Bllokimi i naftësjellësit ″Druzhba″ rizgjedhja e Stoiberit dhe statusi i Kosoves | Studimi në Gjermani | DW | 08.01.2007
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Studimi në Gjermani

Bllokimi i naftësjellësit "Druzhba" rizgjedhja e Stoiberit dhe statusi i Kosoves

Shtypi gjerman i dates 09.01.07

default

KÖLNER STADT-ANZEIGER trajton aspektin politik të furnizimit të Evropës me energji nga Rusia:

"Konfrontimi aktual me Bjellorusinë do të duhet të kishte edhe një sfond politik. Moska është e zhgënjyer me diktatorin bjellorus Lukashenko, i cili tashmë u tërhoq nga marrëveshja tashmë disavjeçare... Me presion ekonomik masiv mund të arrihej ndoshta rezultati i dëshiruar. Presidenti Putin ndoshta mund të ketë një përfitim të paçmuar prej kësaj. Sepse në një Rusi të zmadhuar me Bjellorusinë ai mund të kandidonte përsëri në vitin 2008 dhe nuk do kishte nevojë të lëshonte postin.

FINANCIAL TIMES DEUTSCHLAND për këtë çështje vëren:

"Rusia e pat rritur hap pas hapi gjatë javëve të fundit presionin ndaj vendit fqinj. BE-ja, e cila i ka minimizuar kontaktet me Bjellorusinë, do të duhet të jetë e kënaqur me këtë: Një diktatori i mbyllet rubineti. Por sjellja e rusëve përsëri tregon, se me çfarë ashpërsie të pakompromis Kremlini realizon interesat e tij ekonomike dhe politike. Në dallgët e çmimeve të larta të tregut botëror për naftë dhe gas, kreu rus po zhvillon një arrogancë, që të mëson të kesh frikë."

Bonner GENERAL-ANZEIGER trajton varësinë e Gjermanisë nga importet ruse:

"Kur dikush në Moskë apo në Minsk shtyp sustën, në Gjermani shumë shpejt mund të fillojë i ftohti. Të zotërosh energji, do të thotë të kesh pushtet. E formuluar më ngushtë. Furnizimi i popullsisë me energji varet nga dashamirësia e Kremlinit. Varësia nga importet arabe është rrezik i mjaftueshëm; ajo nga lindja të kujton ruletën ruse."

OSTTHÜRINGER ZEITUNG nga Gera kërkon ndërhyrjen e politikës:

"Politika e jashtme gjermane është gjithmonë edhe politikë energjetike. Gjermania gjithmonë është në kërkim të një furnizuesi të sigurtë të lëndëve të para që janë më të rëndësishme. Politika e vendit duhet të bëjë gjithçka për ta ulur varësinë nga nafta dhe gazi, përmes zgjerimit konsekuent të burimeve energjetike alternative."

Ngjashëm shprehet edhe LANDESZEITUNG nga Lyneburgu:

"Luftërat e Rusisë me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe tani edhe konflikti me Bjellorusinë janë vetëm betejat e para të një epoke të re. Në fund të epokës së naftës po zhvendoset pushteti: Nga konsumatorët e energjisë tek prodhuesit dhe vendet tranzite. Evropa duhet ta shpërndajë gjeografikisht varësinë e saj nga lëndët djegëse fosile. Por e rëndësishme është që ajo të largohet me vendosmëri nga ekonomia e naftës."

Para se të kalojmë në komentet e ditës për politikën e brendshme gjermane edhe një pjesë nga një artikull në "Handelsblatt" për statusin e Kosovës:

"Pritet që ai do të shprehet për një sovranitet të kushtëzuar të krahinës nën mbikqyrjen e BE-së. Ky plan do të bëhet i pranueshëm për Serbinë me anë të një perspektive në BE. Shumë shenja tregojnë që tani se një zgjidhje e këtillë do të duhet t'u imponohet si shqiptarëve, ashtu edhe serbëve. Kjo shkon vetëm në qoftë se bashkësia ndërkombëtare ndjek një vijë të vetme. Dhe deri tani nuk duket se është kështu."

Tema që dominon komentet dhe analizat për politikën e brendshme të Gjermanisë është kandidimi sërish i kreut të Unionit Kristiansocial, Edmund Stoiber për zgjedhjet parlamentare në Bavari, të cilat do të zhvillohen në vitin 2008. Analistët gjermanë në këtë pikë janë më se të qartë:

Kështu për shembull AUGSBURGER ALLGEMEINE:

"Për momentin Stoiber hapi vend. Partia po i jep edhe një shans tjetër këtij njeriu, që ka korrur suksese të hatashme nëpër zgjedhje dhe e ka qeverisur mirë Bavarinë. Megjithëse ajo rrezikon që të humbasë momentin e përshtatshëm për të bërë një këmbim në krye. Por gjatë këtij viti, Stoiber do të duhet ta bindë CSU-në, se ai do të jetë në gjendje ta kthejë edhe një herë fletën e të fitojë pa shumë mund zgjedhjet në Bavari. Në rast të kundërt, për t'iu shmangur tmerrit pa fund, CSU-ja do të duhej të zgjidhte fundin e tmerrshëm."

Ndërsa në KIELER NACHRICHTEN shkruhet:

"Kapadaillëku i Stoiberit dhe kancelaria shtetërore e tij që qeveris me metoda absolutiste e kanë penguar zhvillimin e debatit për një pasardhës në momentin e duhur. Klikës së Stoiberit tani kjo çështje i ka dalë përdorësh. Shefi i CSU-së, nuk është më zot i kësaj procedure, për ardhmërinë e tij politike vendosin të tjerët".

  • Data 08.01.2007
  • Autor Gerhard Freese
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmC
  • Data 08.01.2007
  • Autor Gerhard Freese
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink https://p.dw.com/p/ArmC