kundërproduktive, as kjo nuk është në përputhje me politikën e BE dhe nuk ndihmojnë fare për zgjidhjen e problemeve atje. Ne nuk duam që përmes këtij vendi të fusim edhe problemet e Rusisë dhe Turqisë në BE. Bosnje-Hercegovina duhet të vendosë vet se në ç'drejtim duhet të shkojë.

Reklamë