1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borrell: 21.11 s'duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat

14 Nëntor 2022

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, tha se Kosova e Serbia janë në udhëkryq, dhe duhet të vendosin nëse duan t'i kthehen së kaluarës apo të shkojnë drejt BE-së.

https://p.dw.com/p/4JWBT
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell: 21 nëntori nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targat
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell: 21 nëntori nuk duhet të na gjejë pa marrëveshje për targatFotografi: Pablo Porciuncula/AFP/Getty Images

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, e cilësoi situatën e sigurisë në Kosovë si më të rrezikshmen që nga viti 2013. Pradaj ai i kërkoi Kosovës fleksibilitet për targat, ndërsa serbëve u kërkoi që të kthehen në institucionet e Kosovës. Këto deklarata shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrel, i bëri pas një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së që u mbajt në Bruksel. Ministrat e Jashtëm të BE-së disktutuan edhe për ndikimin që ka pushtimi rus i Ukrainës në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Situatë e rrezikshme që kërkon fleksibilitet

"Mund të them që jemi duke u përballur me krizën më serioze në dhjetë vjetët e fundit dhe të dyja palët duhet që urgjentisht të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve. 21 nëntori nuk duhet t'i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat, sepse në të kundërten mund të kemi një situatë të rrezikshme”, tha Borrel.

Borrell: Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucionet e Kosovës
Borrell: Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucionet e KosovësFotografi: Ognen Teofilovski/REUTERS

"Serbët e Kosovës duhet të kthehen në institucionet e Kosovës, autoritetet e Kosovës të tregojnë fleksibilitet për targat, e të punojnë në implementimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pa vonesa”, tha Borrell.

Ai bëri të ditur se kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, do të jetë shumë shpejtë në Bruksel për të biseduar për çështjen e targave edhe me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq. Gjatë ditë së hënë, shefi i diplomacisë evropiane, tha se i ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë një propozim për zgjidhjen e krizës aktuale, por nuk bëri të ditur detaje.

Propozim për zgjidhjen e krizës aktuale

"Duhet të gjejmë një rrugëdalje nga kjo krizë. Kemi paraqitur një propozim për dalje nga kriza, të cilin duhet ta shqyrtojnë palët", tha Borrell, duke falenderuar “Francën dhe Gjermaninë për ndihmën”. Qeveria e Kosovës nga ana e saj, nuk ka bërë të ditur aokma se cili ishte propozimi për të dalë nga kriza aktuale.

Vullnet politik për depërshkallëzim dhe kompromise

Një ditë më parë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde, shkroi në Twittër se "është absurde rrezikimi i një konfrontimi të dhunshëm në Kosovë për shkak të targave”.

Në veri të Kosovës ditët e fundit nuk është shënuar ndonjë incident, por tensionet vazhdojnë të jenë të larta
Në veri të Kosovës ditët e fundit nuk është shënuar ndonjë incident, por tensionet vazhdojnë të jenë të lartaFotografi: Bojan Slavkovic/AP Photo/picture alliance

"Nevojë urgjente është vullneti politik për depërshkallëzim dhe kompromise në bazë të marrëveshjeve të Brukselit. Absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat, ndërkohë, që Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Tensionet vazhdojnë të jenë të larta por pa incidente

Tensionetndërmjet Kosovës dhe Serbisë u ngritën pas një vendimi të qeverisë së Kosovës e cila që nga 1 nëntori filloi zbatimin e shkallëzuar të vendimit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. Shtetet e  Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, i kërkuan qeverisë së Kosovës që këtë vendim ta shtyjë për 10 muaj, sikundër që i kërkojnë Kosovës të fillojë diskutimet për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Serbia, kërkon që asociacioni të formohet dhe të ketë kompetenca ekzekutive. Kurse qeveria e Kosovës thotë se Kosova nuk mund të themelojë Asociacion mbi baza entike, sepse kjo bie në kundërshtim me Kushtetutën e  Kosovës.

Sidoqoftë, në veri të Kosovës  në ditët e fundit nuk është shënuar ndonjë incident, por tensionet vazhdojnë të jenë të larta. Në pjesën veriore të Mitrovicës  nga persona të panjohur janë shfaqur grafite ku bëhet thirrje për "rezistencë" ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat.